Albin Kurti do të dalë para Serbisë me parime për dialog

Politika

Albin Kurti do të dalë para Serbisë me parime për dialog

Albulena Jahaj Nga Albulena Jahaj Më 10 janar 2020 Në ora: 08:46
Albin Kurti

Dialogu më Serbinë pritet të rifillojë prapë, por më kushte dhe parime krejtësisht të reja nga ato të kaluarat. Kandidati për kryeministër Albin Kurti, tashmë ka bërë me dije se dialogu më Serbinë do të vazhdojë, por që ai është për dialog parimor dhe të përgatitur mirë.

Duket se çështja më e vështirë e qeverisë në ardhje do të jetë ajo e dialogut më Serbinë, pasi që Vetëvendosje është shprehur e bindur se nuk do të lëshoj pe karshi Serbisë kur bëhet fjalë për parime dhe kërkesa që Albin Kurti do t`ia kërkojë, derisa pritet që vet Kurti ta udhëheq dialogun.

Vazhdimi i dialogut më Serbinë është paralajmëruar se mund të rifilloj por më kushtet të cilat kryeministri i ardhshëm mund ti vendos. Albin Kurti ka paralajmëruar se rifillimi i bisedimeve më Serbinë mund të behet por më kushte dhe praktika të reja dhe rishikim i gjithë atyre çka është diskutuar. Në bazë të Kushtetues se Republikës se Kosovës do të veprohet edhe ne bisedimet me Serbinë.

Image
Shpejtim Bulliqi

Në lidhje më këtë deputeti i Vetëvendosjes Shpejtim Bulliqi, ka thënë për gazetën “Bota sot” se nuk e di se si do ecin gjërat pasi fillimisht duhet formuar qeverinë, e pastaj qeveria të zyrtarizojë agjendën e saj rreth politikës se jashtme, përfshirë edhe dialogun me Serbinë.

“Personalisht nuk preferoj që ti bëhen koncesione Serbisë në asnjë fushë, pra jo lëshime ndaj Serbisë, sepse në vitet e para të dialogut me Serbinë, sidomos deri në gjysmën e mandatit të Mogherinit, Kosova kishte bërë lëshime të disfavorshme duke rrezikuar edhe funksionalitetin e shtetit, po që se do të implementoheshin te gjitha. Përfitimet e Kosovës ishin minore nga ato marrëveshje” ka thenë Bulliqi.

Sipas tij, Se kush e udhëheq dialogun, tashmë dihet krejt  në bazë të kompetencave sipas kushtetutës.

“Qeveria Kurti do ta ketë të qartë se si do të veprojë, një gjë e besoj e ajo është se nuk do të ketë veprime të llojit udhëtime në Bruksel, fotografime dhe lëshime të dëmshme siç ishin bërë para disa viteve. Presidenti i ka kompetencat që ia përcakton kushtetuta, asgjë më shumë. E re do të jetë se qeveria e re do të insistoj ti kthejë apo thënë më mirë sjellë në dialog të gjitha temat që padrejtësisht ishin anashkaluar: Të pagjeturit, riparacionet, kërkim faljen që Serbia duhet ta bëjë. Nuk do ta mohoj që e kam përkrahur edhe taksën e vendosur, besoj edhe në reciprocitet të plotë ndaj Serbisë” ka thënë deputeti Shpejtim Bulliqi për “Bota Sot”.

Mirsad Voca njohës i Integrimeve Evropiane ka thënë për “Bota Sot” se viti 2019 ka qenë një vit shumë i dëmshëm edhe në aspektin diplomatik për Kosovën. Politika serbe ka qenë jashtëzakonisht agresive ndërsa diplomacia kosovare ka qenë totalisht pasive dhe për pasojë ka dështuar krahas agresivitetit serb.

Image
Mirsad Voca

Sipas tij, dialogu me Serbinë mund të dështojë vetëm për shkak të qëndrimit serb, që rezulton nga menteliteti i vjetër politik serb i cili vazhdon të jetoj në mohim

“Rifillimi i dialogut varet nga presioni ndërkombëtar, nga qasja e Qeverisë së ardhshme të Kosovës dhe nga qëndrimi serb i cili duket të jetë gjithnjë mohues e agresiv sa i përket afirmimit të Republikës së Kosovës.

Natyrisht, nëse Z. Kurti arrin ta formoj Qeverinë, ai do të ketë qasje tjetër në dialog me Shtetin serb. Megjithatë, dialogu mund të rifilloj përgjatë këtij viti nisur nga fakti se shtetet mike të Kosovës janë duke kërkuar që patjetër të ketë marrëveshje” ka thënë Voca.

Sipas tij, Hashim Thaçi nuk mund të udhëheq bisedimet me Serbinë sepse këtë e ka përcaktuar Gjykata kushtetuese duke theksuar se udhëheqës i bisedimeve mund të jetë vetëm kryeministri i vendit.

“Qasja në bisedime varet po ashtu nga partia politike me të cilën Vetëvendosje arrin koalicion. Nga ky vështrim do të rezultoj një qasje më e qartë nga pala kosovare. Nëse arrihet koalicion LDK/VV, tani ne i dijmë qëndrimet dhe dallimet e LDK-së dhe VV-së sa i përket dialogut me Serbinë dhe së pari duhet të arrihet një qëndrim i përbashkët mes këtyre dy partive lidhur me këtë çështje”, ka shtuar ai.

Njohësi i çështjeve evropiane ka shpejguar se si dialogun do ta vështirësoj kërkesa këmbëngulëse e Serbisë për tërheqjen e tarifës.

“Besoj se nuk duhet të merret ndonjë vendim për tërheqje të tarifës përderisa sidomos nuk ndërmerren masa reciprociteti ashtu siç edhe LDK/VV kanë theksuar më parë.

Në një anë, nuk mund të pritet shumë nga dialogu përderisa pala serbe e kushtëzon dialogun dhe nuk pranon realitetin e Shtetit të Kosovës. Prandaj, siç kam theksuar edhe më parë, prioritet i Qeverisë së ardhshme do të duhej të ishte zhvillimi i vendit, e jo dialogu me Serbinë.

Në anën tjetër, një dialog me Serbinë nuk mund të jetë i suksesshëm nëse rezultati i tij final nuk sjellë njohjen nga Serbia. Dialogu me Serbinë i është imponuar Shtetit të Kosovës sepse Serbia nuk e njeh Kosovën gjë që e vë Kosovën në një pozitë jo favorizuese. Meqë dialogu nuk mund të evitohet, duhet patjetër që të rishqyrtohen të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash dhe të identifikohen marrëveshjet të cilët nuk kanë qenë fare zbatuar nga pala serbe. Sa i përket marrëveshjeve të reja, pala kosovare duhet të kërkoj garancione nga faktori ndërkombëtar që ato të jenë ligjërisht të obligueshme dhe jo që të bëhen disa marrëveshje vetëm formale të cilat do ti mundësonin Serbisë përafrimin e saj me BE-në” është shprehur Mirsad Voca njohës i Integrimeve Evropiane.

Politologu Mentor Tahiri, çështjen e dialogut më Serbinë e ka lidhur edhe më mungesën e njohjeve. Ai ka thënë se bisedimet me Serbinë, pavarësisht se ky është një proces i ngarkuar me emocione dhe pezmatim për shkak të së kaluarës, janë domosdoshmëri.

Image
Mentor Tahiri

“Republika e Kosovës duhet të jenë në kërkim të gjetjes së modaliteteve që subjektiviteti ndërkombëtar të marr formën e plotë. Që nga shpallja e pavarësisë, shihet qartë se izolimi i pjesshëm ndërkombëtar i vendit si pasojë e mosnjohjes nga disa shtete, ka ndikuar keq edhe në vetë stabilitetin e brendshëm politik dhe ekonomik. Sigurisht kur bëhet fjalë për bisedimet me shtetin fqinj, akterët politik në Kosovë, e në radhë të parë bartësit institucional, duhet të plotësojnë të gjitha segmentet ku ka mungesë të një konsensusi brenda Kosovës. Se kush do të udhëheqë me bisedimet, kjo nuk varet thjeshtë nga përzgjedhja e Kosovës. Komuniteti ndërkombëtar diku zyrtarisht e diku thjeshtë jo formalisht, është në cilësinë e mediatorit dhe të vetë organizatorit të bisedimeve. Këtu nuk ka shumë hapësirë për kalkulime, sikur që nuk ka shumë hapësirë as kur bëhet fjalë për tematikën në bisedime. Ajo që është me rëndësi, duhet të jetë serioziteti gjatë përfaqësimit, i cili si i tillë duhet të jetë i mbështetur nga kreu i vendit, ekzekutivi dhe legjislativi. Nëse nuk ka mbështetje të tillë, nuk do të shihemi me seriozitet as nga këndvështrimi ndërkombëtar” është shprehur politologu.

Sipas Tahirit, në rrafsh më të gjerë, duhet kuptuar se raportet në politikën ndërkombëtare në rajon dhe glob, janë më të ndërlikuara se që ishin më parë. Është një momentum i ndjeshëm, në të cilin komuniteti ndërkombëtar s’mund të preokupohet me Kosovën siç e demonstronte më parë. Andaj, bartësit tonë institucional duhet reaguar me takt dhe pa humbur kohë. Ndryshe, rrezikohet që të thellohemi akoma më shumë në “status-quo” të së tanishmes, respektivisht të mbetemi shteti më i izoluar në kontinent.

Ndryshe, sa i përket dialogut me Serbinë, kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, kishte deklaruar: “Dialogu është ndërprerë. Unë jam për dialog parimor dhe mendoj që duhet ky dialog të jetë i përgatitur mirë dhe të mos dështojë. Jam i interesuar që taksën ta zëvendësoj me parimin e reciprocitete. Në të gjitha aspektet me Serbinë duhet të sillemi në mënyrë simetrike. Ajo të njohë dokumentacionin e Kosovës, reciprociteti sa i përket të drejtave të autorit dhe investimeve”.

Albin Kurti, gjithashtu ka thënë se SHBA-të, tanimë kanë marrur rol kryesor në këtë dialog.

“Unë nuk do jem arrogant me opozitën. Do krijoj një ekip negociator bashkë me opozitën dhe nuk do lejoj që Serbia të na përçajë. Dialogun do ta drejtoj unë”, tha Kurti, duke theksuar se presidenti Thaçi nuk do të ketë asnjë rol.

“Këtë dialog do ta udhëheq unë, presidenti do të jetë president. Ai është përfaqësuesi i politikës së jashtme por jo krijues i politikës së jashtme”, deklaroi Kurti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat