Mulliqi: Është koha që ankthin dhe frikën ta lëmë mbrapa, Qeveria Kurti filloi për së mbari - Bota Sot
Mulliqi: Është koha që ankthin dhe frikën ta lëmë mbrapa, Qeveria Kurti filloi për së mbari

Politika

Mulliqi: Është koha që ankthin dhe frikën ta lëmë mbrapa, Qeveria Kurti filloi për së mbari

Nga: D.B. Më: 14 shkurt 2020 Në ora: 20:16
Kryeministri Albin Kurti

Vendimet e fundit të Qeverisë Kurti, në raport me qeverisjen e kaluar na bindin edhe njëherë, se korrupsioni në Kosovë nuk mund të ushqehet më. Këto vendime nga ana e Kurtit, nuk do të duhej ta befasonin askënd, sepse janë vendime për të cilat ai është zotuar se do ti marr, sapo të vij në postin e kryeministrit.

Analisti politik Skënder Mulliqi në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka thënë se të gjitha qeveritë deri me sot nuk punuan mirë dhe se nuk hartuan asnjë program afatgjatë apo edhe afatshkurtër të zhvillimit ekonomik.

Sipas tij, buxhetet qeveritare ishin më shumë emergjente, e për të qenë e keqja edhe më e madhe, këto buxhete u dedikuan në infrastrukturën rrugore apo edhe diku tjetër, më qëllim më shumë të përfitimeve individuale.

Image
Skender Mulliqi

“Këto keqpërdorime edhe e sollën situatën e keqe politike dhe ekonomike. Pagat e pushtetarëve ishin në disproporcion me pagat mesatare shumë të ulëta në Kosovë. Erdhëm deri të diskriminimi i hapur i pushteteve karshi qytetarëve të cilët shumica po jetojnë keq. Dhe në fund, pas një kohe të gjatë erdhi koha e një vetëdijesimi më të madh, që vota mos të qitet më bllanko. Kjo ndodhi në këto zgjedhje të fundit nacionale, ku votuesit u përcaktuan që ti votojnë ata që do të punojnë sigurisht më mirë për mirëqenie. Qeveria e re Kurti punën e saj ia nisi për së mbari dhe se hapi i parë dhe i qëlluar ishte zvogëlimi i resoreve ministrore dhe kthimi i pagave të larta të qeveritareve në nivelin e mëparshëm”, ka thënë analisti politik Skender Mulliqi.

Sipas tij, ishte e qëlluar edhe heqja e vendeve të prodhuara të punës në shumë resore qeveritare, duke e kursyer shumë buxhetin e varfër të Kosovës.

“Kosova si shtet dhe shqiptarët si popull i këtij nën qielli, u lanë pas dore për shume vite, dhe harresa e qëllimshme është e rendë. Vendimet dhe fillimin e mirë të punës të Qeverisë së re, duhet të gjithë më e përshëndetur pa dallime partiake. Opstrukcionet e Opozitës që ju paraqiten në start, nuk do te mungojnë ndoshta edhe gjate mandatit qeverisës që është jo korrekte, dhe nuk janë për të mirën e vendit. Zbatimi i reformave të premtuara gjatë fushatës elektorale të këtij koalicioni, do ta kthejnë besimin e humbur në institucione të shtetit, si dhe do të rritet edhe përkrahja nga ana e qytetarëve. Është koha që ankthin dhe frikën për të ardhmen tonë ta lëmë mbrapa. Ti lëmë mbrapa gjithë ato të liga që na goditen bashkë më protagonistet e tyre. Sfidat janë të mëdha sigurisht, por njerëzit më dinjitet dhe moral të lartë, në sfida edhe tregohen. Mua më duket së kjo qeveri i ka të gjitha kapacitetet, për ti avancuar proceset demokratike dhe ato zhvillimore përpara”, ka thënë analisti politik Skënder Mulliqi.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat