Reagon avokati Halilaj për vrasjen e dëshmitarëve të Gjykatës Speciale: Mos identifikimi i vrasësve është goditje ndaj UÇK-së

Politika

Reagon avokati Halilaj për vrasjen e dëshmitarëve të Gjykatës Speciale: Mos identifikimi i vrasësve është goditje ndaj UÇK-së

Nga: N.Sh Më: 23 janar 2020 Në ora: 20:00
Gazmend Halilaj

Avokati Gazmend Halilaj ka reaguar për vrasjen e dëshmitarëve të Gjykatës Speciale.

Halilaj thotë se mos identifikimi i kryesve të këtyre vrasjeve është goditja më e madhe që mund t’i bëhet Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe institucioneve të sigurisë.

“Ndonëse vrasja e shumë komandantëve në rrethana të dyshimta gjatë kohës së luftës, vrasjet e pasluftës, mos zbardhja e tyre tash e 20 vite, keqpërdorimi i milionave të asaj kohe pa asnjë arsyetim, para këto të dhuruara nga qytetarët tanë, të cilat pa hezitim i dhanë duke zvogëluar kushtet elementare të tyre dhe familjeve të tyre për jetesë, si dhe shume veprime tjera, kanë krijuar hapësirë të mjaftueshme që eurodeputetit Dick Marty, të finalizoj projektin e tij për themelimin e Gjykatës Speciale”, thotë Halilaj për gazetën “Bota sot”.

Ai thekson se, natyrisht, për ne do të mbetet si një gjykatë e tepërt dhe padëshirueshme, mirëpo vrasja e dëshmitarëve potencial, të kësaj gjykate pa dyshim që tek prokurorët e saj, por edhe në rrafshin ndërkombëtar “rrit dozën e dyshimit” në lidhje me pafajësinë e të dyshuarve të mundshëm.

“Njëkohësisht rritë edhe dozën e dyshimit në lidhje me jo efikasitetin e nivelit të detyrës tek organet vendore të sigurisë dhe ato të zbatimit të ligjit, në raport me preventiven e mbrojtjes së jetës dhe shëndetit të dëshmitarëve si dhe identifikimin dhe kapjen e kryesve të këtyre veprave si dhe nxjerrjen e tyre para drejtësisë”, thekson tutje avokati.

Halilaj jep edhe një zgjidhje se çfarë duhej të veprohet tutje.

“Po të isha në pozita kompetente menjëherë do të kisha ofruar shuma milionëshe të gjithë atyre të cilët në çfarëdo mënyre do të mund të siguronin informacione të mjaftueshme në lidhje me identifikimin  dhe kapjen e secilit që ka kontribuar në planifikimin apo marrjen pjesë në mënyrë direkte në rastin e ndodhur para pak dite për të cilin sipas njoftimit zyrtar të kompetentëve, viktima ishte njeri prej dëshmitarëve të Gjykatës Speciale”, potencon Halilaj.

Në fund, ai pohon se, secili që mendon t’i shpëtoj përgjegjësisë penale duke eliminuar dëshmitarët, vetëm sa do të rendon dyshimin ndaj tij, si dhe do t’i godas vlerat e luftës tonë për liri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat