“Edi Rama në anën e Serbisë”, kryesimi i OSBE-së nuk pritet do t`i sjellë të mira Kosovës

Politika

“Edi Rama në anën e Serbisë”, kryesimi i OSBE-së nuk pritet do t`i sjellë të mira Kosovës

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 12 janar 2020 Në ora: 08:35
Edi Rama

“Prej disa vitesh diplomacia shqiptare ka pushuar të jetë aktive për integritetin territorial dhe shtetëror të Kosovës. Është një situatë e paprecedentë në historinë tonë kombëtare. Është një politikë katastrofave kjo. Për mua nuk ka asnjë dyshim se, veçmas për Kosovën, Edi Rama punon në anën e Serbisë dhe patjetër që për këto kontribute pro-serbe ai shpërblehet nga qeveria e Serbisë.”, ka thënë profesori ndërkombëtar Enver Bytyçi.

Shqipëria mori të enjten zyrtarisht kryesimin e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE).

“Nis një ditë historike për Shqipërinë, që për herë të parë merr një rol ndërkombëtar me kryesimin e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE)”.

Kështu u shpreh kryeministri Edi Rama, në Vjenë, ku i paraqiti Këshillit të Përhershëm të OSBE-së përparësitë e Shqipërisë.

Mirëpo, ish-zëvendës Presidenti i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Aleksandër Biberaj, e ka porositur kryeministrin shqiptar Edi Rama, që të mos e vendosë presidencën e OSBE-së në shërbim të Presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, por në të mirë të Kosovës.

Por se a do të ndodh kjo apo jo mbetet të shihet në vazhdim.

Njohësit e çështjeve politike vlerësojnë se Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, në krye të OSBE-së nuk do të bëjë asgjë sa i përket Kosovës, madje nuk do të bëjë asnjë përpjekje për anëtarësimin e saj në këtë organizatë prestigjioze.

Sipas tyre, kjo do të thotë se kryeministri i Shqipërisë në rolin e shefit të diplomacisë shqiptare dhe të kryesuesit të OSBE-së nuk ka ndërmend të çlirohet nga pengmarrja e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Duhanaj: Edi Rama mund ta shfrytëzoj posti për ta promovuar pozicionin e Kosovës

Analisti politik Leon Duhanaj, ka thënë se kryesimi në kuadër të organizatave multilaterale është mundësi e mirë, e shtyrjes së agjendave me interes, por pos kësaj ka mundësi promovimi dhe ripozicionimi të shtetit.

Image
Leon Duhanaj

“Teorikisht kjo pozitë e Edi Ramës, do të mund të shfrytëzohej për ta promovuar pozicionin e Kosovës në arenën ndërkombëtare. Në rastin konkret, megjithatë, nuk besoj që kjo kohe do të shfrytëzohet edhe me aq produktivitet. Thjeshtë, po besoj që me shumë do të promovohet mentaliteti i egove personale, se sa që do të ketë ndonjë agjendë të çartë rreth temave të interesit kombëtarë. E them ketë, thjeshtë duke analizuar performancen e gjertanishme politike, e cila më së miri mund të quhet zhgënjyese”, ka thënë analisti politik LeonDuhanaj.

Bytyçi: Kryeministri Rama nuk di t’i gëzojë qytetarët e vendit të tij, pasi energjia e tij ka burim errësirën

Kurse, profesori ndërkombëtar Enver Bytyçi, ka thënë se është normale, ose do të ishte normale, që në rastin e sotëm, kur Shqipëria është tashmë kryesuese e OSBE-së, çdo shqiptar të ndjehej krenar.

Image
Enver Bytyçi

“Është një bërthamë energjie, që brenda vendit nxjerr ligësi, fyerje, marrëzi, e për pasojë përhap trishtim, mërzi, stres, madje dëshpërim. Ndërsa në kryeqytetet evropiane hiqet si demokrat, human dhe artist. Ne e dëgjuam kryeministrin e Shqipërisë kur foli për objektivat e tij në krye të OSBE-së. Foli për parimet e OSBE-së, por nuk përcaktoi ndonjë objektiv në lidhje me Kosovën a Shqipërinë. Foli për konfliktin midis Ukrainës dhe Rusisë dhe me kënaqësi shprehu gatishmërinë e tij për të vizituar Moskën dhe për të takuar presidentin e Rusisë, Vladimir Putin. Mjafton ky fakt për të kuptuar se Edi Rama në krye të OSBE-së nuk do të bëjë asgjë sa i përket Kosovës, madje uk do të bëjë asnjë përpjekje për anëtarësimin e saj në këtë organizatë prestigjioze. Kjo do të thotë se kryeministri i Shqipërisë në rolin e shefit të diplomacisë shqiptare dhe të kryesuesit të OSBE-së nuk ka ndërmend të çlirohet nga pengmarrja e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq”, ka thënë profesori ndërkombëtar Enver Bytyçi.

Ai konsideron se Edi Rama është betuar diku se do ta realizojë zhbërjen e shtetësisë së Kosovës, ndryshe edhe një kryeministër i rëndomtë dhe krejt i paaftë do të bënte ndonjë përpjekje për rritjen e mundësive për Kosovën në raport me OSBE-në.

“Edhe miku im Aleksandër Biberaj, kishte të drejtë në përcaktimin dhe këshillën e tij ndaj kryeministrit të vendit. Ai duhet të ketë gjithashtu informacion informal për shqetësimin që ngre. Por është tragjike kjo situatë, në të cilën ka mbërrit të shfaqet kryeministri ynë në raport me Kosovën. Edhe ish-kryesuesi i OSBE-së, Lajçak, megjithëse ai dhe vendi i tij nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, nuk janë dëshmuar kaq indiferentë ndaj saj. E kam thënë dhe herë tjera: Prej disa vitesh diplomacia shqiptare ka pushuar të jetë aktive për integritetin territorial dhe shtetëror të Kosovës. Është një situatë e paprecedentë në historinë tonë kombëtare. Është një politikë katastrofave kjo. Për mua nuk ka asnjë dyshim se, veçmas për Kosovën, Edi Rama punon në anën e Serbisë dhe patjetër që për këto kontribute pro-serbe ai shpërblehet nga qeveria e Serbisë. Edhe në Moskë, nëse do të shkojë, Edi Rama nuk do të flasë për ndonjë zgjidhje konflikti, aq më pak do të shkojë me ndonjë kritikë për agresionin rus në Ukrainë. Ai ka dëshirë të shkojë në Kremlin e të takohet me presidentin Putin thjesht për kredibilitet ndërkombëtar dhe që të klasifikohet si “udhëheqësi i parë në historinë 6o vjeçare” të Shqipërisë, qe viziton Moskën. Por shkon atje edhe për të dhënë mesazhin dhe për të dhënë garanci se do të jetë besnik i skemave të Beogradit për Kosovën. Do të shfrytëzojë OSBE-në si maskë për të mos u kritikuar për këtë vizitë nga opozita dhe opinioni publik shqiptar”, ka thënë Enver Bytyçi.

Mulliqi: Që të përmbushen detyrimet, Shqipëria duhet së pari të dalë nga bllokada institucionale, dhe seriozisht ta luftojë krimin dhe korrupsionin

Ndërsa, analisti politik Skender Mulliqi, ka thënë se Shqipëria nuk do ta ketë lehtë që të drejtojë me detyrat që dalin nga OSB-ja, kur dihet për gjendjen jo të mirë politike dhe ekonomike,më një demokraci ende të brishtë edhe pse kanë kaluar 30 vite nga diktatura, marrë parasysh edhe problemet më korrupsion dhe krim të organizuar.

Image
Skender Mulliqi

Sipas tij, kryesimin e bën edhe më të vështirë largimi i opozitës nga parlamenti, ku i dogjën mandatet e saj, madje dihet mirë se si funksionin një shtet më sistem thuajse një partiak.

“Të gjitha këto do të bëjnë që Shqipëria si kryesuese e OSB-së, ta vejnë dyshimin serioz që të realizohen objektivat e kërkuara, qe dalin nga kjo organizatë e rëndësishme Evropiane. Që të përmbushen detyrimet, Shqipëria së pari, duhet të dalë nga bllokada institucionale, dhe seriozisht ta luftojë krimin dhe korrupsionin . Është mirë që Shqipëria ka marrë presidencën e OSBE-së, si faktor i rëndësishëm vendimmarrës. Ajo mund të bën shumë se pari për vetën, pa u vu në shërbim të Vuçiqit dhe askujt tjetër, siç po përfolët qysh tash në opinion, madje këtë e kishte thënë edhe ish-zëvendës Presidenti i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Aleksandër Biberaj”, ka thënë analisti politik SkenderMulliqi.

Ai ka thënë se OSB-ja është organizatë në mbikëqyrje dhe sigurisht që askush nuk ka mundësi , bash lehtë ta keqpërdor atë.

“Shqipëria duhet t`i mbrojë interesat e saja dhe të Kosovës në rajon edhe pse shumë është zvetnuar besimi në kryeministrin Rama, pas organizimit te tubimeve për Minishengen të ngutshëm, dhe roli i tij ne ndarjen e Kosovës mbi baza etnike, ashtu si edhe u krijua bukur shume bindja te shumica e shqiptareve. Në këtë kontest do të duhej të mbrohen edhe interesat e Kosovës, e cila ende nuk i ka formuar organet e reja, të dala nga vota e lirë, si dobësi e madhe e saj në vetëqeverisje, krejt pas luftën. Me Kryesimin e OSBE do te ishte e udhës që të fillon një kapitull i ri për shqiptarët, një rol i ri, të cilin kurrë më parë se kemi pasur në skenën ndërkombëtare”, ka thënë analisti politik SkenderMulliqi.

Shahu: Edi Rama ka tejkaluar dashurinë për Vuçiqin dhe gati e ka shpallëengjëll dhe bamirës të Ballkanit

Ndërsa analisti politik Rexhep Shahu, ka mëdyshje se Edi Rama nuk do ta përdorë postin e Shqipërisë si kryesuese e OSBE-së për Kosovën, pasi sipas tij Edi Rama ka hallet e veta, dhe Kosova, është dëshmuar tashmë prej Ramës, se nuk është prioritet kombëtar i tij, ndonëse ka qenë për pragmatizëm në raste fushatash politike zgjedhore në Shqipëri.

Image
Rexhep Shahu

“Edi Rama nuk besoj se do të angazhohet për Kosovën pasi ai do ta përdorë këtë rast si kreu i radhës i OSCE –së për fatin e tij politik, për zgjedhjet e radhës në Shqipëri, për forcimin e pozitave të tij politike, derisa faktori vendimmarrës ndërkombëtar ti hedhë sytë e vëzhgimit nga Shqipëria që ka rrëshqit nga shinat e demokracisë ku janë zhvilluar votime një partiake, ku shtypi është nën kontroll qeveritar, ku nuk ka opozitë dhe është blerë një grup individësh dhe janë graduar nga Edi Rama si opozitë”, ka thënë analisti politik Rexhep Shahu.

Ai më tutje ka shtuar se duhet të ishte fat edhe për Kosovën që Shqipëria kryeson OSCE-në, por Edi Rama nuk e ka kostumin e liderit politik patriot pasi e ka fokusuar punën e tij, në

përmirësimin e imazhit të Serbisë dhe presidentit serb për tu paraqitur të dy si djem të mirë që i duhen Amerikës, duke futur në mes tyre edhe presidentin Thaçi.

“Nga dashuria e madhe për karrierën e tij Rama, ka tejkaluar dashurinë për Vuçiqin dhe gati e ka shpalle engjëll dhe bamirës të Ballkanit. Z. Biberaj duke e pare këtë pasqyrë sjellje përulëse të Edi Ramës në raport me Serbinë, dhe këshillon Ramën që të mos përdorë edhe postin e Shqipërisë në OSCE në shërbim të Serbisë për ta shitur si Engjëll Serbinë para shqiptarëve”, ka thënë analisti politik Rexhep Shahu.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat