Greva si “mjet” për të penguar deri në maksimum ndërrimin e pushtetit

Politika

Greva si “mjet” për të penguar deri në maksimum ndërrimin e pushtetit

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 16 dhjetor 2019 Në ora: 22:27
Foto ilustrim

“Duan paga më të mëdha kurse nuk ofrojnë asnjë cilësi, jo vetëm në arsim por edhe në sektorët tjerë. Mjekët duan paga dyfish më të mëdha, por gjithashtu duan të punojnë edhe në sektorin publik edhe në private. Askund në botë nuk ka kështu. Nuk dua ta mbrojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e ligjit për paga, sepse vendimi i tyre mund të ketë edhe ndikim politik dhe tendence për të shkaktuar trazira politike dhe sociale në Kosovë”, ka thënë Faik Krasniqi për “Bota sot”.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës gjatë javës së kaluar ka pezulluar Ligjin për Paga deri në mars të vitit 2020, por për këtë vendim u revoltuan sindikatat, të cilat vendosen të hyjnë në grevë. Por, kjo çështje e grevave mori kaheje tjetër, pasi u aludua që ato po bëhen për t`i shkaktuar probleme dhe presion qeverisë së re.

Rrahmani: Kjo situatë nuk i është dashur vendit

Lidhur me këtë çështje, ish-ministri i Shëndetësisë, dhe zyrtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Imet Rrahmani, në një prononcim për “Bota sot” është shprehur se ngjarjet rreth ligjit të pagave po e shtojnë presion dhe kjo do të ndikoj negativisht në fillimin e mbarë të qeverisë së re.

Image
Imet Rrahmani

“Pothuajse një vit po bëhen që kur nuk ka pasur një funksionim normal të institucioneve të shtetit, as Kuvendi as Qeveria. Përpos kësaj, vendi u ballafaqua me një proces shumë të zgjatur zgjedhor gjë që ka bërë të humbet kohë shumë e çmuar për adresimin e problemeve të shumta. Ngjarjet e fundit rreth Ligjit të pagave veç sa po shtojnë presionin, presion ky që sigurisht do të ndikoj negativisht në fillimin e mbarë të qeverisë në ardhje.”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Gjithashtu, ai ka shtuar se këto ngjarje mund të jenë të jetë e planifikuar shumë mirë që të pengohet deri në maksimum tranzicioni i pushtetit.

“Kjo situatë nuk ju ka dashtë vendit. Ka pasur rrugë tjera për të përmirësuar rrethanat dhe Ligjin, por si duket kjo është planifikuar shumë mirë që të pengohet deri në maksimum tranzicioni i pushtetit”, ka deklaruar Rrahmani për “Bota sot” .

Murtezi: Rikthimi i grevave përben shqetësim të veçantë për qeverinë e re

Ndërsa, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Labinotë Demi Murtezi, në një prononcim për “Bota sot” e ka deklaruar se rikthimi i grevave përben shqetësim të veçantë për qeverinë e re.

Image
Labinotë Demi Murtezi

“Sigurisht se rikthimi i grevave përben shqetësim të veçantë për qeverinë e re, çka nuk mund të anashkalohet. Në anën tjetër, grevat e fundit kanë treguar se është tejkaluar çdo kufi, dhe nga to më së shumti kanë pësuar fëmijët në shkolla dhe pacientet në proces të shërimit”, ka deklaruar ajo për “Bota sot”.

E pyetur nga “Bota sot” se a mund të ketë qëllim tjetër, fillimi i grevave tani që pritet të bëhet Qeveria e re, ajo nuk ka dashur të përgjigjet në këtë pyetje, duke shtuar se kjo ka të bëjë me vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

“Nuk kisha dashur t’u jap kaheje tjetër. Ky reagim vjen pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e ligjit të pagave deri në fund të marsit 2020, që në esencë përbën një motiv për greve. Por po them prapë se duhet menduar për pasojat e grevës, dhe sigurisht një bashkëpunim i ngushtë dhe i sinqertë i sindikatave me qeverinë e re”, ka deklaruar Demi për “Bota sot”.

Krasniqi: Duan paga më të mëdha kurse nuk ofrojnë asnjë cilësi

Ndërsa, njohësi i çështjeve politike në vend, Faik Krasniqi, duke mos dashur ta mbroj vendimin e Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e ligjit për pagë, ka thënë për “Bota sot” se vendimi i tyre mund të ketë edhe ndikim politik dhe tendencë për të shkaktuar trazira politike dhe sociale në Kosovë.

Image
Faik Krasniqi

“Rezultati i PISA ishte tepër zhgënjyes. Për këtë rezultat askush nuk mori përgjegjësi. As politika që shkatërroi arsimin, dhe as mësimdhënësit. Faji po hidhet sa në njërën anë e sa në tjetrën. Pagat duhet të rriten, por duam të ketë edhe cilësi si në arsim dhe në çdo sektor tjetër. Duan paga më të mëdha kurse nuk ofrojnë asnjë cilësi, jo vetëm në arsim por edhe në sektorët tjerë. Mjekët duan paga dyfish më të mëdha, por gjithashtu duan të punojnë edhe në sektorin publik edhe në private. Askund në botë nuk ka kështu. Nuk dua ta mbrojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e ligjit për paga, sepse vendimi i tyre mund të ketë edhe ndikim politik dhe tendence për të shkaktuar trazira politike dhe sociale në Kosovë”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Për më tepër, Krasniqi është shprehur se ky ligj i cili është pezulluar nga Gjykata Kushtetuese kishte shumë padrejtësi dhe se Qeveria e re kur të formohet duhet ta rishikojë.

“Por siç e ceka, paga me rritje dhe duam cilësi. E kam pa atë ligj kishte shumë padrejtësi. Dikujt t'i rritet paga për 40 euro, kurse dikujt dyfishi i pagës. Është shumë e padrejtë. Nëse duam të punojmë drejtë pagat duhet të rriten në mënyrë të drejtë. Qeveria e re kur të formohet, urgjentisht duhet që atë ligj ta rishikojnë dhe ta rregullojnë në mënyrë të drejtë. Kurse sindikatat duhet ta ulin bishtin se këtij sistemi shkatërrues edhe ata i kanë kontribuar. Pse askush nuk e ngriti kurrë zërin për sektorin privat, që kanë paga të vogla dhe shtypen nga punëdhënësi. Punojnë mbi 200 ore në muaj dhe marrin 200 euro. Këtu po e shikojnë vetëm interesin personal, por jo edhe interesin e përgjithshëm!”, ka potencuar Krasniqi për “Bota sot”.

Vata: Është jo normale të protestohet kundër vendimit të Gjykatës Kushtetuese

Njohësi i çështjeve juridike, Ilir Vata, në një prononcim për “Bota sot” është shprehur se koha për qetësi në Kosovë dhe jo protesta.

Sipas tij, protestat janë normale ndaj qeverisë së vjetër dhe të re, pro aspak normale ndaj Gjykatës kushtetuese.

Image
Ilir Vata

“Protesta në çdo vend demokratike janë thelbësore dhe janë tregues se demokracia është gjallë, pavarësisht situatës tranzitore që po kalon Kosova, por sa i përket qeverisë së re në pritje. E rëndësishme është që qeveria e re ka gjetur çelësin e kompromisit politik për mandatin e ri qeverisë mes dy forcave kryesore fituese në zgjedhje, por pavarësisht kësaj 82 mijë mësues e mjek, duan respektimin e ligjit në lidhje me rritjen e pagave dhe kjo është një e drejtë e tyre. Por në rastin kur për këtë ligj është shprehur Gjykata Kushtetuese dhe ka shtyrë deri në mars vendimin, atëherë greva duhet të shuhet sepse është normale të bësh protestë kundër qeverisë së vjetër apo të re, po jo normale kundër Gjykatës Kushtetuese që ka detyrimin kushtetuese të shoh kushtetutshmërinë e ligjit për pagat”, ka thënë Vata për “Bota sot”.

Grevat e përmirësojnë qeverisjen

“Situata politike nuk është e favorshme për protesta sepse periudha tranzitore kërkon kohën e vet dhe jo pa qëllim Gjykata Kushtetuese ka lënë muajin mars për tu shprehur, sepse qeveria e re kërkon kohën e vet për të bërë agjendën e saj qeverisëse duke përfshirë dhe dy kategoritë e rëndësishme në Kosovë siç është arsimi dhe shëndetësia”, ka potencuar Vata për “Bota sot”.

Gjithashtu, ai është shprehur se nxitimi për të bërë grevë lë për të dëshiruar, mbase aktorë politik brenda Kosovës, mase dhe jashtë territorit e më gjerë kërkojnë që Kosova të jetë e trazuar në kohën kur kërkohet qetësi.

“Në këtë kuptim, nxitimi për të bërë grevë lë për të dëshiruar, mbase aktorë politik brenda Kosovës, mase dhe jashtë territorit e më gjerë kërkojnë që Kosova të jetë e trazuar në kohën kur kërkohet qetësi.

Mbi të gjitha është shprehur organi më i lart ligjor, Gjykata kushtetuese dhe kur flet drejtësia, protestat janë takuese me ligjin, madje mund të mendohet se janë të provokuara nga ta që kërkojnë ti vënë shkopinj nën rrota formatimit të qeverisë së re që me gjasa ka një këndvështrim tjetër nga qeveria e mëparshme në lidhje me mënyrën e qeverisjes, bisedimet me Serbinë, taksën ndaj mallrave serbe, integrimin evropian dhe marrëdhëniet rajonale dhe veçanërisht me Shqipërinë”, ka përfunduar Vata për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat