Berisha i reagon Vuçiqit për deklaratën kundër masakrës së Reçakut: Ja çka duhet tash të bëjnë shqiptarët

Politika

Berisha i reagon Vuçiqit për deklaratën kundër masakrës së Reçakut: Ja çka duhet tash të bëjnë shqiptarët

Nga: D. B. Më: 12 dhjetor 2019 Në ora: 16:20
Aleksandër Vuçiq

Nuk ka kohë të përshtatshme apo të papërshtatshme për inicimin e procedurave adekute penale deri tek Gjykatat kompetente penale me qëllim që këto në bazë të fakteve dhe dëshmive të grumbulluara dhe të parashtruara nga palët e dëmtuara të ngrisin aktpadi adekuate dhe meritore penale.

Në bazë të të cilave kryesit e veprave të ndryshme penale në rastin konkret të njohura si krime të luftës do të dilnin para organeve të drejtësisë do të ngarkoheshin me faj dhe do ti merrnin dënimet e merituara.

Analisti politik Ejup Berisha ka thënë për “Bota sot” se për Kosovën  gjithmonë është koha e përshtatshme për parashtrimin e fletëparaqitjeve penale ndaj krimeve të luftës të kryera nga ana e Serbisë gjatë viteve 1998/99 në Kosovë apo gjatë kohës së luftës këtu.

“Të gjithë e dinë madje edhe fëmijët e djepit, se Serbia ka kryer krime shumë të rënda të pakuptimta dhe të pafalshme në Kosovë. Kështu që menjëherë pas përfundimit të luftës në Kosovë, është dashur të formohen komisione të përbashkëta mes familjarëve të viktimave,  të krimeve serbe dhe Qeverisë me qëllim të përcaktimit të gjendjes faktike. Gjithashtu është dashur të kërkohet përgjegjësi penale, ndaj njerëzve të armatosur serb të cilët e kanë okupuar Kosovën gjatë viteve 1998/99 dhe gjatë aktiviteteve të tyre atëkohë kanë plaçkitur, e kanë keqtrajtuar dhunuar dhe vrarë, njerëz të pafajshëm shqiptar. Nga kryesit e vërtetë të krimeve të luftës në Kosovë duhet të kërkohet përgjegjësi faktike penale, e jo vetëm të flitet kot se do të ngriten procedura adekuate penale dhe ato të mos procesohen kurrë”, ka thënë analisti Ejup Berisha.

Sipas tij, kryesit e shumtë të krimeve të rënda duhet të dalin para gjykatave penale dhe të përgjigjen penalisht.

Image
Ejup Berisha

“Populli shqiptar dhe përfaqësuesit e bashkësive të tjera etnike jo serbe që jetojnë në Kosovë, ata të cilët e kanë pësuar nga serbët duhet të insistojnë që jo vetëm se pjesëtarë të grupeve të shumta të armatosura serbe të ngarkohen me faj, por edhe ta padisin edhe shtetin e Serbisë, që ka lejuar që këta të kryejnë krime të shumta të luftës në Kosovë. Shumica e njerëzve prej atëherë e deri tani ndoshta kanë harruar se çfarë ka ndodhur para 20 vitesh në Kosovë. Por familje të caktuara nga Kosova, të cilët e kanë pësuar nga Serbia, duhet të mos harrojnë kurrë se çfarë kanë bërë njësi të shumta kriminale e të armatosura, ndaj familjarëve të tyre. Dihet që shumica e të cilëve prej tyre o janë vrarë, o janë dhunuar fizikisht, dhe përdhunuar seksualisht, apo dhe janë zhdukur, madje akoma nuk dihet asgjë për fatin e tyre”, ka thënë analisti politik Ejup Beisha.

Ai konsideron se të dhënat flasin, se disa mija shtetas të Kosovës kanë pësuar shumë keq, dhe dhimbshëm si rezultat i çmendurive të grupacionëve të shumta kriminale e paraushtarake Serbe prezentë në Kosovë.

“Faktet dhe dëshmitë duhet të grumbullohen dhe në mënyrë faktografike të klasifikohen, dhe tu dorëzohen organeve të drejtësisë, për procesim të mëtejmë. Fakte dhe dëshmi besoj se ka plot, apo me bollëk dhe mbetet që të njëjtat të përpunohen të analizohen, dhe tu dorëzohen prokurorive kompetente publike me qëllim që këto në bazë të tyre të ngrisin fletpadi adekuate dhe meritore penale. Reagime ndaj deklaratës së fundit të Presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq nga ana e shqiptarëve të Kosovës, duhet të ketë shumë. Gafa e tij e qëllimshme dhe tendencioze se Masakra e Reçakut ishte e inskenuar, duhet të kontestohet fuqishëm njëzëri nga të gjithë shqiptarët e Kosovës”, ka thënë analisti politik Ejup Berisha.

Sipas tij, reagimin më të ashpër duhet ta bëjnë familjarët e personave që e kanë pësuar nga veprimet e këqija dhe të pamatura të forcave të armatosura serbe prezentë në Kosovë gjate viteve 1998/99.

“Reagimet nuk duhet të mbeten vetëm se në duart e politikanëve aktual kosovar të cilët këtë situatë duan ta shfrytëzojnë për arritjen e qëllimeve të tyre politike. Reagim të ashpër dhe të njëzëshëm të tendencave të politikanëve serb për mohimin e krimeve të shumta serbe dhe shfajësimin e kriminelëve të vërtetë serb për krimet e kryera në Kosovë duhet të ketë gjithmonë dhe pandalur. Nuk është e drejtë që serbët të tentojnë të heqin barrën e përgjegjësive penale përmes deklaratave të pakuptimta dhe të papranueshme se Rasti i Reçakut si dhe raste të tjera të krimeve të rënda të cilësohen prej tyre si të inskenuara”, ka thënë analisti politik Ejup Berisha.

Ai tutje ka shtuar se nga Presidenti i Serbisë Vuçiç populli shqiptar i Kosovës duhet të kërkoj që urgjentisht ky të kërkoj falje dhe nga i njëjti të kërkohet që të ndihmoj në nxjerrjen e kriminelëve kryesor para gjykatave kompetente penale me qëllim që të njëjtët ti marrin dënimet e merituar.

“Kjo do të ishte njëherit hapi i parë në përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve të këqija mes Kosovës dhe Serbisë. Nuk duhet që vetëm pala kosovare të bëj përpjekje për normalizimin e marrëdhënieve dy palëshe por këtë duhet ta bën edhe pala serbe. Politikanët Serb duhet ta pranojnë faktin se pjesëtar të forcave serbe të armatosura dhe të forcave parushtarake serbe kanë kryer krime shumë të rënda në Kosovë dhe familjarët e viktimave të luftës të dëmshpërblehen me dëmshpërblime meritore për krimet e bëra ndaj tyre dhe kundrejt familjarëve tyre”, është shprehur analisti politik Ejup Berisha.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat