Elezaj: Albin Kurti posa të bëhet kryeministër do ta vizitojë varrin e Ibrahim Rugovës

Politika

Elezaj: Albin Kurti posa të bëhet kryeministër do ta vizitojë varrin e Ibrahim Rugovës

Nga: D.B Më: 21 janar 2020 Në ora: 16:19
Ibrahim Rugova dhe Albin Kurti

Shikuar nga aspekti politik, sikur duket se Albin Kurti pas statusit të sotëm të postuar në faqen e tij në Facebook lidhur me figurën e presidentit historik, Dr. Ibrahim Rugova, paskësh ndryshuar qëndrimin ndaj tij, gjë që nuk del të jetë e vërtetë.

Kështu ka vlerësuar analisti politik Rexhep Elezaj i cili në një prononcim për “Bota sot”,ka thënë se ata të cilët e kanë përcjellë me kujdes mendimin dhe qëndrimin e tij personal ndaj presidentit Ibrahim Rugova, e dinë fare mirë se Albini asnjëherë nuk e ka sharë, ofenduar ose nënçmuar publikisht rolin dhe postin e Ibrahim Rugovës, qoftë si kryetar i LDK-së, qoftë si president i Kosovës.

Sipas tij, Albini qëkur ishte student në UP-së si dhe udhëheqës i “Unionit Studentor” në kohën e fillimit të demonstratave kundër regjimit kriminal të Serbisë në Kosovë, në vitet 1997-99, e në krye te të cilave gjendej ai vetë, e respektonte postin e njeriut të parë në Kosovë.

Image
Rexhep Elezaj

“Pra presidentin Ibrahim Rugova, i cili, siç flasin disa video-incizime bashkë me disa udhëheqës të US e kishin takuar presidentin dy herë në zyrën e tij në Velani, për të biseduar me të lidhur me ecurinë e demonstratave, që nënkupton qartë se studentet e UP-së e njihnin dhe e pranonin atë pa ekuivokë për president të Kosovës. Ndërsa, mospajtimet me presidentin Rugova që më pas studentët i patën me të, kishin të bënin më strategjinë e veprimeve në kohë dhe rrethana okupuese, e jo me qëllimin e luftës së përbashkët kundër masave të dhunshme dhe gjenocidiale të Serbisë në Kosovë, gjë e cila, siç ka deklaruar kohë më parë vetë Albin Kurti, nuk ishin shkak për acarimin e raporteve midis tyre, as asokohe, as më vonë gjatë viteve në vijim”, ka thënë analisti politik Rexhep Elezaj.

Sipas tij, pikërisht, statusi i sotëm në Facebook,  Albin Kurti, flet qartë dhe bindshëm, se ai asnjëherë nuk ka pasur qëndrim negativ ndaj rolit dhe kontributit madhor të presidentit Ibrahim Rugova në rrugën e pavarësisë dhe çlirimit të Kosovës nga okupimi i egër serb, ani pse në vitet e pasluftës Albini dhe Ibrahim Rugova nuk gjendeshin në taban të njëjtë politik.

“Albini ende nuk ishte politikisht i angazhuar në ndonjë subjekt politik, ngase ende ishte në moshë të re, ndërsa Ibrahim Rugova kishte kohë që po e udhëhiqte partinë e parë pluraliste në Kosovë, LDK-në, e cila kishte koncept të ndryshëm nga e majta social-liberale mbi të cilën filozofi dhe program politik më vonë Albin Kurti do ta formon Lëvizjen “Vetëvendosje” në krye të cilës do zgjidhet ai vetë. Pra, vitet e pasluftës dhe bashkëpunimi midis Ibrahim Rugovës dhe Albin Kurtit nuk vinin fare në shprehje për shkak të pozitave të ndryshme që kishin në shoqëri, derisa kjo Lëvizje u shndërrua në subjekt politik garues në zgjedhjet parlamentare në Kosovë, diku në vitin 2010 dhe më pas”, ka thënë analisti politik Elezaj.

Ai ka thënë se shkrimi i sotëm i Albinit kushtuar 14 vjetorit të ikjes në amshim të presidentit Ibrahim Rugova, nuk ishte ndonjë befasi, siç ka mundur të jetë për shumë ndjekës politik të Albin Kurtit.

“E them këtë sepse për shumë bashibozukë brenda LDK-së, të cilët në vazhdimësi e kanë anatemuar dhe kritikuar pa fakte Albin Kurtin, për gjoja injorimin që ai ia ka bërë presidentit Ibrahim Rugova, duke marrë si alibi mos shkuarjen dhe përkuljen tek varri i tij, gjë që në asnjë mënyrë ky veprim i tij nuk ilustronte qëndrimin real të Albinit ndaj figurës dhe kontributit të presidentit Rugova, para, gjatë dhe pas luftës çlirimtare, përmes opsionit të tij paqësorë, të cilin shumë qëllimkëqij e quanin “pacifizëm”, ka thënë Elezaj.

Ai tutje ka shtuar se lidhur me (mos)shkuarjen e Albinit deri tash tek varri i presidentit Ibrahim Rugova, përgjigjen më të mirë e ka dhënë para disa kohe vetë  Kurti në një debat televiziv, po e parafrazoj përafërsisht.

“Janë pikërisht udhëheqësit e LDK-së, ata të cilët nuk më kanë lënë të shkojë tek varri i presidentit Ibrahim Rugova, duke më kritikuar dhe shantazhuar publikisht, se gjoja mos shkuarja ime tek varri i tij na qenka injorim dhe mosnjohje e presidentit Rugova nga ana ime, gjë që nuk është e vërtetë”, ka deklaruar Albin Kurti. Po ashtu, Albini asnjëherë nuk ka deklaruar publikisht, se nuk do shkon tek varri i Rugovës, mbase jam shumë i sigurt se një gjë të tillë do ta bënë posa ta merr postin e kryeministrit të ri të Kosovës”, ka thënë analisti politik Rexhep Elezaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat