Kjo është arsyeja pse po ikin rinia nga Kosova

Politika

Kjo është arsyeja pse po ikin rinia nga Kosova

Nga: D.B. Më: 18 shkurt 2020 Në ora: 11:51
Foto Ilustrim

Se sa serioz do të jetë ndikimi i lejimit të punësimit në Gjermani për të rinjtë pas 1 marsit, dhe se a do të ndodhë vërtet zbrazja masive e vendit, analisti politik Ejup Berisha ka thënë për gazetën “Bota sot” se ndonëse ikja e të rinjve nga Kosova nuk është ndonjë risi, megjithatë politika duhet të bëj shumë për të parandaluar një gjë të tillë sa nuk është bërë tepër vonë.

“Edhe pse ikja me të madhe e të rinjve nga Kosova nuk është ndonjë risi megjithatë duhet ndaluar. Ikja nga vendi ka ndodhur në fillim të viteve të 90 të shekullit të kaluar ku si rezultat i okupimit të Kosovës nga ana e Serbisë dhe si pasojë e një represioni dhe persekutimi shumë të vrazhdë dhe të egër të popullatës shumicë shqiptare nga ana e forcave okupatore serbe nga territori i Kosovës u shpërngul një numër i konsiderueshëm i njerëzve në mesin e tyre edhe të rijnë nga Kosova”, ka thënë analisti politik Ejup Berisha, duke shtuar se në këtë të rinjtë kohë ikën nëpër vende të ndryshme të Evropës Perëndimore dhe nëpër vende tjera të largëta të botës.

Image
Ejup Berisha

Sipas tij, atëherë ishte me rëndësi ta braktisej vendi dhe të shpëtohet koka por edhe të sigurohej ekzistenca materiale, jo vetëm e vetvetes por edhe e familjarëve të mbetur në Kosovë.

“Pasi që ndodhi revolucioni në vitet 1998/99 pas luftës çlirimtare e cila përfundoi me ngadhënjimin e forcave çlirimtare shqiptare të përkrahura dhe të ndihmuara nga populli lindi shpresa e madhe jo vetëm për një jetë në liri por edhe për një jetë më të mirë prandaj një numër i konsiderueshëm i të rinjve të ikur nga Kosova filloi të kthehet në Kosovë. Por në vitet e më vonshme filloi të ndjehet zhgënjimi edhe i atyre të rinjve që u kthyen në vendlindje por edhe i atyre të cilit ishin në Kosovë. Por këtë zhgënjim tanimë të rinjtë e Kosovës nuk e kishin nga pushteti okupues serb por nga pushteti që u instalua nga vetë shqiptarët e Kosovës”, ka thënë analisti politik Ejup Berisha.

Ai tutje ka shtuar se ky pushtet i ri ashtuquajtur popullor nuk arriti të krijoj kushte më të mira për të rinjtë prandaj edhe nga periudha e viteve 2000 deri më ditët e sotme ka vazhduar dhe po vazhdon largimi i të rinjve nga Kosova.

“Tani ndoshta shkaqet për ikjen e të rinjve janë më shumë ekonomike por të nxitura nga politikat e gabuara por dhe nga qeverisja e keqe dhe jodemokratike e elitave politike shqiptare të Kosovës. Këto elita e monopolizuan politikën e monopolizuan ekonominë por edhe politikën e punësimeve prandaj të rinjtë duke mos pa perspektivë jo vetëm për jetë më të mirë por edhe për një jetë normale e kanë vazhduar ta braktisin por edhe po e braktis vendin. Tani paralajmërohet se Gjermania dhe vende të tjera të Evropës të ballafaquara me mungesë të fuqisë punëtore më shumë të kualifikuar por edhe të pakualifikuar do ti lehtësojnë kushtet për punësim të njerëzve dhe kjo e rritë rrezikun për ikje më të madhe të të rinjve jo vetëm së nga Kosova por edhe vende të tjera të rajonit”, ka thënë analisti politik Berisha.

Sipas tij, problemi i ikjes së të rinjve nuk është vetëm problem i shtetit të Kosovës, por është një problem global.

“Ky problem është global, megjithatë më i theksuar është tek ne, sepse ne na duhet rinia shqiptare në Kosovë, meqë e tashmja dhe ardhmëria u takon të rinjve. Mendoj se një shtet pa rini të kyçur në ekonomi dhe politikë nuk ka zhvillim përparim por as edhe ardhmëri. Krijimi i kushteve më të mira për jetë të të rinjve me qëllim ndalimin e ikjeve me të madhe të tyre nga Kosova i takon pushtetit të ri të ndryshimit dhe shpresës. Duhet menjëherë të ofrohen mundësi jo vetëm së për punësimin e tyre por edhe për rritjen e pagave meqë askush nuk është më budalla që të qëndroj e të punoj në vendlindje dhe të kontribuoj për pak fitim. Të gjithë njerëzit kanë të drejtë për kushte më të mira për jetë”, ka thënë analisti politik Ejup Berisha.

Ai konsideron se pushteti i ri në Kosovë i instaluar nga forcat politike LVV dhe LDK, nëse ka nevojë duhet ti lerë anash të gjitha obligimet dhe aktivitet e tjera politike, për të bërë më shumë për rininë.

“Forcat politike duhet ti lënë anash të gjitha obligimet dhe aktivitet e tjera politike, madje edhe dialogun me Serbinë si dhe anëtarësimin e Republikës së Kosovës në ndonjë organizatë ndërkombëtare. E them këtë pasi me nxitim duhet të angazhohet për projekte për hapje të vendeve të reja punësimi të të rinjve, sepse pa rininë e stabilizuar dhe të rehatuar vendore nuk na duhet as shteti. Pushteti i ri duhet të krijoj kushte të njëjta dhe më të volitshme punësimi dhe fitimi e jo të mbaj monopol në punësim siç kanë bërë elitat e mëparshme politike ne Republikën e Kosovës”, ka thënë analisti politik Ejup Berisha.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat