Albin Kurti “turpëroi” Ramush Haradinajn - Bota Sot
Albin Kurti “turpëroi” Ramush Haradinajn

Politika

Albin Kurti “turpëroi” Ramush Haradinajn

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 16 shkurt 2020 Në ora: 08:20
Albin Kurti

“Elektorati që e votoi VV-në dhe Kurtin, e votuan duke dashur veprime e vendime si këto që po i ndërmerr tani, andaj nuk do të duhej që dikush të befasohet, po të donte elektorati vazhdimësi të gjërave siç ishte gjerë më tani, nuk do ti jepte Kurti mandatin që ti prijë qeverisë. Nuk ka premtuar Kurti se do ta bëj Kosovën Zvicër, as nuk presin nga qeveria e re një gjë të tillë, ata presin ndalje të praktikave të dëmshme të aplikuara nga qeveritë paraprake’, ka thënë deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e VV-së Shpejtim Bulliqi.

Në mbledhjen e fundit të qeverisë së Kosovës, Kryeministri Albin Kurti, shfuqizoi disa vendime të qeverisë së kaluar të udhëhequr nga Ramush Haradinaj. Ndër këto vendime ishin edhe ai për zvogëlimin e pagave për Kryeministrin, ministrat dhe vartësit e tjerë qeveritar dhe vendimi për shkarkimin e disa koordinatorëve.

Këto vendime të Qeverisë Kurti, sipas analistëve dhe përfaqësuesëve të pozitës, bindin edhe njëherë, se korrupsioni në Kosovë nuk mund të ushqehet më.

Dallimi i Qeverisë së Kurtit nga qeveria e kaluar, është si dita me natë, për faktin se derisa ish-kryeministri Ramush Haradinaj dëmtonte në vazhdimësi buxhetin e Kosovës, bashkë me ministrat e tij, duke rritur rrogat në 100%, për përfitimet e tyre materiale, kryeministri Albin Kurti po i zvogëlon ato.

Bunjaku-Rexhepi: Vendimet e fundit të kryeministrit Kurti janë në harmoni me LDK-në, në favor të qytetarëve të vendit

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e LDK-së Valentina Bunjaku-Rexhepi, ka thënë për gazetën “Bota sot” se edhe në kohën e bisedimeve dhe negociatave për koalicion ndërmjet LDK-së dhe LVV-së është diskutuar për qeverisjen ndryshe nga qeveria e kaluar.

Image
Valentina Bunjaku-Rexhepi

Sipas saj, kjo nënkupton të merren vendime në harmoni me programin e dy partive në pushtet sot.

“Andaj vendimet e fundit të kryeministrit Kurti janë në harmoni me LDK-në dhe në favor të qytetarëve të vendit në përputhje me ndryshimet për të cilat ata kanë votuar me 6 tetor 2019. Për rezultatet e këtyre vendimeve tregon koha dhe efektet që ato do japin në vazhdim”, ka thënë deputetja e LDK-së Valentina Bunjaku.

Bulliqi: Kurti nuk ka premtuar se do ta bëj Kosovën- Zvicër, por ndalje të praktikave të dëmshme të qeverive paraprake

Kurse, deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e VV-së Shpejtim Bulliqi, ka thënë se, është më se normale që të kemi në Kosovë këso vendime nga kryeministri, sidomos kur kemi të bëjmë me periudhën sa qeveria paraprake ishte në dorëheqje.

Image
Shpejtim Bulliqi

“Elektorati që e votoi VV-në dhe Kurtin, e votuan duke dashur veprime e vendime si këto që po i ndërmerr tani, andaj nuk do të duhej që dikush të befasohet, po të donte elektorati vazhdimësi të gjërave siç ishte gjerë më tani, nuk do ti jepte Kurti mandatin që ti prijë qeverisë. Nuk ka premtuar Kurti se do ta bëj Kosovën Zvicër, as nuk presin nga qeveria e re një gjë të tillë, ata presin ndalje të praktikave të dëmshme të aplikuara nga qeveritë paraprake’, ka thënë deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e VV-së Shpejtim Bulliqi.

Mehazi: Qeveria e Haradinajt ushqente korrupsionin, kurse qeveria e re Kurti, që në fillim e lufton korrupsionin

Ndërsa, njohësi i çështjeve politike profesor Sulejman Mehazi, ka thënë se dallimi i Qeverisë së Kurtit nga qeveria e kaluar, është si dita me natë, për faktin se derisa ish-kryeministri Ramush Haradinaj dëmtonte në vazhdimësi buxhetin e Kosovës, bashkë me ministrat e tij, duke rritur rrogat në 100%,për përfitimet e tyre materiale, kryeministri Albin Kurti po i zvogëlon ato.

Image
Sulejman Mehazi

Sipas tij, Kurti po vepron bashkë me ministrat e tij në dëm të tyre, e për të mirën e Kosovës, të cilët përgjysmuan jo vetëm rrogat e tyre, por edhe departamentet ministrore në pesëmbëdhjetë.

“Kryeministri Kurti, po ashtu pas shkuarjes në Shqipëri zbuti sado pak edhe marrëdhëniet e ftohta të qeverisë së kaluar kundrejt Edi Ramës. Në qeverinë e kaluar në krye të shtetin dominonit burrat, kurse tani, në krye të qeverisë së Kurtin shumica janë gra në krye me Vjosa Osmanin. Pra Qeveria e re e Kurtit shkarkon të gjithë funksionarët jo profesional, të vetëkënaqur, të pa aftë e të korruptuar të qeverisë se kaluar. Qeveria e Haradinajt ushqente korrupsionin, kurse qeveria e re Kurti që në fillim e lufton korrupsionin. Gjatë qeverisë së kaluar shkaku i tarifave jo vetëm që u ndërpre dialogu me Serbinë, por Kosova u izolua ndërkombëtarisht. E me ardhjen e Kurtit dhe me shfuqizimin e tarifave serbe e fuqizimin e reciprocitetit, Kosova do të marrë përkrahje ndërkombëtare nga BE-ja dhe SHBA-ja. Dita e mirë shihet që në mëngjes, kështu që ditët e fillimi të Kurtit si Kryeministër janë të mbara për Kosovën dhe popullatën e saj”, është shprehur njohësi i çështjeve politike profesor Sulejman Mehazi.

Mulliqi: Zbatimi i reformave do ta kthejë besimin e humbur në institucione të shtetit

Kurse, analisti politik Skender Mulliqi, ka thënë se të gjitha qeveritë deri më sot nuk punuan mirë dhe se nuk hartuan asnjë program afatgjatë apo edhe afatshkurtër të zhvillimit ekonomik.

Image
Skender Mulliqi

Sipas tij, buxhetet qeveritare ishin më shumë emergjente, e për të qenë e keqja edhe më e madhe, këto buxhete u dedikuan në infrastrukturën rrugore apo edhe diku tjetër, më qëllim më shumë të përfitimeve individuale.

“Këto keqpërdorime edhe e sollën situatën e keqe politike dhe ekonomike. Pagat e pushtetarëve ishin në disproporcion me pagat mesatare shumë të ulëta në Kosovë. Erdhëm deri të diskriminimi i hapur i pushteteve karshi qytetarëve të cilët shumica po jetojnë keq. Dhe në fund, pas një kohe të gjatë erdhi koha e një vetëdijesimi më të madh, që vota mos të qitet më bllanko. Kjo ndodhi në këto zgjedhje të fundit nacionale, ku votuesit u përcaktuan që ti votojnë ata që do të punojnë sigurisht më mirë për mirëqenie. Qeveria e re -Kurti punën e saj ia nisi për së mbari dhe se hapi i parë dhe i qëlluar ishte zvogëlimi i resoreve ministrore dhe kthimi i pagave të larta të qeveritareve në nivelin e mëparshëm”, ka thënë analisti politik Skender Mulliqi.

Sipas tij, ishte e qëlluar edhe heqja e vendeve të prodhuara të punës në shumë resore qeveritare, duke e kursyer shumë buxhetin e varfër të Kosovës.

“Kosova si shtet dhe shqiptarët si popull i këtij nën qielli, u lanë pas dore për shume vite, dhe harresa e qëllimshme është e rendë. Vendimet dhe fillimin e mirë të punës të Qeverisë së re, duhet të gjithë më e përshëndetur pa dallime partiake. Opstrukcionet e Opozitës që ju paraqiten në start, nuk do te mungojnë ndoshta edhe gjate mandatit qeverisës, që është jo korrekte, dhe nuk janë për të mirën e vendit. Zbatimi i reformave të premtuara gjatë fushatës elektorale të këtij koalicioni, do ta kthejnë besimin e humbur në institucione të shtetit, si dhe do të rritet edhe përkrahja nga ana e qytetarëve. Është koha që ankthin dhe frikën për të ardhmen tonë ta lëmë mbrapa. Ti lëmë mbrapa gjithë ato të liga që na goditen bashkë më protagonistet e tyre. Sfidat janë të mëdha sigurisht, por njerëzit më dinjitet dhe moral të lartë, në sfida edhe tregohen. Mua më duket së kjo qeveri i ka të gjitha kapacitetet, për ti avancuar proceset demokratike dhe ato zhvillimore përpara”, ka thënë analisti politik Skender Mulliqi.

Zogaj: Qeveria Kurti e ka nisur me vullnet të fortë për ndryshimin e gjendjes

Analisti politik Skender Zogaj, ka thënë se jemi dëshmitarë të qeverisjeve skandaloze që i kanë përjetuar qytetarët e Kosovës gjatë 20 viteve të kaluara.

Image
Skender Zogaj

Sipas tij, janë me qindra vendime që janë aprovuar për qëllime përfitimesh të garniturave të caktuar qeverisëse, të cilat i kanë ndryshua vendimet duke i deformua ligjet, që nga komunat e deri te Kuvendi i Kosovës.

“ E them këtë sepse Qeveria Kurti nuk do ta ketë aspak lehtë që ta përmirësojë gjendjen, sepse dihet që edhe vendimet më joligjore, gëzojnë mbrojtje ligjore, sidomos në rrethanat tona kur dihet se drejtësia është llastik. Qeveria Kurti e ka nisur me vullnet të fortë për ndryshimin e gjendjes. Andaj vendimi për zvogëlimin e pagës së kabinetit kryeministror, është një gjest jashtëzakonisht i mirë dhe domethënës që është mirëpritur. Të gjithë pajtohemi se vendi ka nevojë për ndryshime të thella dhe të mëdha dhe shpresojmë fort se do të ndodhin. Mirëpo, kjo nuk do të jetë aspak e lehtë sepse korrigjimeve që duhet të bëhen, duhet të kapërcejnë nëpër shumë "giotina" të rrezikshme. Mirëpo, nëse Qeveria Kurti e ka seriozisht, e ka shansin të realizojë kthesën e madhe historike që e dëshirojnë dhe e meritojnë qytetarët e Kosovës”, ka thënë analisti politik Skender Zogaj.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat