Jo dialog me Serbinë pa kërkim-faljen zyrtare për krimet e luftës

Politika

Jo dialog me Serbinë pa kërkim-faljen zyrtare për krimet e luftës

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 13 dhjetor 2019 Në ora: 08:31
Foto ilustrim nga "Bota sot"

Janë bërë një vit që nga pezullimi i dialogut Kosovë-Serbi, për shkak të taksës së vendosur nga Kosova ndaj mallrave serbe dhe atyre të Bosnjës.

Zyrtarët serb deklaruan se dialogu nuk do të vazhdojë pa heqjen e taksës, ku kjo e fundit u shkaktoi miliona euro dëme në ekonomi.

Mirëpo, taksa vazhdon dhe dialogu vazhdon të mbetet i pezulluar.

Në anën tjetër, së fundmi, presidenti serb, Aleksandër Vuçiq lëshoi një deklaratë, e cila bëri që të ketë reagime në Kosovë nga politikanë, ambasada, Bashkimi Evropian, shefi i UNMIK-ut në Kosovë dhe vet William Walker, i cili e dëshmoi se masakra e Reçakut ka ndodhur, për çka Vuçiq tha se është fabrikuar.

“Të gjithë anëtarët e Listës Serbe do të përsërisin të njëjtën gjë dhe unë e përsëris tani, krimin e fabrikuar në Raçak, ku gjithçka u falsifikua nga ai mashtrues me flokë të bardhë, ËilliamËalker”, deklaroi në Beograd Vuҁiq, në mbrojtje të ish ministrit tëAdministratës dhe Vetëqeverisjes Lokale në Qeverinë e Kosovës, IvanTeodosijevic, i cili u dënua me dy vjet burg nga Gjykata Themelore në Prishtinë.

Duke pasur deklarata të tilla nga presidenti serb, a duhet të hiqet taksa për Serbinë dhe të vazhdohet dialogu me të?

Lepaja: Kosova duhet të vendos si kusht distancimin e shtetit serb nga e kaluara dhe kërkimfaljen zyrtare

Image
Fadil Lepaja

Njohësi i çështjeve politike, Fadil Lepaja, ka thënë për gazetën “Bota sot’ se duhet të dialogohet me Serbinë, por që duhet vendosur kushte, në të kundërtën dialogu është joproduktiv dhe i pa arsyeshëm.

“Kosova besoj se duhet të bëjë dialog me të gjithë që ka çështje të hapura. Gjithsesi dialogu pa kushte me Serbinë e cila edhe përkundër krimeve nga e kaluara ende vë kushte, është i pa arsyeshëm dhe joproduktiv. Kosova duhet të vendos si kusht distancimin e shtetit serb nga e kaluara dhe kërkimfaljen zyrtare për to. Kusht tjetër do të ishte kthimi i trupave të pagjeturve, përkatësisht dorëzimi i dokumentacionit rreth lokacioneve ku ata janë varrosur dhe dorëzimi i trupave të tyre kur kjo ka të bëjë me varreza masive jashtë Kosovës”, është shprehur ai.

Sipas tij, me Serbinë nuk duhet të bisedohet për çështjet e brendshme të Kosovës, por normalizim të marrëdhënieve dhe koalicioni i ri sa më shpejtë duhet të ndërtojë qasje të përbashkët ndaj bisedimeve të brendshme.

“Me Serbinë nuk duhet të bisedohet për çështje të brendshme të Kosovës por për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë bazuar në interesin e përbashkët dhe në rrugën e integrimeve euro atlantike.Sa më shpejt koalicioni i ri duhet të ndërtojë qasjen e përbashkët ndaj bisedimeve të brendshme me përfaqësuesit e komunitetit serb në Kosovë dhe ndërtimi i parimeve që do të vlenin për të gjitha komunitetet e tjera pakicë”, ka vlerësuar Lepaja.

Ai shton se nuk duhet pranuar presione për lëshime të vazhdueshme por duhet pasur qasje konstruktive dhe paqësore për të tejkaluar problemet.

“Nuk mendoj se duhet pranuar presionin për lëshime të vazhdueshme që vijnë nga konjuktura euro aziatike, por duhet pasur qasje konstruktive dhe paqësore dhe gatishmëri për tejkalimin e problemeve mes nesh”, ka deklaruar Fadil Lepaja për “Bota sot”.

Zogaj: Duhet të bisedohet edhe me kriminelët serbë dhe t'u thuhet se krimet e tyre nuk do të harrohen kurrë

Image
Skënder Zogaj

Ndërsa, njohësi i çështjeve politike, Skënder Zogaj taksën e sheh si masë të shkëlqyer nga Kosova, tregues që Kosova është shtet dhe merr vendime që për Serbinë mund të jenë të pakëndshme.

“Taksa është një masë e shkëlqyer e Kosovës për të sinjalizuar nevojën e partneritetit të domosdoshëm që Serbia duhet ta shtrojë seriozisht nëse është e interesuar që të gëzojë benefitet e nevojshme të Serbisë në këmbimin e mallrave dhe të zhvillimit të tregtisë me vendet e rajonit, ndër të cilat Kosovën mund ta ketë dhe e ka, tregun më të afër dhe më dobisjellës për Serbinë. Taksa është tregues i faktit se Kosova është shtet dhe merr vendime të cilat mund të shkaktojnë gjendje jo të këndshme për Serbinë, sepse tash Kosova ka mundësi të reja bashkëpunimi me vendet e rajonit duke anashkaluar Serbinë”, ka thënë Zogaj.

Sipas tij, është më mirë të merret një vendim i ri për taksën në dobi të bashkëpunimit ndryshe mes dy shteteve, por që të arrihet kjo Serbia duhet të çlirohet nga strukturat kriminale.

“Në këtë drejtim, e mira e të mirave është që taksa të analizohet dhe rishqyrtohet e të merret një vendim i ri që do të ishte në dobi të bashkëpunimit ndryshe mes Kosovës dhe Serbisë! Por që të arrihet kjo, Serbia duhet të demokratizohet, të çlirohet nga strukturat kriminale që e udhëheqin shtetin dhe e manipulojnë popullin serb! Ajo që disa kriminelë kohëve të fundit kanë deklaruar rreth masakrave që kanë bërë në Kosovë, nuk duhet të na shqetësojnë, sepse kriminelët gjithmonë mburren me krimet! Kosova ka pësuar shumë por tash është shtet i lirë dhe i pavarur dhe e ka fatin në duart e veta”, ka vlerësuar Zogaj.

Por, ai thotë se duhet të bisedohet edhe me kriminelët, që tu thuhet se krimet e tyre nuk do të harrohen por do të vajohen sepse shqiptarët kanë sakrifikuar për vendin e tyre.

“Po, duhet të bisedohet edhe me kriminelët serbë dhe t'u thuhet se krimet e tyre nuk do të harrohen kurrë, por nuk do të vajtohet, sepse shqiptarët kanë sakrifikuar për vendin e tyre dhe janë krenar dhe shumë më të fortë pushtuesi i tyre, Serbia gjakatare”, ka deklaruar Skënder Zogaj për “Bota sot”.

Shahu: Unë nuk do ta hiqja taksën deri sa të Serbia ta njohë Kosovën

Image
Rexhep Shahu

Në anën tjetër, ish gazetari dhe publicisti Rexhep Shahu, ka thënë për gazetën “Bota sot” se dialogu nuk do të duhej të fillonte sërish pa njohjen nga ana e Serbisë dhe pastaj të bisedohet si dy shtete të barabarta.

“Unë jam një zë i pafuqishëm pa ndikim. Por nëse do pyetëm unë për fatin e bisedimeve e dialogut do të bëhej kështu. Nuk nis dialog shqiptaro serb nëse Serbia nuk deklaron njohje të shtetit të Kosovës. Si shtete të barabarta pastaj nisim bisedimet edhe për yjet e hënën po të duan serbët. Kosova ka jetuar nën Serbi gati një shekull dhe nuk u shua se nuk shuhet raca shqiptare. Mund të jetojë si shtet edhe njëmijë vjet Kosova pa e njohur Serbia. Bën Kosova edhe pa Serbinë. Ndaj është çliruar që të bëjë pa Serbinë. Edhe po ta pushtojë Serbia ushtarakisht Kosovën, ajo nuk hyn më në Kosovë, është dëbuar Serbia prej Kosove”, është shprehur ai.

Sipas Shahut, taksa nuk duhet të hiqet por të shtohen edhe taksa tjera deri në njohje dhe serbët e Kosovës të zgjedhin në Kosovë apo Serbi, sepse nuk mund të ketë Serbi të vogël në Kosovë.

“Unë nuk do ta hiqja taksën deri sa të Serbia ta njohë Kosovën. Do të shtoja edhe taksa të tjera. Serbët në Kosovë nuk mund të jenë gozhda e Nastradinit që e nguli në murin e shtëpisë së huaj që të hynte e të dilte në atë shtëpi si të donte. Serbët në Kosovë do të duhet të zgjedhin, ose janë shtetas të Kosovës ose të shkojnë në Serbi sepse nuk mund të ketë Serbi të vogël brenda Kosovës. Kosova pa qenë shtet si sot bëri luftë për liri e pavarësi sot mund të bëjë mbrojtje të fortë sepse është shtet vital me popull vital”, ka theksuar Shahu.

A thotë se masakrat janë gdhendur në kujtesën e botës, edhe nëse Vuçiq nuk i pranon, derisa shton se mjafton një deklaratë e tillë që të ndërpritet çdo dialog shqiptar-serb.

“A i njeh Vuçiqi masakrat apo jo, ai të flasë për to, ato masakra serbe janë gdhendur në sytë e kujtesës së botës. Kosovës i duhet një qeveri që di ta shkruajë e ta njohë historinë nuk i duhen Demka për Zylot e pushtetit që u bëjnë fresk liderëve. Mjafton kjo deklaratë e Vuçiqit që nuk njeh masakrat serbe të Reçakutetj dhe në mënyrë të rrufeshme ndërpritet çdo dialog shqiptaro serb, sepse udhëheqësi i Serbisë fyen martirët shqiptare, Kaq mjafton për të mbyllë debatet dhe për të mos hyrë në retorika fjalimesh”, ka shtuar ai.

Sipas Shahut, liderët shqiptarë nuk duhet të sillen si vasalë të Serbisë dhe të mos e lejojnë Ramën që flas në emër të Kosovës në Serbi.

“Liderët shqiptarë cilëtdo qofshin ata duhet ta dinë se Kosova nuk merr frymë për gabzerr të Serbisë dhe liderët shqiptarë të mos mbajnë hallin e Serbisë, të mos hiqen me katolik se Papa, të mos sillen si vasalë të Serbisë, si të emëruar në Prishtinë nga Serbia. Liderët shqiptarë të Prishtinës të mos mbesin në fijet e shërbimeve sekrete dhe të mos lejojnë Edi Ramën të flasë kurrë kurrë në emër të Kosovës e të shqiptarëve në sofrat serbe”, ka deklaruar Rexhep Shahu për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat