Drejtësia e mohuar për masakrën e Reçakut, kriminelët serbë ende të lirë

Politika

Drejtësia e mohuar për masakrën e Reçakut, kriminelët serbë ende të lirë

Valon Rogova Nga Valon Rogova Më 15 janar 2020 Në ora: 08:02
Masakra e Reçakut

Këto ditë po shënohet edhe 21 vjetori i masakrës së Reçakut, me ç’rast në këtë përvjetor, ka ardhur edhe ish-përfaqësuesi i OSBE-së, Wiliam Walker.

Më 15 janar 1999, forcat ushtarake dhe policore të Serbisë, vranë 45 civilë shqiptarë në fshatin Reçak të komunës së Shtimes.

Të hënën, ambasadori amerikan dhe dëshmitari kryesor i Masakrës së Reçakut, Wiliam Walker, në përgjigje të një deklarate lidhur ngjarjen e tmerrshme të kundër shqiptarëve, e krahasoi presidentin e sotëm të Serbisë, Aleksandër Vuçiq me Milosheviçin. Ishte një krahasim, i cili i shkon plotësisht për shtat qëndrimeve të kreut të shtetit të Serbisë, sepse ai po sillet ndaj shqiptarëve dhe ndaj Kosovës njësoj si edhe ish-shefi i tij, ai që mori nofkën, kasapi i Ballkanit.

Sido që të jetë, ajo që është e dhimbshme, është se edhe sot e kësaj ditë, d.m.th pas gjithsej 21 vitesh, kryesit e kësaj masakre të rëndë, nuk janë asgjë kundi. Një vepër si kjo, që lirisht mund të themi është gjenocid, askush s’u dënua.

Deklaratë e përbashkët e Ambasadorëve të Quintit

Të kujtojmë këtu se Ambasadorët e Quintit kanë dalë me një deklaratë të përbashkët me rastin e 21-vjetorit të njërës prej masakrave më të tmerrshme të kryera nga ish-regjimi millosheviqian në Kosovë, ajo e Reçakut.

Përmes kësaj deklarate, ambasadorët kanë thënë se nderojnë kujtimin për ata që humbën jetën në Reçak, përcjell Bota sot.

Në këtë përvjetor, ata kanë thënë se Qeveria e Kosovës dhe ajo e Serbisë duhet të sigurojnë që viktimat dhe familjet e tyre të kenë qasje të plotë në drejtësi dhe në informatat për fatin e më të dashurve të tyre.

“Njëzet e një vjet më parë, masakra që ndodhi në Reçak përfundimisht bëri që aleatët e NATO-s të ndërhyjnë dhe ti japin fund një katastrofë humanitare.

Ne e nderojmë kujtimin e atyre që humbën jetët në Reçak dhe masakrat e tjera në Kosovë dy dekada më pare, duke punuar së bashku për të ndërtuar një të ardhme të paqes, drejtësisë dhe mirëqenies për brezat e ardhshëm.

Qeveria e Kosovës dhe qeveria e Serbisë duhet të sigurojnë që viktimat dhe familjet e tyre kanë qasje të plotë në drejtësi dhe në informatat për fatin e më të dashurve të tyre. qytetarët e të gjitha etnive dhe besimeve ndjehen si në shtëpi dhe të lirë për të jetuar, punuar dhe besuar në paqe me fqinjët e tyre. Siç edhe thotë Deklarata e Pavarësisë së këtij vendi, Kosova është një vend "i përkushtuar për të përballuar trashëgiminë e dhimbshme të së kaluarës së fundit në një frymë pajtimi dhe faljeje. Të përkushtuar për mbrojtjen, promovimin dhe nderimin e larmisë së popullit tonë.” Qëllimi ynë i përbashkët është të mbështesim vazhdimisht Kosovën në këtë rrugë”, thuhet në deklaratë.

Dauti: Kalimi kohës ka edhe domethënien e zbehjes së mundësisë për dënimin e autorëve të krimeve

Image
Daut Dauti

Ndërkohë, publicisti Daut Dauti, për “Bota sot”, deklaroi se masakra e Reçakut është njëra ndër ngjarjet tragjike dhe monumentale, për shkak se kjo inicioi intervenimin e NATO-s në Kosovë.

Me gjithë, sipas tij, e dhimbshmja, është se përkundër kësaj, Kosova, fatkeqësisht nuk ka bërë asgjë në drejtim të ngritjes së akuzës që do t’i sillte përpara drejtësisë kryesit.

“Masakra e Reçakut është ndër ngjarjet tona tragjike dhe monumentale për shkak se inicioi intervenimin ushtarak të NATO-s në Kosovë. Përkundër kësaj rëndësie dhe përkundër ekzistimit të fakteve Kosova nuk ka bërë asgjë në drejtim të ngritjes së një akuze që do t’i sillte para drejtësisë planifikuesit dhe ekzekutuesit e këtij krimi. Gjatë këtyre 21 viteve do të duhej që të gjykoheshin të gjitha këto raste por është bërë fare pak në këtë drejtim. Kalimi kohës , për fat të keq, ka edhe domethënien e zbehjes së mundësisë për dënimin e autorëve të krimeve. Tashti shihet se sa e domosdoshme ka qenë krijimi i një organi qeveritar menjëherë pas luftës që do të merrej me këtë punë”, tha ai.

Sipas tij, individët që duheshin të merreshin më këtë çështje, më shumë u përkujdesën të pasurohen se të bëjnë diçka konkrete në këtë drejtim.

“E pra, kanë dashtë me ba pare e me i lanë anash ata që kanë kryer krime. Me fitu si individ e me humbë si kolektivitet”, përfundoi Daut Dauti.

Shahu: Nuk u bë asgjë për vënien e kriminelëve para drejtësisë

Image
Rexhep Shahu

Publicisti dhe analisti Rexhep Shahu, u shpreh se asnjëherë Kosova dhe as Shqipëria nuk janë marrë me ndonjë padi konkrete kundër Serbisë, veçmas për rastin e Reçakut.

“Asnjëherë nuk është marrë Kosova e as Shqipëria me padi kundër Serisë apo kundër kriminelëve serb në dy dekadat që kaluan pas luftës në Kosovë. Zëra të ndryshëm shpesh herë në këto 20 vite kanë thirr që të paditet Serbia, të del në gjyqe ndërkombëtare për krimet dhe masakrat e ndodhura, por zyrtarët e pushtetarët e Kosovës e qe besa edhe të Shqipërisë nuk kanë bërë asgjë”, tha ai.

Sipas tij, zyrtarët shtetëror të Kosovës, janë frikësuar përballë Serbisë.

“Ideja është se këta, iu kanë frikësuar Serbisë. Dihen krimet në Kosovë: Mijëra të vrarë, të zhdukur e të dhunuar. Mijëra jetë njerëzish të humbur e mijëra fëmijë, pleq, gra e miliarda dëmi material. Sa më shumë kalon koha aq më e zbehtë bëhet vepra kriminale dhe aq më e pa peshë bëhet padia kundër Serbisë. Ndoshta për këtë qëllim edhe janë vonuar qeveritë shqiptare në Prishtinë e Tiranë”, tha ai.

Bytyçi: Masakra ishte e tmerrshme, por ka pengesa deri tek ushtrimi i padisë

Image
Enver Bytyçi

Nga ana tjetër, profesori ndërkombëtar Enver Bytyçi, për “Bota sot”, se është shumë e nevojshme të niset një diskutim për krimet serbe në Kosovë. Jo thjesht për të përkujtuar dhe mos harruar.

Sipas tij, më së shumti për të formuluar një qëndrim të qartë e të arsyeshëm sa i përket masakrave dhe krimeve të tmerrshme që ushtria e policia e Milosheviçit dhe e Vuçiqit kanë kryer ndaj shqiptarëve në Kosovë.

“Ka ndodh diçka e tmerrshme në konfliktin e fundit në qytetet e Kosovës. Qindra varre masive, qindra fshatra e dhjetëra qytete të djegura, mijëra viktima të asgjësimit serb dhe mijëra të tjera të përdhunimit serb. Të gjitha këto u bënë në emër të një çmendurie për krijimin e Serbisë së Madhe. Sot jemi 21 vite më pas. Kthejmë kokën dhe shohim nëna pa djemtë, gra pa burra, fëmijë pa baba, vëllezër pa vëllanë, gra dhe vajza që ende vuajnë skenat e përdhunimit. Vetëm dëmet materiale janë riparuar dhe fatkeqësisht në Kosovë nuk kanë lënë asnjë cep lagjeje në gjendjen që e lanë serbët në qershorin e vitit 1999 si dëshmi e dhunës, krimeve dhe gjenocidit serb në Kosovë”, tha ai.

Më tej, Bytyçi, shtoi se dy dekada më vonë e dhimbshme të diskutohet nëse duhet të kërkohet dëmshpërblim nga Serbia për dëmet dhe krimet e saj në Kosovë.

“E drejta morale është në favor të kërkesës këmbëngulëse për dëmshpërblim nga ana e Beogradit. Sepse krimet serbe në Kosovë kishin një platformë politike, kishin një program gjenocidi, ishin të planifikuara, u drejtuan sipas një skeme të hartuar në shtabin e përgjithshëm të ushtrisë së Serbisë. Ato krime u bënë me urdhër të kreut të shtetit të Serbisë. Pra nuk ishin pjesë e një lufte civile etnike të paorganizuar dhe spontane. Në këto kushte dëmshpërblimi mund të provohet lehtësisht në çdo gjykatë ndërkombëtare”, tha Bytyçi.

Megjithatë, sipas profesorit, ka edhe disa pengesa.

Ai, shtoi se paditë për dëmshpërblime, sipas së drejtës ndërkombëtare i bëjnë shtetet e njohura dhe anëtare të OKB-së.

“Kosova nuk është ende pjesë e OKB-së. Ndaj ajo nuk mund të paraqesë asnjë padi për dëmshpërblime nga ana e Serbisë, derisa të bëhet anëtare e Lidhjes së Kombeve. Kjo është arsyeja kryesore pse diplomacia e Beogradit investon miliona dollarë për të korruptuar shtetet e brishta afrikane për tërheqjen e njohjeve, ashtu siç edhe Pacolli i joshi këto vende për ta njohur shtetësinë e Kosovës, pa qenë ministër i jashtëm, madje në konkurrencë me Enver Hoxhajn. Por kur Pacolli ushtroi detyrën e ministrit të Jashtëm nuk solli asnjë njohje. Përkundrazi, Daçiçi e sfidoi me të njëjtat mjete.

“Por a do të ndodhë që Kosova ta padisë Serbinë në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës për dëmshpërblime kur ajo të bëhet anëtare e OKB? Hyrja e Kosovës në bisedime me Beogradin pas shpalljes së pavarësisë mendoj se kishte si qëllim që përmes një marrëveshjeje midis dy vendeve, Prishtina të heqë dorë nga kjo kërkesë, d.m.th të angazhohet se nuk do të kërkohet dëmshpërblime për krimet serbe në Kosovë. Ky është një ndër kushtet që ka vënë Beogradi për t’i dhënë fund konfliktit midis dy vendeve”, tha Bytyçi.

Më tej, profesori, shtoi se nëse gjykojmë faktin se pavarësia e Kosovës nuk është produkt i së drejtës ndërkombëtare për shkëputje, por është produkt i krimeve serbe në këtë vend, atëherë duhet të besojmë se nën presionin ndërkombëtar institucionet e Prishtinës mund të pranojnë kushtin serb. Por unë mendoj se nëse arrihet deri te ky kompromis do të duhet të realizohen disa kushte:

“Së pari, Beogradi zyrtarisht, përmes një rezolute të parlamentit, duhet të kërkojë ndjesë për këto krime dhe të deklarojë heqjen dorë nga sovraniteti serb në Kosovë. Së dyti, duhet një referendum për të provuar nëse shqiptarët, viktima të Serbisë e pranojnë kushtin serb të faljes së dëmeve ose jo. Nuk kanë tagër autoritetet e shtetit të falin apo të shesin gjakun e dëshmorëve dhe viktimave serbe në Kosovë. Së treti, duhet të venë si kusht që asnjë lëshim tjetër të mos pretendohet nga ana e Serbisë në këmbim të njohjes nga ana e saj të shtetësisë së Kosovës”, përfundoi ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat