Haki Abazi tregon vështirësitë për arritjen e koalicionit dhe zgjidhjen për postin e presidentit

Politika

Haki Abazi tregon vështirësitë për arritjen e koalicionit dhe zgjidhjen për postin e presidentit

Nga: G.B Më: 17 dhjetor 2019 Në ora: 21:29
Haki Abazi dhe Albin Kurti

Që nga shpallja e rezultateve preliminare nga KQZ për zgjedhjet e 6 tetorit, Lëvizja Vetëvendosje si parti fituese dhe LDK si partia e dytë filluan bisedimet për të arritur një marrëveshje koalicioni, për formimin e Qeverisë.

Pavarësisht se u pajtuan për programin qeverisës, partitë nuk po arrijnë të nënshkruajnë marrëveshjen, për shkak të postit të presidentit, post i cili po kërkohet nga LDK.

Lidhur me koalicionin, Haki Abazi, deputet i zgjedhur nga Lëvizja Vetëvendosje, ka thënë për gazetën “Bota sot” se LDK ka insistuar që posti i presidentit të futet në bisedime për koalicion, por është një çështje që nuk po kalohet, pasi LDK nuk po e jep emrin e kandidatit për president, i cili do të duhej të bëhej publik.

“Mandej hapi i pari edhe gjatë procesit është bërë harmonizimi i programit në mes të LVV-së dhe LDK-së, që është një standard i ri i krijuar, që dy subjektet politike kanë folur fillimisht për programin dhe për tu vazhduar mandej në këto 3 ciklet e takimeve deri tani, për ndarjen e përgjegjësive. Këtu sikur ka hasur sharra në gozhdë, meqë LDK ka insistuar që të përfshihet edhe posti i presidentit në negociata. Në parim ne kemi menduar nga VV që duhet të bisedojmë fillimisht për pozitat që krijohen si rezultat i zgjedhjeve dhe është kryeministri që është përcaktuar nga votuesi, mandej kryeparlamentari, pozitat e ministrave, zëvendësministrave, nënkryetarëve të Kuvendit, etj, që si duket deri tani, nuk kemi arritur ta tejkalojmë këtë barrierë në negociata për postin e presidentit, për arsye që unë mendoj është një çështje e një kërkesë që është pranuar nga LVV që të jetë pjesë e diskutimit por gjithsesi emri për presidentin apo presidenten, sepse mund të jetë femër natyrisht, të bëhet publike se për kë po merremi vesh dhe duke e bërë të qartë para publikut, se nuk çështje, nëse nuk ka formulë të largimit të presidentit të tanishëm para kohe, kjo formulë duhet të jetë e aplikueshme dhe e pranueshme me 2021, kur kalon afati i presidentit”, është shprehur Abazi.

Ai thotë se posti i presidentit nuk do të duhej të futej fare në negociata mes partive, pasi presidenti duhet të jetë një figurë jashtë partive, një figurë unifikuese dhe që përfaqëson interesat e qytetarëve.

“Nuk do të duhej as të hapej, meqë koalicioni qeverisës LVV-LDK është i ndërtuar mbi vullnetin e votës, ndërsa presidenti është çështje e Kushtetutës që përcakton se ai ose ajo duhet të jetë një figurë unifikuese, përfaqësuese e të gjithë qytetarëve të Kosovës, që reflekton unitetin e vendit. Në parim kushtetues nuk do të duhej që të jenë partitë ato që caktojnë figura politike, kjo është krijuar nga e kaluara që Thaçi si kryetar i një partie është bërë president që nuk është në rregull, sepse nuk e ka përfaqësuar unitetin e vendit në asnjë formë. Ne duhet ta krijojmë standardin e ri mendoj, por meqë jemi ku jemi tani, në fazën e negociatave, insistimi i  LDK-së ka qenë që presidenti të futet, mendoj se tashmë është e kaluar që a do të duhej apo jo të bisedohet”, ka vlerësuar Haki Abazi për “Bota sot”.

Sa i përket kohëzgjatjes së bisedimeve për marrëveshje, ai thotë se çdo negociatë është e vështirë, por thotë se duhet të bëhet shumë shpejt dhe të mbahet ajo energji pozitive që lindi pas zgjedhjeve dhe të fillohet puno për ato që janë premtuar.

“Çdo negociatë është e vështirë, edhe brenda familjes nëse kemi të bëjmë me një tokë apo diçka, ndërmjet njerëzve që kanë jetuar bashkë, kur vjen çështja tek ndarja e përgjegjësive gjithmonë kanë vështirësi. Tani e ka bërë me më pak durim publikun derisa kishin një proces të stërzgjatur të rinumërimit të votave. Përndryshe, negociata për ndarjen e përgjegjësive nuk është se ka marrë edhe aq shumë kohë, mirëpo të dyja bashkë e bëjnë tepër, por unë mendoj se duhet të bëhet sa më parë, të hiqet të them më tepër një lloj pakënaqësie edhe të mirëmbahet ajo energjia pozitive që lindi pas zgjedhjeve ku për qytetarët përfundoi një etapë e tmerrit, e degradimit të shtetit dhe me shpresën që me LVV do të përfundojë tradita edhe forma e eksploatimit të buxhetit të shtetit për interesa personale, partiake e klanore. Dhe atë energji pozitive që u krijua gjatë zgjedhjeve ne duhet ta mirëmbajmë, e ajo mirëmbahet vetëm kur ne fillojmë me punën dhe tregojmë se vërtetë atë që e kemi premtuar gjatë fushatës elektorale e kemi njëmend në mendje dhe nuk e kemi interesin e individëve, kushdo që është ai”, ka deklaruar Abazi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat