Padia e Ramës kundër Haradinajt, me qëllime meskine kundër legjitimitetit të Kosovës

Politika

Padia e Ramës kundër Haradinajt, me qëllime meskine kundër legjitimitetit të Kosovës

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 18 janar 2020 Në ora: 08:23
Ramush Haradinaj dhe Edi Rama

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dërgoi padi në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ndaj kryeministrit në detyrë, Ramush Haradinaj për shpifje.

Rama, këtë e ka bërë pikërisht në përvjetorin e 21-të të masakrës së Reçakut.

Haradinaj përveç akuzës për shpifje mbi “Idenë e shkëmbimit të territoreve”, akuzohet edhe për deklarimet se homologu i tij shqiptar, Edi Rama këtë po e bën për përfitime personale.

Në padi përmendet emisioni 360 shkallë ku specifikisht thuhet: “Haradinaj ka akuzuar në mënyrë specifike paditësin (Ramën) se është angazhuar në projektimin dhe i ka dhënë mbështetje “Idesë së korrigjimit të kufijve” në shkëmbim të një interesi financiar” pra korruptiv që sipas të paditurit (Haradinaj) personifikohet në të ardhura të nga një pjese të minierës së Trepçës që gjendet në veriun e Republikës së Kosovës”.

Kjo pjesë ka një vlerë prej “10 miliardë euro” dhe sipas të paditurit (Haradinaj) këto para do të “Ndahen në mes Presidentit Thaçi, Kryeministrit Rama dhe Presidentit serbe Aleksandër Vçiç”, shkruhet në padinë e Ramës.

Me këtë Rama përmes padisë pretendon se “bëhet fjalë për akuza të karakterit nga më të rëndë penal drejtuar paditësit për “tradhti” e pikërisht “të interesave madhorë mbarë kombëtare” për shkaqe nga më flagrantet e banale si “përfitimi personal material- si dhe nga mënyrë se si janë thënë, të lënë të kuptosh që flitet për një ngjarje konkrete, të vërteta e të provuara si të tilla, duke mos lënë asnjë mundësi për publikun që të mendojë të kundërtën dhe të bëjë vlerësimin e tij”, thuhet në padi.

Lidhur me këtë, Haradinaj ka thënë se do të përgatisë përgjigje në padi, të cilën e ka quajtur të pabazuar.

“Unë, sipas ligjit, do të përgatis përgjigje në padi, në afatet e përcaktuara ligjore! Padia e Kryeministrit Rama është plotësisht e pabazuar dhe një diverzion politik që bëhet nga ana e tij, që të fshihet pas dramave mediale dhe t’i ikë përgjegjësisë. Kombi ynë dhe Kosova ka njerëz që i dalin zot në çdo kohë”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Reagime të shumta ka pasur në lidhje me padinë.

Padia do të përdoret nga Serbia për propagandë

Avokati Tomë Gashi ka thënë se padia ishte e paralajmëruar edhe më herët nga Rama nuk kjo nuk ka ndikim në raportet mes të dyja vendeve.

Image
Tomë Gashi

“Padia e kryeministrit Rama ka qenë e paralajmëruar shumë më herët dhe ai ka deklaruar se do ta padis Ramush Haradinajn për shkak të deklaratave të tij, që Rama i konsideron gënjeshtra dhe Rama e ka vërtetuar se i mbanë fjalët. Dhe padia e paralajmëruar nuk ka asnjë ndikim në raporte vëllazërore mes Shqipërisë dhe Kosovës.

“Rama ka deklaruar se lekët që do t’i fitojë nga gjykata do t’i japë për bamirësi, kështu që kjo është një spektakël i paralajmëruar që nuk ka pasur se si mos të ndodhë kështu pasi që ka qenë e paralajmëruar dhe pasi që Rama është ndier i fyer. Rruga që ka zgjedhur Rama është më e civilizuar sepse sipas tij ofendimi i Haradinajt ka qenë i rëndë dhe i pavërtetë. Tani kjo çështje është çështje që fare lehtë vërtetohet sepse të gjitha deklaratat e Haradinajt dhe Ramës janë publike në media”, është shprehur ai.

Sipas Gashit, padia do të përdoret nga Serbia për propagandë, kinse raportet mes Kosovës e Shqipërisë janë të ftohta, por që ne jemi dy shtete me një komb dhe sipas tij shpejt do të jemi një shtet i vetëm.

“E sa i përket Serbisë ajo do ta përdorë këtë padi në propagandë se kinse raportet e Shqipërisë dhe të Kosovës janë të ftohta, gjë që nuk është aspak e vërtetë. Ne jemi si komb me dy shtete dhe do të bëhemi një komb me një shtet. Rama dhe Haradinaj do të harrohen shumë lehtë nëse nuk punojnë në këtë drejtim. Dhe kjo është edhe një arsye që ditë më të mira do të vijnë për të gjithë shqiptarët me Albin Kurtin kryeministër të Kosovës”, ka deklaruar Tonë Gashi për “Bota sot”.

Smaka: Mund të dëmtohet reputacioni i shteteve tona

Image
Prof. Dr. Riza Smaka

Ndërsa, profesori Riza Smaka, ka thënë për gazetën “Bota sot” se Rama dhe Haradinaj do të duhej t’i diskutonin burrërisht vërejtjet e ndërsjella por jo edhe publikisht, pasi këto mund të dëmtojnë reputacionin e të dyja shteteve.

“Ofendimet, fyerjet janë akte kriminale të sanksionuara juridikisht. Në rastin konkret nuk do të rekomandoja që Kryeministri i Shqipërisë të akuzojë Kryeministrin e Kosovës për kinse kryerjen e aktit të inkriminuar nëpërmjet fyerjes nga se apriori në atë mënyrë mund të dëmtohet reputacioni i shteteve tona dhe se të njëjtët do të ishte dashur që burrërisht t'i diskutonin vërejtjet e ndërsjella por jo edhe publikisht”, ka deklaruar profesori Smaka.

Gjini: Rama nuk ka kundër argumente

Kurse, avokati Gent Gjini, duke folur për “Bota sot”, e vlerëson të padrejtë padinë ndaj Haradinajt.

Image
Gent Gjini

“Padia e parashtruar nga ana e kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, ndaj palës se paditur këtu kryeministrit Ramush Haradinaj, unë si avokat, në aspektin ligjor e vlerësoj si të pa qëndruar dhe të padrejtë, kjo sepse si shqyrtim kryesor në vete ajo ka shpifjen, ku kryeministri Edi Rama pretendon se është dëmtuar me prezantimin e fakteve të rrejshme, jo të vërteta nga kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj”, është shprehur ai.

Sipas Gjinit, në aspektin procedural secili ka të drejtë ta parashtrojë por si kategori juridike dallon nga shpifjet e rëndomta.

“Si padi në aspektin procedural, secili qytetar, individ, politikan, apo zyrtar ka të drejtë të parashtrojë, dhe ta shfrytëzojë këtë të drejtë ligjore, kur mendon se ndaj tij diçka është shpifur,Por shpifja si kategori juridike dallon dukshëm esencialisht nga shpifjet e rëndomta. Kjo sepse për të ekzistuar shpifja dhe për tu provuar ajo duhet provë, fakt për tu argumentuar e kundërta e shpifjes, përkatësisht e vërteta”, ka shpjeguar avokati Gjini.

Ai ka thënë se Rama kishte paralajmëruar padi për shpifje por që nuk ka prezantuar argumente.

“Me aq sa kemi informacion kryeministri Edi Rama, në prezantimet në media kishte deklaruar se do parashtrojë padi për shpifje në drejtim të faktit: “Qe po tentohet që të realizohet grabitje të 10 miliardë eurosh për ndarje të Kosovës nga Edi Rama” për shpifjen që e ka përdorur Ramush Haradinaj. Si rrjedhojë këto ditë kemi kuptuar se padia e Edi Ramës tashmë ajo është dorëzuar në Gjykatën Themelore të Prishtinës. Por se argumente në padi për shpifje Edi Rama, nuk ka prezantuar dhe vetëm ka aluduar, se kryeministri Ramush Haradinaj ka shpifur në drejtim të tij”, ka shtuar ai.

Gjini më tej shpjegon se sipas praktikave gjyqësore, që paditësi duhet të prezantojë fakte materiale në prova konkrete.

“Sipas praktikave gjyqësore kur trajtohen rastet e shpifjeve, gjithmonë për provë kërkohet që paditësi të prezantojë fakte materiale në prova konkrete, se ai fakt nuk është i vërtetë, pra kërkohet me argument që shpifjen e tillë ta rrëzon, e jo vetëm me fjalë boshe. Konkretisht Edi Rama, duhet të mbështetet diku, dhe jo ekskluzivisht të bazohet vetëm ne deklaratën e kryeministrit Ramush Haradinaj. Pra, mbështetja e tillë kërkon raporte të agjencive shtetërore – inteligjencës, mediumeve relevante dhe raporteve globale që përcjellin rrjedhat dhe trendet politike, se diçka e tillë nuk qëndron nuk është diskutuar kurrë më parë”, ka thënë ai më tutje.

E në rast se padia ndaj Haradinajt dështon, atëherë ai mund të bëjë kundër padi.

“Në rast se padia për shpifje ndaj kryeministrit Ramush Haradinaj, dështon apo nuk ekziston provë atëherë vet pala e paditur këtu Ramush Haradinaj mund të bëjë kundër-padi për Edi Ramën për linçim dhe dëmtim të autoritetit në publik dhe në media, sepse një gjë të tillë ia garantojnë edhe ligjet pozitive në vend dhe me këtë mbrohet edhe dinjiteti i shtetit të Republikës së Kosovës”, ka deklaruar Gent Gjini për “Bota sot”.

Zogaj: Shqiptarët në Shqipëri dhe Kosovë janë më të fort se marrëzitë e Edi Ramës

Në anën tjetër, njohësi i çështjeve politike, Skënder Zogaj, ka thënë se Edi Rama është kapobanditi shqiptar më i madh i të gjitha kohërave, që po e shkatërron qenien e shoqërisë shqiptare.

Image
Skënder Zogaj

“Edi Rama është kapobanditi shqiptar më i madh i të gjitha kohërave, i cili tashmë e dinë edhe zogjtë e malit se e ka krijuar strukturën mafioze të krimit të organizuar që duke është duke e shkatërruar qenien e shoqërisë shqiptare me veprimtari degjeneruese, në të gjitha fushat e jetës. Rezultati shkatërrimtar i Ramës në Shqipëri është baraspeshës me atë të diktatorit Enver Hoxha, në mos edhe më i rëndë sepse, Eskobare po e shpërbën qenien fizike dhe shpirtërore të popullit shqiptar, duke ia tjetërsuar frymën e shpirtit. Por Eskobare e ka gabim nëse mendon se veprimtarinë e tij mafioze mundet ta zgjeroj edhe në Kosovë”, është shprehur ai.

Sipas Zogajt, padia kundër Haradinajt është e qëllimshme dhe Rama do t’i kërkojë falje Haradinajt për këtë padi.

“Padia kundër Ramush Haradinajt e ka këtë qëllim, por Eskobare e ka llogaritur gabim, sepse, Kosova ia di të palarat dhe qëllimet djallëzore në dëm të shqiptarëve dhe Shqipërisë, që janë traditë e kultivuar që nga Kristaq Rama! Deklarata e Kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinajt, është realitet që drejtësia do t’i verifikojë dhe Rama duhet t’i përkul dhe t’i kërkojë falje Ramush Haradinajt për padi të rreme, me qëllime meskine kundër legjitimitetit të Kosovës! Rama po mendon se është në kohën e bashkëpunimit të fshehtë me Goran Bregoviqin e UDB kanë kontrolluar "shëndetin" e qarqeve kulturore, për t'i zbuluar dhe linçuar krijuesit e vlerave të pastra kombëtare! Se ka kaluar ajo kohë, Rama do të bindet kur të shqyrtohet padia e tij”, ka vlerësuar Zogaj.

Ndërsa, në lidhje me raportet Kosovë-Shqipëri, ai thotë se kjo nuk ndikon sepse janë marrëzi të Ramës.

“Sa i përket raporteve ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, kjo padi nuk ka asnjë lloj ndikimi sepse, shqiptarët në Shqipëri dhe Kosovë janë më të fort se marrëzitë e Edi Ramës”, ka deklaruar Skënder Zogaj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat