Ky është “kërcënimi” që bëri Grenell për Kurtin e Mustafën

Politika

Ky është “kërcënimi” që bëri Grenell për Kurtin e Mustafën

Nga: G.B Më: 23 janar 2020 Në ora: 16:10
Richard Grenell dhe Albin Kurti

I dërguari i Posaçëm i presidentit amerikan, Donald Trump, ambasadori amerikan në Gjermani, Richard Grenell, ka kërkuar që të hiqet taksa e Kosovës ndaj produkteve serbe dhe të ndalet fushata e Serbisë ndaj Kosovës.

Pas takimit me liderin e VV-së, Albin Kurtin, Grenell tha se i kërkoi atij që nëse duan të ecin përpara, duhet të kenë zhvillim ekonomik dhe duhet ta heqin taksën 100 për qind.

“Po provoj të injoroj betejën politike dhe të përqendrohem në zhvillimin ekonomik. Për shkak të kësaj, i kërkova z. Kurti dhe do i kërkoj çdo udhëheqësi politik këtu që është shumë e rëndësishme se nëse dëshirojmë të ecim përpara, nevojitet zhvillimi ekonomik dhe taksa 100% të hiqet, është diçka që duhet të hiqet, po ashtu edhe fushata e Serbisë duhet gjithashtu të ndalet. Unë mendoj se që të dyja duhet të ndodhin në mënyrë që bizneset të rriten, të krijohen vende të punës për të rinjtë. Unë do ta përçoj të njëjtin mesazh edhe në Beograd. Dëshiroj që ne të ecim përpara dhe të ndihmojmë familjet e reja dhe të rinjtë që të kenë punë me paga më të mira dhe një situatë me ekonomi në rritje. Ky ishte mesazhi im që e përçova këtu dhe do jetë mesazhi i njëjtë që do e përçoj në Serbi”, tha Grenell.

Image
Fadil Lepaja

Lidhur me këtë, njohësi i çështjeve politike, Fadil Lepaja, ka thënë për gazetën “Bota sot” se për taksën duhet të vendosë qeveria e ardhshme.

“Për taksën duhet të vendosë qeveria e ardhshme, duke marrë kështu përgjegjësinë sikurse që Haradinaj e mori kur e vendosi atë”, është shprehur ai.

Sipas Lepajës, Grenell ka diskutuar edhe për qeverinë por që prioritet ka pasur taksën, derisa thotë se deklaratën e tij për mos përzierje në formimin e qeverisë e sheh si kërcënim për Kurtin dhe Mustafën.

“Ambasadori Grenell, gjithsesi do të jetë "përzier" në çështjen e qeverisë, por prioritet i tij do të ketë qenë taksa, sepse ky është kushti serb për vazhdim të bisedimeve. Unë deklaratën e ambasadorit për mos përzierje rreth formimit të qeverisë e shoh si kërëcnim për Kurtin dhe Mustafën se ai do të vazhdojë të mbështesë marrëveshje të tipit të linjës ajrore Prishtinë-Beograd, dhe se kjo mund të bëhet fare mirë sipas administratës edhe duke bashkëpunuar me kreun e shtetit dhe me degët përgjegjëse të ekzekutivit”, ka vlerësuar Fadil Lepaja për “Bota sot”.

Ndërsa, për falënderimin e veçantë ndaj Thaçit për linjën ajrore, ai thotë se nënkupton se ai mund të angazhohet edhe për çështje të tjera në mungesë të qeverisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat