Albin Kurti përballë figurës emblematike të Presidentit Rugova, përulje dhe respekt

Politika

Albin Kurti përballë figurës emblematike të Presidentit Rugova, përulje dhe respekt

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 22 janar 2020 Në ora: 16:06
Presidenti Ibrahim Rugova dhe Albin Kurti, foto ilustrim "Bota sot"

“Veprimet e tij tani e tutje nuk duhet të jenë partiake, por shtetërore, përgjegjësia qeverisëse ia mundëson të kundërtën e partisë së tij, ai si Kryeministër i ardhshëm më shumë duhet të jetë pohues sesa mohues, pajtues sesa kundërshtues, sidomos me partnerin e tij qeverisës LDK. Gjesti i Kurtit do të ishte dhe më i madh që përveç përkujtimi të Ibrahim Rugovës në facebookun e tij të shkonte dhe te varri i Rugovës për homazhe, atëherë Kurti nuk do respektonte vetëm Presidentin e pakrahasueshëm Rugovën, por edhe partinë e tij të LDK-së, do respektonte dhe Isa Mustafën e Vjosa Osmanin, po edhe Republikën e Kosovës”, ka thënë njohësi i çështjeve politike profesor Sulejman Mehazi.

Në 14 vjetorin e vdekjes së Presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova, mandatari për formimin e Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar presidentin historik, Ibrahim Rugova.

Kurti, e ka quajtur të ndjerin Rugova si “intelektual të angazhuar e humanist që ka evituar konfliktet, njeri racional e të pasionuar me gjuhën si histori dhe si institut, dhe si shqiptar të urtë që e donte popullin e vet ashtu siç ai është”.

Ai këtë ‘In memoriam’ e bëri përmes një postimi në Facebook, edhe pse ende mbetet të shihet nëse është momenti i duhur, që Kurti të shkojë për homazhe tek varri i Dr. Rugovës në Velani, e jo ta përkujtojë atë vetëm me fjalë.

Njohësit e çështjeve politike vlerësojnë se Kurti duhet të bëj homazhe tek varri i Presidentit Rugova, pikërisht në këtë kohë, pasi një gjë e tillë, do t’i ndihmonte edhe koalicionit LVV-LDK.

Mehmeti: Respekti që Kurti ka treguar në përvjetorin e 14 të presidentit Rugova, është dëshmi se do të kemi një vizitë të shumëpritur tek varri i tij

Analisti politik Faton Mehmeti ka thënë se tanimë veç se Kurti ka filluar të tregojë se ka ndryshuar në raport me figurën e Dr.Rugovës.

Ai konsideron se respekti që Albin Kurti ka treguar në përvjetorin e 14 të presidentit Rugova, është dëshmi se shumë shpejt do të kemi edhe vizitë e shumëpritur tek varri i presidentit Rugova.

Image
Faton Mehmeti

“Nëse Thaçi ishte ai i cili e kishte quajtur tradhtar presidentin Rugova dhe tani i shkon tek varri, nuk e di se çfarë e ndalon Albin Kurtin, të bëj një veprim të tillë. Besoj e Albini është me tepër se Thaçi i zgjuar për te kuptuar se përballë Dr. Rugovës duhet vetëm përulje dhe respekt, pasi vepra e tij tregon se ajo mbetet udhë-rrëfim për Kosovën. Fal Rugovës bota reagoi dhe sot jemi të lirë. Andaj, besoj se pas arritjes se koalicionit VV-LDK në ditën e parë Albini do te vizitoj familjen Jashari dhe varrin e Dr. Rugovës”, ka thënë analisti politik Faton Mehmeti.

Mehazi: Gjesti i Albin Kurtit me rastin e 14 vjetorit të vdekjes së Ibrahim Rugovës, është për t'u përshëndetur

Njohësi i çështjeve politike profesor Sulejman Mehazi, ka thënë se gjesti i Albin Kurtit me rastin e 14 vjetorit të vdekjes së Ibrahim Rugovës, është për t'u përshëndetur, pasi ai vetëm kështu duhet të veprojë si Kryeministër e jo ndryshe.

Sipas tij, tani e tutje Albin Kurti duhet ta ndryshojë edhe kursin e të shprehurit politik

Image
Sulejman Mehazi

"Fjalori politik i tij tani e tutje s'duhet të jetë konkurrues, po bashkëbisedues e afrues jo vetëm ndaj popullatës së Kosovës, por edhe ndaj partive tjera në Kosovë. Veprimet e tij tani e tutje nuk duhet të jenë partiake, por shtetërore, përgjegjësia qeverisëse ia mundëson të kundërtën e partisë së tij, ai si Kryeministër i ardhshëm më shumë duhet të jetë pohues sesa mohues, pajtues sesa kundërshtues, sidomos me partnerin e tij qeverisës LDK. Gjesti i Kurtit do të ishte dhe më i madh që përveç përkujtimi të Ibrahim Rugovës në facebookun e tij të shkonte dhe te varri i Rugovës për homazhe, atëherë Kurti nuk do respektonte vetëm Presidentin e pakrahasueshëm Rugovën, por edhe partinë e tij të LDK-së, do respektonte dhe Isa Mustafën e Vjosa Osmanin, po edhe Republikën e Kosovës”, ka thënë njohësi i çështjeve politike profesor Sulejman Mehazi.

Elezaj: Statusi i Albin Kurtit, flet qartë se ai asnjëherë nuk ka pasur qëndrim negativ, ndaj rolit dhe kontributit madhor të presidentit Ibrahim Rugova

Kurse, analisti politik Rexhep Elezaj thënë se, shikuar nga aspekti politik, sikur duket se Albin Kurti pas statusit të postuar në faqen e tij në Facebook lidhur me figurën e presidentit historik, Dr. Ibrahim Rugova, paskësh ndryshuar qëndrimin ndaj tij, gjë që nuk del të jetë e vërtetë.

Sipas tij, ata të cilët e kanë përcjellë me kujdes mendimin dhe qëndrimin e tij personal ndaj presidentit Ibrahim Rugova, e dinë fare mirë se Albini asnjëherë nuk e ka sharë, ofenduar ose nënçmuar publikisht rolin dhe postin e Ibrahim Rugovës, qoftë si kryetar i LDK-së, qoftë si president i Kosovës.

Image
Rexhep Elezaj

“Albini qëkur ishte student në UP-së si dhe udhëheqës i “Unionit Studentor” në kohën e fillimit të demonstratave kundër regjimit kriminal të Serbisë në Kosovë, në vitet 1997-99, e në krye te të cilave gjendej ai vetë, e respektonte postin e njeriut të parë në Kosovë. Pra presidentin Ibrahim Rugova, i cili, siç flasin disa video-incizime bashkë me disa udhëheqës të US e kishin takuar presidentin dy herë në zyrën e tij në Velani, për të biseduar me të lidhur me ecurinë e demonstratave, që nënkupton qartë se studentet e UP-së e njihnin dhe e pranonin atë pa ekuivokë për president të Kosovës. Ndërsa, mospajtimet me presidentin Rugova që më pas studentët i patën me të, kishin të bënin më strategjinë e veprimeve në kohë dhe rrethana okupuese, e jo me qëllimin e luftës së përbashkët kundër masave të dhunshme dhe gjenocidiale të Serbisë në Kosovë, gjë e cila, siç ka deklaruar kohë më parë vetë Albin Kurti, nuk ishin shkak për acarimin e raporteve midis tyre, as asokohe, as më vonë gjatë viteve në vijim”, ka thënë analisti politik Rexhep Elezaj.

Sipas tij, pikërisht, statusi i sotëm në Facebook, Albin Kurti, flet qartë dhe bindshëm, se ai asnjëherë nuk ka pasur qëndrim negativ ndaj rolit dhe kontributit madhor të presidentit Ibrahim Rugova në rrugën e pavarësisë dhe çlirimit të Kosovës nga okupimi i egër serb, ani pse në vitet e pasluftës Albini dhe Ibrahim Rugova nuk gjendeshin në taban të njëjtë politik.

“Albini ende nuk ishte politikisht i angazhuar në ndonjë subjekt politik, ngase ende ishte në moshë të re, ndërsa Ibrahim Rugova kishte kohë që po e udhëhiqte partinë e parë pluraliste në Kosovë, LDK-në, e cila kishte koncept të ndryshëm nga e majta social-liberale mbi të cilën filozofi dhe program politik më vonë Albin Kurti do ta formon Lëvizjen “Vetëvendosje” në krye të cilës do zgjidhet ai vetë. Pra, vitet e pasluftës dhe bashkëpunimi midis Ibrahim Rugovës dhe Albin Kurtit nuk vinin fare në shprehje për shkak të pozitave të ndryshme që kishin në shoqëri, derisa kjo Lëvizje u shndërrua në subjekt politik garues në zgjedhjet parlamentare në Kosovë, diku në vitin 2010 dhe më pas”, ka thënë analisti politik Elezaj.

Ai ka thënë se shkrimi i sotëm i Albinit kushtuar 14 vjetorit të ikjes në amshim të presidentit Ibrahim Rugova, nuk ishte ndonjë befasi, siç ka mundur të jetë për shumë ndjekës politik të Albin Kurtit.

“E them këtë sepse për shumë bashibozukë brenda LDK-së, të cilët në vazhdimësi e kanë anatemuar dhe kritikuar pa fakte Albin Kurtin, për gjoja injorimin që ai ia ka bërë presidentit Ibrahim Rugova, duke marrë si alibi mos shkuarjen dhe përkuljen tek varri i tij, gjë që në asnjë mënyrë ky veprim i tij nuk ilustronte qëndrimin real të Albinit ndaj figurës dhe kontributit të presidentit Rugova, para, gjatë dhe pas luftës çlirimtare, përmes opsionit të tij paqësorë, të cilin shumë qëllimkëqij e quanin “pacifizëm”, ka thënë analisti politik Rexhep Elezaj.

Ai tutje ka shtuar se lidhur me (mos)shkuarjen e Albinit deri tash tek varri i presidentit Ibrahim Rugova, përgjigjen më të mirë e ka dhënë para disa kohe vetë Kurti në një debat televiziv, po e parafrazoj përafërsisht.

“Janë pikërisht udhëheqësit e LDK-së, ata të cilët nuk më kanë lënë të shkojë tek varri i presidentit Ibrahim Rugova, duke më kritikuar dhe shantazhuar publikisht, se gjoja mos shkuarja ime tek varri i tij na qenka injorim dhe mosnjohje e presidentit Rugova nga ana ime, gjë që nuk është e vërtetë”, ka deklaruar Albin Kurti. Po ashtu, Albini asnjëherë nuk ka deklaruar publikisht, se nuk do shkon tek varri i Rugovës, mbase jam shumë i sigurt se një gjë të tillë do ta bënë posa ta merr postin e kryeministrit të ri të Kosovës”, ka thënë analisti politik Rexhep Elezaj.

Shahu: Kurti do të shkojë te Rugova siç kanë shkuar të gjithë anti-Rugovet, se nuk ka kishë, e as xhami tjetër

Kurse, analisti politik Rexhep Shahu, ka thënë se Kurti do të shkojë tek varri i Presidentit Rugova, ashtu siç edhe kanë shkuar deri më tani, të gjithë anti-Rugovet, sepse nuk ka kishë, as xhami tjetër për Kurtin.

Sipas tij, sa ishte Kurti më gurë në xhepa dhe e lutnin të shkojë tek varri i Presidentit Rugova, ai e luante të llastuarin e të përkëdhelurin.

Image
Rexhep Shahu

“Por, tani nëse do jetë kryeministër i Kosovës, Albin Kurti do të shkojë tek arkitekti i Kosovës, por jo për ti bërë homazh Rugovës, por do të shkojë për interesin e vet. Presidenti Rugova nuk ka nevojë për Albin Kurtin, por Kurti dhe të gjithë si , kanë nevojë për Rugoven. Rugovës nuk i hyn askush ne punë, ndërsa ai u hyn në punë të gjithëve. Albini edhe për të mbet në vëmendje, dhe për tu dukë në epiqendër, e shfaqë si kundër rrjedhë dhe nuk ka shkuar teke varri i Presidentit Rugova. Por Kurti si kryeministër nuk ka rrugë tjetër, ose të shkojë të Rugova, ose të gjuajë me gurë, vezë, e gaz lotsjellës”, ka thënë analisti politik Rexhep Shahu.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat