Albin Kurti nxiu Edi Ramën dhe skuqi Hashim Thaçin në Mynih

Politika

Albin Kurti nxiu Edi Ramën dhe skuqi Hashim Thaçin në Mynih

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 18 shkurt 2020 Në ora: 11:33
Konferenca në Mynih

“Sfida e Albinit nxiu Ramen e skuqi Thaçin, por Qosja vazhdon ta mbjellë idenë e shkëmbimeve të trojeve a territoreve. Edhe shfaqja e radhës e teatrit politik në Mynih nxori në skenë gati njëjtë sherre shqiptarësh e sherre shqiptarësh e serbësh. Megjithëse Albini shkëlqeu me batutën e tij dhe i mundi me fjalë në ring”, ka thënë analisti Rexhep Shahu për “Bota sot”.

Javën e kaluar në Mynih të Gjermanisë është mbajtur Konferenca e Sigurisë. Pjesëmarrës në këtë konferencë ishte presidenti i vendit, Hashim Thaçi, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe kryeminsitri i Shqipërisë, Edi Rama. Ishte kryeministri Kurti, ai i cili u gjend përballë presidentit të Serbisë, Aleksander Vuçiq dhe që mbajti një fjalim që bëri jehonë të madhe në Kosovë.

“20 vite më parë, gati të gjithë ju, na ndihmuat neve që të çlirohemi nga Serbia. Unë mendoj se tash është koha që Serbia të çlirohet nga Kosova. Pas çlirimit të Kosovës nga Serbia, na duhet çlirimi i Serbisë nga Kosova. Ne u çliruam sepse ishim të okupuar, ndërsa Serbisë i duhet çlirimi sepse Kosova është një kurth për Serbinë. Sa më shpejtë që Serbia të çlirohet nga Kosova, do të jetë më mirë për te dy palët dhe për të gjithë Ballkanin Perëndimor”, u shprehë Kurti.

Atje morën pjesë edhe liderë e personalitete nga e gjithë bota. Gjithashtu atje ishte edhe ish-Sekretarja amerikane e Shtetit, Madeleine Albright.

Vendosmëria dhe përkushtimi i Sekretares Albright për ta ndalur gjenocidin në Kosovë dhe për t’ia kthyer lirinë dhe shpresën një populli të shtypur ishin kruciale për të ardhmen e popullit tonë. Sekretarja Albright, ishte e pakompromis ndaj dhunës që regjimi i Millosheviqit po ushtronte në Kosovë.

Kryeministri Kurti, së fundmi ka pasur edhe një takim me kryeministrin Rama, duke gjetur një mosmarrëveshje të tyre në lidhje me Minishengenin.

Dy Kryeministrat duket se gjatë takimit larg mediave kanë pasur mendime të ndryshme sa i takon idesë së krijimit të një minishengeni në Ballkan mes vendeve të rajonit. Kështu duke u parë edhe haptazi që mes tyre ka një mosmarrëveshje e cila edhe gjatë konferencës në media u reflektua në momentin kur kundërshtonin njëri-tjetrin për minishengenin.

Ahmeti: Zoti Kurti e Rama duhet të jenë unik në interesat e përbashkëta të të dyja shteteve

Analisti politik, Hidajet Ahmeti në një prononcim për “Bota sot”, u shpreh se të dy kryeministrat duhet t`i largojnë keqkuptimet që kanë dhe të fokusohen në zgjidhjen e problemeve të dy shteteve. Sipas Ahmetit të dy përfaqësuesit e dy shteteve duhet të kenë strategji afatgjatë për faktorizimin e shqiptarëve në Ballkan.

Image
Hidajet Ahmeti

“Gjykoj se fjalori i zotit Kurti ishte brenda kornizave objektive të realitetit faktik. Në atë takim zoti Kurti përfaqësoj në mënyrë të dinjitetshme e përgjegjshme qytetarët e Republikës së Kosovës dhe bindi diplomatët dhe përfaqësuesit perëndimor për një logjikë ndryshe nga qeveritë e kaluara të Republikës së Kosovës. Mendoj se argumentet e tilla duhet përkrahur nga të gjithë, pasi në atë rast nuk kemi të bëjmë me personalitetin Kurtit, por një kryeministër që përfaqëson Republikën e Kosovës dhe interesat e saj. Zoti Kurti e Rama duhet të jenë unik në interesat e përbashkëta të të dyja shteteve apo mospajtimet e tyre konceptuale për çështje dhe interesa të përbashkëta t’i zgjedhin në diskutimet joformale. Mendoj se në këtë situatë politike , dy përfaqësuesit e dy shteteve shqiptare duhet të kenë strategji afatgjatë për faktorizimin e shqiptarëve në Ballkan e jo të ndërtojnë hendek për bashkëpunim e fuqizim të shteteve shqiptare”, tha Ahmeti.

Më tej, Ahmeti shprehët që mospajtimet në mes tyre duhet të zgjidhën në vijën paralele të interesave të të dyja shteteve duke i dhënë kahje të fuqizimit dhe faktorizimit ndërkombëtar, ndryshe janë qytetarët të cilët do t’i gjykojnë proceset.

“Këto veprime të tilla më së paku i konvenojnë interesave gjeostrategjike të shqiptarëve, por edhe qytetarëve të të dyja shteteve. Shqipëria si shtet e veçanërisht Kryeministri Rama nuk duhet të veprojë njëanshëm, pasi edhe në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë e ka obligim të kujdeset dhe të mbrojë interesat e shqiptarëve jashtë kufijve administrativ të Shqipërisë. Mospajtimet në mes tyre duhet të zgjidhën në vijën paralele të interesave të të dyja shteteve duke i dhënë kahje të fuqizimit dhe faktorizimit ndërkombëtar, veprimet e tilla më së paku i përgjigjën realitetit faktik dhe interesave afatgjate. Besoj shumë që mospajtimet të tilla nuk do të përsëritën , pasi Shqipëria e Kosova si shtete duhet të jenë në nivelin e detyrës për t’i arritur objektivat drejt qëllimeve finale që i kërkojnë qytetarët e të dyja shteteve, ndryshe janë qytetarët të cilët do t’i gjykojnë proceset dhe nuk do të durojnë njerëz që potencialisht mund të tradhtojnë interesat qytetare e shtetërore”, përfundon Ahmeti, për “Bota sot”.

Shahu: Nuk do doja që Albini të binte në kurthin e Rames

Njohësi i çështjeve politike, Rexhep Shahu, në një bashkëbisedim me “Bota sot”, tha që fjalimi i Kurtit ishte i shkëlqyeshëm dhe se dëshmoi edhe njëherë që nuk mund të ketë shkëmbim të trojeve të territoreve.

Image
Rexhep Shahu

“Albini shkëlqeu në Mynih, e sfidoi Edi Ramen dhe gjithë shqiptarët e atyshëm, dhe ata partizanët e pazareve me harta të Kosovës, por vetëm kaq, pasi tryeza e Munihut nuk ishte garë batutash të forta. Edhe Sali Berisha në një konferencë të tillë në Mynih deklaroi si sfidat se nuk klonohen 5 kombe shqiptare, kur foli kundër albanofobise. Sfida e Albinit nxiu Ramen e skuqi Thaçin, por Qosja vazhdon ta mbjellë idenë e shkëmbimeve të trojeve a territoreve. Edhe shfaqja e radhës e teatrit politik në Mynih nxori në skenë gati njëjtë sherre shqiptarësh e sherre shqiptarësh e serbësh. Megjithëse Albini shkëlqeu me batutën e tij dhe i mundi me fjalë në ring.

Kundërshtarët shqiptarë, sërish si në histori shqiptarët u shfaqen qesharakë me aq shumë përfaqësues e të përçarë mes tyre, si ne fillim të pavarësisë së Shqipërisë”, tha Shahu.

Tutje Shahu, shprehet që Kurti nuk duhet të bie në kurthin e Ramës pasi ky i fundit dëshiron me çdo kusht të flitet për të si për të mirë ashtu edhe të keq.

“Nuk do doja që Albini të binte në kurthin e Rames i cili do veç të flitet për të qoftë mirë apo keq, por veç të flitet nga vendas e të huaj se ashtu si ndjehet në fron gjithë kohës. Rama i shërben me çdo çmim mendjes së vet pasi ai nuk ka çfarë humbet veç pushtetit që po i soset, ndërsa Albini duke u marre me Ramen kam frikë se do të bëhet pak Rame. Rama do me çdo kusht të përflitet nga Albini e nga të gjithë. Presidenti serb Vuçiq e lavdëroi Ramen, atij i intereson dhe nëse e shan Albini atij i intereson. Do të doja që Albini të bëhet pak Rugovë të sfidonte me heshtje si, pasi Rugova ka ditë më folë më shumë e më mirë se gjithë politikanët shqiptarë, por ka folë me heshtje dhe ka fituar”, përfundon Shahu.

Burjani: Kurti nuk e do kurrfarë minishengeni në Ballkan

Juristi dhe analisti politik, Blerim Burjani, në një prononcim për “Bota sot”, tha që minishengeni është imagjinatë dhe se nuk do të ndodhë, dhe se Rama duhet të rezervohet në fjalët në raport me Kosovën.

Image
Blerim Burjani

“Nuk do të ketë kurrëfar minishengeni ballkanik dhe imagjinatë e Edit dhe Vuçiqit, jo vetëm ky kryeministër por të gjithë në Kosovë mendojnë se nuk mund të ketë emiticion të BE, në Ballkan. Kjo çështje nuk mund më as të diskutohet, Rama vet duhet të përmirësojë qëndrimet politike dhe të rezervohet nga fjalori që i ngjason atij gjithmonë sjellje jo e hijshme në raport me liderë të shtetit të Kosovës”, tha Burjani.

Në fund, Burjani u shpreh që Kurti nuk e do minishengenin në Ballkan gjersa Shqipëria e dëshiron. në mënyrë që të ketë gjasa të hyjë në BE.

“Kurti po sikur Ramushi, përveç Hashimit nuk e do kurrëfar minishengeni në Ballkan e as asnjë lloj unioni doganor ballkanik Rama duhet të heq dorë nga këto lojëra që janë pjesë e interesit të Serbisë dhe Shqipërisë për të hyjë në BE. Siç dihet Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut po iu rritën gjasat të hynë në BE pasi Franca ka premtuar angazhimin e saj të mos bllokoj anëtarësimin e tyre, këtu jashtë mbetet Serbia, këto favore që dëshirohet të i bëhet Serbisë nuk po gjen përkrahje në Kosovë”, përfundoi Burjani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat