Njohësi i integrimeve evropiane tregon si të veprojë Kosova, për liberalizimin e vizave këtë vit

Politika

Njohësi i integrimeve evropiane tregon si të veprojë Kosova, për liberalizimin e vizave këtë vit

Nga: G.B Më: 10 janar 2020 Në ora: 12:58
Ilustrim

Kroacia tashmë ka marrë kryesimin e presidencës së BE-së. E kjo duket të jetë pozitive për Kosovën, sa i përket liberalizimit të vizave.

Ambasadori i Kosovës Gëzim Kasapolli ka thënë se kjo shënon një momentum të cilin Kosova nuk duhet humbur në raport me liberalizimin e vizave.

Por, sa si mund te shfrytëzohet ky momentum nëse vazhdon kriza politike në Kosovë dhe sa ka gjasa që liberalizimi i vizave të ndodhë brenda këtij viti?

Image
Mirsad Voca

Lidhur me këtë, njohësi i integrimeve evropiane, Mirsad Voca, ka thënë për gazetën “Bota sot” se duhet shfrytëzuar këtë vit pasi në krye të BE-së kemi dy shtete mike, por që këto shtete nuk e kanë kundërshtuar asnjëherë liberalizimin e vizave për Kosovën, mirëpo këtë e ka bërë Franca dhe Holanda.

“Pa dyshim se duhet shfrytëzuar këtë vit duke pasur parasysh se kemi dy shtete mike në krye të BE-së (gjashtë mujorin e parë Kroacia e gjashtë mujorin dytë Gjermania). Mirëpo nuk duhet harruar fakti se këto dy shtete nuk e kanë kundërshtuar asnjëherë liberalizimin e vizave paraprakisht, kurse shtete tjera veçanërisht si Franca dhe Holanda kanë insistuar në përmbushjen e kritereve bazë, përmbushja e të cilëve do t’i bënte mirë edhe vet Shtetit të Kosovës”, është shprehur ai.

Sipas Vocës, edhe pse momentumi është i volitshëm, nuk mund të ketë liberalizim të vizave kur vendi ka ngecje.

“Ani pse momentumi është i volitshëm, kur vendi ka ngecje dhe regres institucional e shtetëror, nuk mund të kemi as liberalizim e as përafrim me BE. Kemi pasur edhe momentume tjera të mëparshme mirëpo Qeveritë e mëparshme nuk i kanë shfrytëzuar ato raste të volitshme. Nuk mund te ketë liberalizim nëse vendi gjendet në kriza institucionale sistematike sepse kriter bazë për përafrim me BE, mbetet gjithnjë krijimi afatgjatë i institucioneve të qëndrueshme”, ka vlerësuar Mirsad Voca.

Ai thotë se për të shpresuar për një përafrim me BE-në, duhet fillimisht të formohen institucionet e më pas të luftohen krimi i organizuar, korrupsioni e nepotizmi.
“Për të shpresuar për një përafrim me BE, përfshirë këtu edhe liberalizimin e vizave, së pari nuk duhet stërzgjatur periudha për krijim të Qeverisë së re, e pastaj të luftohen krimi i organizuar, korrupsioni, nepotizmi, e të anohet më shumë kah krijimi i një Shteti ligjor. Këto detyra duhet kryer në afat rekord në mënyrë që të shpresohet për një zhvillim të brendshëm të vendit për t’i hapur rrugën liberalizimit të vizave.  Këto kritere nuk duhet shikuar vetëm si përmbushje kriteresh për liberalizim vizash por si rend i ri institucional e qeveritar”, ka theksuar Voca.

Ai përmend edhe një sondazh për kryer së fundmi, ku 34 për qind e popullës së anketuar, deklarohen se po të kenë mundësinë do të largoheshin nga Kosova, për çka thotë se është alarmante dhe sipas tij, këto sondazhe alarmojnë edhe vendet e BE-së lidhur me liberalizimin e vizave për Kosovën.

“Është dekurajues dhe alarmant fakti që sipas një sondazhi të kryer para disa ditëve, 34% të popullatës së anketuar, deklarohet se po të ketë mundësinë do të largohej nga Kosova dhe nuk do të kthehej më kurrë. Madje, këto sondazhe vëzhgohen nga vendet e BE-së dhe kjo alarmon qeveritë e tyre lidhur me liberalizimin e vizave për Kosovën. Përfundimisht, duhet një lloj dekonstruktimi e rikonstruktimi në zhvillimin e politikave të brendshme qeverisëse e institucionale me qëllim që fillimisht të kthehet besimi tek qytetarët e Republikës së Kosovës”, ka përfunduar Mirsad Voca për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat