Marrëveshja historike ndërshtetërore Kosovë-Serbi me mbështetjen e Presidentit Trump

Politika

Marrëveshja historike ndërshtetërore Kosovë-Serbi me mbështetjen e Presidentit Trump

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 22 janar 2020 Në ora: 08:04
Presidenti Hashim Thaçi me Këshilltarin për Siguri Kombëtare të Presidentit Trump, Robert O’Brien

Të hënën e 21 janarit të këtij viti, u nënshkrua marrëveshja Kosovë-Serbi në Berlin, për të hapur linjën ajrore Prishtinë-Beograd.

Marrëveshja u nënshkrua nga Autoriteti i Aviacionit Civil të Kosovës, i cili ka nënshkruar të hënën në Berlin një marrëveshje me aviokompaninë gjermane Lutfhansa, ku të njëjtën marrëveshje me kompaninë gjermane e ka nënshkruar edhe delegacioni i Serbisë, nga Ministria e Ekonomisë.

Kjo letër, është nënshkruar në prani të ambasadorit të Shteteve të Bashkuara në Berlin, Richard Grenell, i cili është edhe dërguari i presidentit amerikan Donald Trump, për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

Richard Grenell ka thënë se nënshkrimi i marrëveshjeve nga Prishtina dhe Beogradi për linjën ajrore është fitore historike e administratës së presidentit amerikan, Donald Trump.

Presidenti Trump përshëndetë nënshkrimin e marrëveshjes

“Kosova dhe Serbia sot nënshkruan një marrëveshje për të krijuar linjën e parë të fluturimeve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit pas 21 vjetësh”, ka shkruar Grenell.

Ndërsa, presidenti amerikan Donald Trump e ka quajtur marrëveshjen fitore, për të cilën thotë se të gjithë kanë thënë se është e pamundur.

“Të gjithë kanë thënë se nuk do të jetë e mundur të realizohet, por për herë të parë do të ketë rrugë të gjeneratave mes Serbisë dhe Kosovës. Edhe një fitore, faleminderit Këshillit kombëtar të sigurisë dhe ambasadorëve Robert O’Brajan dhe Richard Grenell” ka shkruar Trump në Twitter duke ilustruar publikimin me foto.

Ndërsa, ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett, ka thënë se ky është fillimi i një të ardhme të ndritshme.

“Presidenti Trump dhe ekipi i tij kanë punuar shumë për të arritur këtë marrëveshje, e cila është vetëm fillimi i së ardhmes së ndritshme për miqtë tanë në Kosovë dhe Serbi. Ky hap është fitore për rajonin. Faleminderit ambasadorit Grenell dhe O’Brien për udhëheqjen e tyre”, ka shkruar Kosnett.

Presidenti Thaçi në margjina të Forumit Botëror Ekonomik në Davos është takuar edhe Këshilltarin për Siguri Kombëtare të Presidentit Trump, Robert O’Brian.

Thaçi dhe këshilltari i presidentit Trump kanë biseduar për marrëdhënien speciale në mes të Kosovës dhe SHBA-së, si dhe për përpjekjet për të arritur një marrëveshje finale të paqes në mes të Kosovës dhe Serbisë.

“Një bisedë të mrekullueshme sot kisha edhe me Këshilltarin për Siguri Kombëtare të Presidentit Trump, Robert O’Brien. Ne konfirmuam edhe një herë rolin e pazëvendësueshëm të SHBA-së në arritjen e një marrëveshjeje finale të paqes në mes të Kosovës dhe Serbisë, si dhe lidhjen speciale ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së. HTH”, ka shkruar Presidenti Thaçi, teksa ka postuar foton nga takimi.

Sa i përket marrëveshjes, nuk është bërë publike se çka përmban, ndërsa që nga serbët kanë thënë se ajo është në përputhje me qëndrimin e qeverisë se Kosova është ende pjesë e Serbisë.

IKD kërkon transparencë

Lidhur me këtë marrëveshje, Instituti i Kosovës për Demokraci (KDI), ka kërkuar që të ketë transparencë tek publiku, në lidhje me përmbajtjen e nënshkruar.

“Qytetarët e Kosovës janë të painformuar mbi përmbajtjen e saj dhe procesin vendimmarrës që i ka paraprirë arritjes së kësaj marrëveshjeje. Për më tepër, publiku nuk ka informacion për implikimet që kjo marrëveshje mund të sjellë, p.sh. me çfarë dokumente udhëtimi do të mundësohet udhëtimi i qytetarëve në mes të këtyre dy kryeqyteteve dhe çështje të tjera që derivojnë nga kjo marrëveshje. KDI kërkon nga autoritetet e Republikës së Kosovës që të njoftojnë publikun mbi përmbajtjen e kësaj marrëveshjeje dhe implikimeve të saj”, ka thënë KDI përmes një njoftimi.

Tahiri: Është për tu lavdëruar përkrahja e Haradinajt ndaj marrëveshjes

Image
Ramush Tahiri

Ndërsa, politologu Ramush Tahiri, ka thënë për gazetën “Bota sot” se duhet të ketë transparencë dhe marrëveshja duhet të bëhet publike.

“Gjithsesi se duhet të ketë transparencë dhe marrëveshja duhet të bëhet publike edhepse duket kjo është një marrëveshje e atij karakteri që nuk ka nevojë të ratifikohet në Kuvendin e Kosovës, duket se nuk konsiderohet marrëveshje ndërshtetërore, pasi nuk është nënshkruar nga Qeveritë e të dyja vendeve pra jo ministrat respektiv por niveli me i ultë nënministror”, është shprehur ai.

Sipas Tahirit, është për tu lavdëruar përkrahja e Haradinajt ndaj marrëveshjes, derisa shton se duhet të jetë e rëndësishme, derisa marrëveshja përkrahet nga presidenti i SHBA-ve, Donald Trump.

“Është për çdo lavd përkrahja që kësaj marrëveshje i dha Ramush Haradinaj, kryeministri i Kosovës i cili deri tash pikërisht për vendosjen e taksës thoshte se kjo masë është edhe atdhetare edhe dinjitoze sepse i dëmton interesat e Serbisë në Kosovë dhe se marrëdhëniet do të hapen kur Serbia ta njeh Kosovën. si shtet. Tash linja Prishtinë -Beograd do të shfrytëzohet për kosovarët si aeroport transit për Amerikë dhe për vendet Arabe. Gjithsesi, kjo duhet të jetë një marrëveshje e rëndësishme pasi e përshëndeti edhe Presidenti i SHBA-ve Trump se është falënderuar për kontribut Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, dhe për faktin se biseda është zhvilluar jashtë syve e zhurmës së opinionit dhe te ambasadori amerikan Grenell që ka mision të veçantë për Kosovën dhe për marrëveshjen përfundimtare të paqes Kosovë –Serbi”, ka vlerësuar Tahiri.

Politologu thotë se për Kosovën është e rëndësishme sepse kursehen para dhe kohë.

“Për Kosovën është shumë e rëndësishme që tash e pas hapësira ajrore e fluturimeve mbi qiellin e Serbisë është e lirë për fluturimeve nga Prishtina që kursen edhe kohë edhe para”, ka deklaruar Ramush Tahiri për “Bota sot”.

Smaka: Institucionet tona shtetërore duhet të jenë vigjilente

Image
Riza Smaka

Ndërsa, profesori Riza Smaka, ka thënë për “Bota sot” se është problematike derisa Serbia e konsideron Kosovën pjesë të saj, derisa ka shtuar se duhet meditim serioz politik nga presidenti dhe kryeministri.

“Çdo transaksion i Kosovës me Serbinë përderisa shteti serb e trajton vendin tonë pjesë të tij apriori rezulton të jetë problematik. Gjykoj se referuar transaksioneve në përgjithësi paraprakisht nevojitet meditim politik serioz dhe i koordinuar nga Presidenti dhe Kryeministri. Gjasat janë se jo vetëm në këtë rast por as në të tjerat këta përfaqësues shtetëror nuk e praktikojnë bashkë këshillimin paraprak aq të nevojshëm e të arsyeshëm veçanërisht në relacion me përfaqësuesit të shtetit serb”, është shprehur ai.

Sipas Smakës, institucionet tona shtetërore duhet të jenë vigjilente në raport me relacionet politike serbe.

“Konsideroj se institucionet tona shtetërore duhet të jenë vigjilente në relacionet politike me ato serbe përderisa shteti serb të pranojë Kosovën për shtet të pavarur përbrenda kufirit të saj nga viti 1945 deri sot. Ky akt është parakusht "Conditio Sine Qua Non"”, ka deklaruar Riza Smaka për “Bota sot”.

Shahu: Amerika e dëboi Serbinë prej Kosove

Image
Rexhep Shahu

Në anën tjetër, njohësi i çështjeve politike, Rexhep Shahu, ka thënë se duhet të ketë transparencë për marrëveshjen por që nëse është realizuar me ndërhyrjen e Amerikës, ajo e di që Kosova nuk është pjesë e Serbisë.

“Duhet patjetër transparencë për këtë marrëveshje. Por nëse besohet se është realizuar me ndërhyrje apo rekomandim amerikan nuk besoj se amerikanët e dinë Kosovën pjesë të Serbisë, pasi Amerika e dëboi Serbinë prej Kosove. E nëse do Amerika ajo e sjell sërish Serbinë në Kosovë”, ka thënë ai.

Sipas Shahut, zyrtarët shqiptarë duhet të raportojnë për çdo detaj, pasi i intereson Kosovës.

“Zyrtarët shqiptarë duhet domosdo të raportojnë për publikun çdo detaj se kjo nuk është ngjarje rozë për shtypin e verdhë, por është ngjarje që i intereson Kosovës shtet”, ka deklaruar Rexhep Shahu për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat