Xhavit Haliti tha se ndërkombëtarët nuk e pranuan Anton Qunin për ministër, vjen kundërpërgjigja nga profesori i njohur: Ky është skenari i frikshëm i anëtarit të PDK-së

Politika

Xhavit Haliti tha se ndërkombëtarët nuk e pranuan Anton Qunin për ministër, vjen kundërpërgjigja nga profesori i njohur: Ky është skenari i frikshëm i anëtarit të PDK-së

Nga: N.H Më: 12 shkurt 2020 Në ora: 22:25
Anton Quni dhe Xhavit Haliti

Deklaratat e anëtarit të Kryesisë të PDK-së, Xhavit Halitit, i cili tha se Anton Quni është propozuar edhe në të kaluarën për ministër të FSK-së, por që sipas tij, ndërkombëtarët e kanë penguar një gjë të tillë, ka bërë që të ngritën shumë reagime, duke e argumentuar të kundërtën me atë se çfarë tha anëtari i PDK-së ditë më parë.

Ishte edhe nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ai i cili demantoi Halitin e PDK-së, duke iu kundërpërgjigjur se në LDK nuk ka njerëz të tillë, që refuzohen nga ndërkombëtarët.

Për të folur lidhur me deklaratat e Xhavit Halitit, gazeta “Bota sot”, ka kontaktuar profesorin e njohur.

Drejtori Ekzekutiv i Institutit të Evropës Juglindore, dhe studiuesi i njohur ndërkombëtar, Prof. Asoc. Dr. Enver Bytyçi, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka theksuar se nëse e vërejmë me kujdes, shohim se të majtët, si në Shqipëri dhe në Kosovë, për shkak të pasionit deri në çmenduri për pushtet e pasuri, janë më bashkëpunues me ndërkombëtarët.

Bytyçi jep parashikimin e tij se edhe Xhavit Haliti është një nga mjeshtrit e kësaj përshtatjeje, nga marksist stalinist e enverist deri sa u çlirua Kosova, që sipas tij, ndërroi menjëherë skemë dhe u përshtat mirë në marrëdhëniet me perëndimin.

Image
Prof. Asoc. Dr. Enver Bytyçi

“Jam njoftuar për deklaratën e zotit Haliti rreth Anton Qunit dhe emërimit të tij si ministër i Mbrojtjes. Dhe fillimisht më duhet të sqaroj një qasje të kësaj çështjeje. Nëse e vërejmë me kujdes, shohim se të majtët, si në Shqipëri dhe në Kosovë, për shkak të pasionit deri në çmenduri për pushtet e pasuri, janë më bashkëpunues me ndërkombëtarët. Sigurisht që edhe te e majta ka idealistë, të cilët vendosin interesat e kombit e të vendit mbi gjithçka tjetër. Por së paku deri më sot shumica e drejtuesve të së majtës shqiptare janë përulur para çdo të fuqishmi, kryesisht në lindje, në Rusi, por kur Rusia nuk u bën derma me të njëjtin model përulen në Perëndim. Ata kanë aftësi të përshtaten dhe të pikasin cila pjesë e ndërkombëtarëve ka aftësinë që t’i mbështesë ata në piramidën e pushtetit. Kështu ndodhi edhe me kufijtë e Kosovës. Xhavit Haliti është një nga mjeshtrit e kësaj përshtatjeje. Nga marksist stalinist e enverist deri sa u çlirua Kosova, kur pa forcën e NATO-s e të SHBA-ve, ndërroi menjëherë skemë dhe u përshtat mirë në marrëdhëniet me perëndimin. Ndërsa shefi i tij e dëshmoi saktë kualitetin kur ndërkohë u bindej çdo skeme të perëndimorëve përmes telefonit predikonte lojën e ko..ve me Amerikën”, është shprehur ai.

Prof. dr. Enver Bytyçi me tej shton duke thënë se perversiteti i Xhavit Halitit lidhet me faktin se ai nuk ka njohuri vetëm për ndonjë opinion negativ të një ndërkombëtari të caktuar, por ai vetë e di se është gjithashtu shkaku i atij opinioni.

Sipas profesorit të njohur, puna e vetme më e mirë që kanë ditur dhe dinë të bëjnë Halitët është profesioni i spiunit, si dhe e shpifësit.

“Unë e besoj se shumë eksponentë te së djathtës nuk janë parapëlqehen në perëndim për dy arsye: E para se ata të majtë si Xhavit Haliti bashkëpunojnë me të huajt në rolin e spiunit, çojnë në ambasada dhe te eksponentët e saj raporte me shpifje për kundërshtarët politikë e për pasojë ndikojnë te ata në perceptimin për njerëzit. Kësisoj mund të ketë ndodhur që për një moment, pas shpifjeve të Xhavitëve, ndonjë ambasador i huaj të ketë shprehur rezervat e tij. Perversiteti i Xhavit Halitit lidhet me faktin se ai nuk ka njohuri vetëm për ndonjë opinion negativ të një ndërkombëtari të caktuar, por ai vetë e di se është gjithashtu shkaku i atij opinioni. Shpifjet e tij janë shkaku i tillë. Puna më e mirë që kanë ditur dhe dijnë të bëjnë Halitët është profesioni i spiunit, shpifësit. Dhe gjithë këtë shtjellim e bëra për të thënë se ose ka ndodhur ashtu siç e përshkrova më lart, ose Xhavit Haliti shpif në rastin e fundit kundër ministrit Anton Quni”, ka thënë profesor Bytyçi.

Profesori i njohur deklaron gjithashtu se ministri Quni në kohën e luftës në Kosovë nuk e ka njohur Rognerin, as është sorollat bregut të Golemit për te grabit ndonjë pasuri të shqiptarëve me bekimin e Fatos Klosit dhe ish-kryeut socialist të kohës së luftës.

“Anton Quni ishte pjesë e betejave kundër ushtrisë dhe policisë serbe, ishte luftëtar idealist për çlirimin e Kosovës nga pushtimi dhe sundimi i Serbisë. Ai ishte luftëtar i Betejës historike të Koshares, betejë të cilën Wesli Clarc e vlerëson si deçizive në librin e tij “Të bësh Luftë Moderne”! Madje ai e quan atë betejë si një ndihmesë të madhe për fushatën ajrore ushtarake të NATO-s kundër Serbisë dhe për mposhtjen e Milosheviçit. Ndaj nuk ka shanse që një komandant lufte si Anton Quni të refuzohet nga ndërkombëtarë që ia duan të mirën Kosovës. Ndoshta ka ndodh nga ndonjë ndërkombëtar që dëshiron të mirën e Serbisë. Duket qartë se Xhavit Haliti është xheloz, sepse historia e luftës në Kosovë do të shkruajë për Kosharen, Agim Ramadanin dhe shokët e tij, si Anton Quni, ndërkohë që për Xhavitin nuk ka të shënuar asnjë akt lufte për çlirimin e Kosovës”, ka deklaruar Bytyçi.

Krejt në fund ai thekson se duket qartë se Halitët nuk kanë profesion dhe ideal dashurinë për atdheun, por kanë për profesion intrigën, shpifjen dhe denigrimin e të tjerëve, dhe se akti që Anton Quni është tashmë ministër i Mbrojtjes i Republikës së Kosovës, sipas profesorit, dëshmon se ndërkombëtarët pro Kosovës nuk kanë pasur kurrë ndonjë qëndrim refuzues ndaj tij.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat