Padia e Ramës ndaj Haradinajt, profesori Kelmendi: Akuzat janë skandaloze dhe antishtetërore

Politika

Padia e Ramës ndaj Haradinajt, profesori Kelmendi: Akuzat janë skandaloze dhe antishtetërore

Nga: G.B Më: 16 janar 2020 Në ora: 16:55
Ramush Haradinaj dhe Edi Rama

Në 21 vjetorin e masakrës së Reçakut, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dërgoi padi në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ndaj kryeministrit në detyrë, Ramush Haradinaj për shpifje.

Lidhur me këtë, Haradinaj ka thënë se do të përgatisë përgjigje në padi, të cilën e ka quajtur të pabazuar.

“Unë, sipas ligjit, do të përgatis përgjigje në padi, në afatet e përcaktuara ligjore! Padia e Kryeministrit Rama është plotësisht e pabazuar dhe një diverzion politik që bëhet nga ana e tij, që të fshihet pas dramave mediale dhe t’i ikë përgjegjësisë. Kombi ynë dhe Kosova ka njerëz që i dalin zot në çdo kohë”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Image
Muhamet Kelmendi

Lidhur me këtë, profesori dhe njohësi i çështjeve juridike, Muhamet Kelmendi, ka thënë për gazetën “Bota sot” se është për të ardhur keq që të ngritët një padi e tillë në një ditë të rëndësisë së madhe, me akuza skandaloze.

“Është për të ardhur keq se një Kryeministër i Shqipërisë ngritë padi kundër një Kryeministri tjetër për gjëra politike dhe të rëndësisë së madhe. Por, edhe kjo ndodhë. Padia ka mbërritur. Akuzat janë skandaloze dhe tipike antishtetërore. Pavarësisht kësaj, padia është bërë”, është shprehur ai.

Sipas Kelmendit, tani mbetet që pretendimet e Ramës të vërtetohen me fakte dhe dëshmi.

“Tash mbetet që pretendimet e Edi Ramës me fakte dhe me dëshmi të vërtetohen në kuadër të procedurës gjyqësore që do të zhvillohet në Gjykatën Themelore të Prishtinës. Në këtë kuadër, nëpër takime kanë qenë shumë dëshmitarë, ka edhe regjistrime dhe të dhëna tjera që flasin për të dhënat dhe kundër të dhënave që po i pretendon Rama. Haradinaj ka avokat dhe nëpërmjet tyre do të shpalosë dëshmitë dhe faktet që ka pretenduar. Kjo është edhe për Rama”, ka theksuar Kelmendi.

Ai ka thënë se e vërteta duhet të triumfojë mbi fakte dhe dëshmi të qartë.

“Tash mbetet të presim procedurën  gjyqësore dhe dënimin e fundit. Dëshiroj që e vërteta të triumfojë në çështjen e tillë, sepse shumë është deklaruar ndarja dhe ruajtja e tërësisë territoriale, sikundër edhe përpjekjet titanike të Haradinaj për ruajtjen e shtetit të Kosovës. Të shpresojmë në drejtësi mbi fakte dhe dëshmi të qarta”, ka deklaruar profesori Muhamet Kelmendi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat