Kadriaj tregon qëllimin e VV-së dhe LDK-së, flet edhe për sfidat që e presin Kosovën

Politika

Kadriaj tregon qëllimin e VV-së dhe LDK-së, flet edhe për sfidat që e presin Kosovën

Nga: N.H Më: 27 janar 2020 Në ora: 23:21
Isa Mustafa dhe Albin Kurti

Edhe pse takimi mes Albin Kurtit dhe Isa Mustafës zgjati më shumë se dy orë, duket që as të hënën nuk është arritur ndonjë marrëveshje mes këtyre dy subjekteve.

Lidhur me këtë, analisti politik, Mustafë Kadriaj, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se qëllimi i çdo subjekti politik është që të jetë faktor në skenën politike dhe në ekzekutiv përmes besimit të qytetarit.

Sipas Kadriajt, si VV-ja dhe LDK-ja po sillen me një sjellje të natyrshme për nivelin ballkanik.

Image
Mustafë Kadriaj

“Vlerësoj që praktika politike po i pranon këto sjellje, e me këtë dua të theksoj që nuk duhet të marrim si fundin e botës pse u vonuan në krijimin e qeverisë, sepse qëllimi i çdo subjekti politik është që të jetë faktor në skenën politike dhe në ekzekutiv përmes besimit të qytetarit. Pra, me këtë edhe subjektet politike si VV-ja dhe LDK-ja po sillen me një sjellje të natyrshme për nivelin ballkanik, por problemi qëndron që si VV-ja dhe LDK-ja kanë marrë besimin e qytetarit në emër të ç’kapjes së shtetit dhe si parti që do vendosin në kurs të ri politik në ekzekutiv dhe duke shkuar deri në ekstrem që po tentojnë të çlirojnë qytetarin nga qeveria PAN, sa që lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, me të shpallur fitoren me 6 tetor, fitoren e partisë së tij e cilësoi si çlirimin e dytë të Kosovës, duke barazuar qeverisjen e deritanishme si një pushtim dhe robëri për qytetarin dhe aq më shumë duke kontestuar edhe pranin e forcave të NATO-s në Kosovë, KFOR-in”, ka thënë Kadriaj.

Tutje, ai ka shtuar se përkundër entuziazmit të madh që ishte në fillim, gjërat ndryshuan pas certifikimit të rezultateve duke u rritur apetitet për pushtet në mes të VV-së dhe LDK-së.

“Pa marr parasysh deklaratat emocionale nga opinioni dhe njëherit politikave në vend dhe nga përfaqësuesit ndërkombëtar u cilësua si një demokraci e shëndosh me mënyrën e organizimit të zgjedhjeve si shembull për rajonin dhe ndërrimi i pushtetit, dhe në fillim kishte një entuziazëm të madh nga dy protagonistët; Albin Kurti dhe Vjosa Osmani, por gjërat ndryshuan pas certifikimit të rezultateve duke u rritur apetitet për pushtet në mes të VV-së dhe LDK-së dhe si rezultat bëri që deri tani kur flasim të mos kemi marrëveshje e cila do rezultonte me krijimin e institucioneve duke i marrë përgjegjësit kushtetuese për të qeverisur”, ka shtuar ai.

Në fund, analisti politik thekson se Kosovën e presin shumë sfida në nivel diplomatik dhe ekonomik, andaj ai shpreson që të arrihet një marrëveshje sa më parë që të jetë e mundur.

“Sidoqoftë pritjet dhe entuziazmi i qytetarit është zbehë dhe njëherit zhgënjimi është rritur tek këto subjekte. Vlerësoj dhe uroj që sa më shpejt që është e mundur të kemi marrëveshje për faktin që Kosovën e presin shumë sfida në nivel diplomatik dhe ekonomik, sfida të cilat janë faktor që Kosova të konsolidon vetën si shtet në nivel rajonal dhe ndërkombëtar”, ka përfunduar ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat