Vrasja frikësuese e Nazmi Rrustemit, a po u rrezikohet jeta dëshmitarëve të Speciales

Politika

Vrasja frikësuese e Nazmi Rrustemit, a po u rrezikohet jeta dëshmitarëve të Speciales

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 16 janar 2020 Në ora: 20:13
Gjykata Speciale

Vrasja e Nazmi Rrustemit në dhjetor të vitit të kaluar afër Liqenit të Badovcit, mendohet të jetë bërë me qëllim pasi ky i fundit raportohet se ishte dëshmitar i mbrojtur i Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

Edhe pse dyshimet e para të vrasjes së Rrustemit mendoheshin se kishin lidhje me profesionin (inspektori i pyllit) që ky i fundit e ushtronte tash e sa vite, tashmë rasti në fjalë ka marrë një kah tjetër

Sipas familjarëve të të ndjerit, Nazmi Rrustemi kishte qenë dëshmitar i Zyrës së Prokurorit të Specializuar, dhe tre muaj para se të gjendej i vdekur ai ishte intervistuar nga hetues të speciales në cilësinë e dëshmitarit.

Lidhur me këtë rast, gazeta “Bota sot”, ka kontaktuar zyrtarë nga Gjykata e Speciale për të marrë informacione mbi pretendimet e familjes.

Nga Specialja kanë thënë se mbrojtja dhe mbështetja e dëshmitarëve është një ndër prioritetet më madhore të Dhomave të Specializuara të Kosovës dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar, derisa për rastin në fjalë kanë thënë se nuk i komentojnë spekulimet e medieve.

Kurse për avokatin e njohur, nëse vërtetohet se Rrustemi ishte dëshmitar i mbrojtur, atëherë ky është lëshim nga Gjykata Speciale.

Ndërsa, nga ana tjetër, eksperti i sigurisë konsideron se nuk është mirë që në këtë fazë të hetimeve të kemi deklarata apo prononcime nga ana e familjareve për publikun të cilët eventualisht mund të pengojnë apo të orientojnë hetimin në një drejtim të gabuar.

Përgjigja e Dhomës së Specializuar

“Bota sot”, ka kontaktuar Dhomën e Specializuara për Media në Kosovë, ku këta të fundit në një përgjigje elektronike kanë deklaruar se masat për mbrojtjen e dëshmitarëve janë në përputhje me standardet më të larta ndërkombëtare, dhe një zyrë e posaçme garanton sigurinë, mbrojtjen dhe mirëqenien e tyre.

“Mbrojtja dhe mbështetja e dëshmitarëve është një ndër prioritetet më madhore të Dhomave të Specializuara të Kosovës dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar. Masat për mbrojtjen e dëshmitarëve janë në përputhje me standardet më të larta ndërkombëtare, dhe një një zyrë e posaçme garanton sigurinë, mbrojtjen dhe mirëqenien e dëshmitarëve para, gjatë dhe pas procesit gjyqësor”, kanë thënë nga Dhoma e Specializuar për Media në Kosovë.

Kurse, në pyetjen se si e komentojnë vrasjen e inspektorit të pyllit në Komunën e Prishtinës, Nazmi Rrustemt, për të cilin, u raportua se ishte dëshmitar i Gjykatës Speciale, ata janë përgjigjur se nuk janë në gjendje që të komentojnë në këtë çështje.

“Nuk jemi në gjendje që të komentojmë në këtë çështje”, thuhet në përgjigjen elektronike nga Dhoma e Specializuara për Media në Kosovë.

Bennet: Siguria e dëshmitarëve është parësore

Edhe Chris Bennet nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në një përgjigje për gazetën “Bota sot”, ka thënë se siguria e dëshmitarëve për Gjykatën Speciale është parësore.

Ndërsa, sa i përket asaj se Nazmi Rrustemi është dëshmitari i Tribunalit Special, Bennet ka thënë se nuk i komenton spekulimet e medieve.

“Faleminderit për mesazhin tuaj. Siguria e dëshmitarëve ka përparësi për Zyrën e Prokurorit të Specializuar. Ģjithashtu, Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk komenton spekulimet e mediave”, ka deklaruar Chris Bennet.

Avokati: Nëse vërtetohet se i ndjeri ka qenë dëshmitar i mbrojur, atehërë ky është një lëshim i Speciales

Për ta komentuar këtë rast, gazeta “Bota sot”, ka kontaktuar edhe avokatin e njohur në Kosovë.

Image
Skender Musa

Avokati Skender Musa, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se dëshmitari i mbrojtur asnjëherë nuk të jetë një emër i njohur për publikun.

“Dëshmitari i mbrojtur nuk duhet të jetë një emër i njohur për opinionin publik, e sidomos për ata të cilët mund të jetë të akuzuar ose të dyshuar nga Gjykata Speciale”, ka thënë avokati Musa.

Tutje, ai ka theksuar gjithashtu se nëse vërtetohet se personi në fjalë ka qenë dëshmitar i kësaj gjykate, atëherë ky është një lëshim i këtyre të fundit.

“Nëse vërtetohet se i ndjeri ka qenë dëshmitar i mbrojtur, atëherë ky është lëshim nga Gjykata Speciale”, ka deklaruar avokati Skënder Musa, për gazetën “Bota sot”.

Shala: Nuk është mirë që në këtë fazë të hetimeve të kemi deklarata nga ana e familjareve

Image
Drizan Shala

Ndërsa, eksperti i sigurisë, Drizan Shala, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, fillimisht ka shpjeguar se si janë të rregulluar me ligj procedurat e dëshmitareve të mbrojtur.

Sipas Shalës, në rast me Gjykatën Speciale, institucionet e sigurisë vendore nuk konsultohen me arsyetimin që gjatë procedurën hetimore identiteti i dëshmitareve edhe mund të dekonspirohen.

“Në lidhje me procedurën e dëshmitareve të mbrojtur në një procedurë hetimore-gjyqësore kjo është e rregulluar më ligjin nr. 04/L-015 për mbrojtjen e dëshmitarëve. Sipas ligjit në fjalë drejtoria për mbrojtjen e dëshmitareve është njësi organizative e specializuar nën vartësi të drejtpërdrejtë të drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Kosovës, misioni i së cilës është zbatimi i masave të mbrojtjes së dëshmitarëve. Ndërsa në rast me Gjykatën Speciale, institucionet e sigurisë vendore (drejtoria për mbrojtjen e dëshmitareve) nuk konsultohen me arsyetimin që gjatë procedurën hetimore identiteti i dëshmitareve mund të dekonspirohen dhe t’u rrezikohet jeta e tyre dhe familjareve të tyre”, ka thënë eksperti Shala.

Tutje, ai treguar se në procedurën hetimore nga Gjykata Speciale ekziston një njësi sikur ajo e Kosovës për mbrojtjen e dëshmitareve e cila bënë vlerësimin e rrezikshmërisë.

“Në procedurën hetimore nga Gjykata Speciale ekziston një njësi sikur ajo e Kosovës për mbrojtjen e dëshmitareve e cila bënë vlerësimin e rrezikshmërisë dhe e cila vepron konfromë ligjit për mbrojtjen e dëshmitareve, por në një dimension më të gjerë duke pasur parasysh që ky institucione ka në dispozicion gjithë aparaturën e policisë se anëtarëve të BE-së për të siguruar jetën e qytetarëve të cilët janë klasifikuar si dëshmitar të mbrojtur”, ka shtuar ai.

Kurse, lidhur me rastin e vrasjes se inspektorit të pyllit, eksperti ka theksuar se nuk është mirë që në këtë fazë të hetimeve të kemi deklarata apo prononcime nga ana e familjareve për publikun të cilët eventualisht mund të pengojnë apo të orientojnë hetimin në një drejtim të gabuar.

“Sa i përket rastit të vrasjes se inspektorit të pyllit nga Komuna e Prishtinës, duhet që të pritet mbyllja e hetimeve nga ana e Policisë së Kosovës dhe të vlerësohen motivet e vrasjes dhe tek atëherë nëse konstatohet që personi një fjale është vrarë si pasojë e ndonjë procesit hetimore nga Gjykata Speciale, duhet që në ketë drejtim të orientohet procedura penale për të ndëshkuar organizatorin e vrasjes. Nuk është mirë që në këtë fazë të hetimeve të kemi deklarata apo prononcime nga ana e familjareve për publikun të cilët eventualisht mund të pengojnë apo të orientojnë hetimin në një drejtim të gabuar, por të jenë bashkëpunues më organet e rendit në gjetjen e kryesit të veprës penale”, ka thënë Drizan Shala, ekspert i sigurisë, për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat