Kosova po mbetet pa rini!

Politika

Kosova po mbetet pa rini!

Kushtrim Maliqi Nga Kushtrim Maliqi Më 19 shkurt 2020 Në ora: 21:11
Foto ilustrim

“Duke qenë dëshmitarë të rrjedhave sidomos deri në formimin e kësaj qeveria, vonesat të cilat i shkaktuan derisa i formuan institucionet. Kurti do ta ketë problem edhe për shkak të kohës së shkurtër që e ka përpara për të ndërhyrë, duke tentuar që më së shumti të merret me zhvillim ekonomik e luftim të korrupsionit, e edhe në këto tema ka dilema të mëdha, nga kjo mund të them se kjo qeveri mund të sjell vetëm ndonjë ndryshim kozmetik, e aspak të vërtetë e gjerneroz", është shprehur Mustafë Kadriaj.

Qytetarët e Republikës së Kosovës, që nga dita e çlirimit, përgjatë viteve të para të mileniumit të ri, janë munduar që disi ta gjejnë veten për të qëndruar në këmbë, kush si ka mundur, ekonomikisht. Pesë vitet e para të pas çlirimit, janë mirëkuptuar tek qytetarët si vite të rimëkëmbjes së vendit dhe qytetarët nuk kanë pasur edhe pritshmëri të mëdha. Më pas nga politika ka filluar të propagandohet për një jetë të mirë, pas pavarësisë, e cila megjithatë ndodhi vetëm në vitin 2008.

Që nga viti 2008, deri më sot janë bërë plot 12 vite që kur qytetarët e Republikës së Kosovë janë në pritje të një dite kur nuk do të shqetësohen për të gjetur një vend pune, ku nuk do të kenë brenga se si do ta paguajnë mjekun nëse sëmuren, ku nuk do të shqetësohen se po iu ikën mosha, pasi që i pret një pension i dinjitetshëm, e shumë, e shumë gjëra të tjera, që një vend normal duhet t`i ketë të garantuara për qytetarët e saj.

Lidhur me të gjitha këto çështje, madje sikur të mos mjaftonin këto, qytetarët e Republikës së Kosovës, edhe sot e kësaj dite janë të vetmit në rajon që nuk mund të lëvizin pa viza, ambasadat në Prishtinë edhe më tutje para dyerve presin qindra qytetarë brenda ditës, të gjithë këta të interesuar që ta lëshojnë Republikën e Kosovës. Në anën tjetër, siç është thënë gjithmonë, çka edhe është e vërtet, se rinia e vendit është më e shëndosha në rajon.

Emigrimet, qoftë edhe në mënyrë ilegale, e madje edhe të rrezikshme jo rrallë herë, kanë qenë ndër opsionet, me anë të të cilave qytetarët, e sidomos të rinjë e të reja, kanë tentuar që ta zgjidhin fatin e tyre të jetës në aspektin e mirëqenies, duke ia mësyrë perëndimit.

Duke pasur parasysh të gjitha këto që i thamë më lartë, qeveria e Gjermanisë së fundi përveç disa lehtësirave në të kaluarën, ka paralajmëruar se që nga muaji mars, do të aplikojë disa lehtësira për ata që duan të punojnë në Gjermani, e ku futen edhe qytetarët e Republikës së Kosovës, ani pse pa liberalizim të vizave. Se si do të ndikojë kjo gjë, në ndonjë krizë potenciale civile e profesionale në Republikën e Kosovës, mbetet të shihet, pasi që sot, nëpër kafenet e qyteteve të vendit vetëm një temë dëgjohet, si të ikem nga Republika e Kosovës.

Duhanaj: Qytetarët do të ikin duke kërkuar mundësi të barabarta

Analisti Leon Duhanaj, në një prononcim për "Bota sot" ka thënë se është evidente dëshira e qytetarëve të vendit për tu larguar në kërkim të një jete më të mirë, jo vetëm financiare, por edhe të qëndrueshme në prizmin e mirëqenies në përgjithësi.

Image
Leon Duhanaj

"Vendimi i qeverisë gjermane që nga marsi t'i mënjanoi disa nga barrierat për sa i përket pajisjes me viza pune të qytetarëve kosovarë, në me të paktën do ta mbajë lartë numrin në rritje të qytetarëve të cilët do ta lëshojnë Kosovën.

Në shikim të parë, nuk duket të ketë ndryshim të madh. Janë hequr procedurat e verifikimit të punëkërkuesve në raport me qytetarët gjerman apo të BE-së të cilat kanë qenë një barrierë për vende të caktuara të punës. Tani ky verifikim do të hiqet dhe, secili që siguron një marrëdhënie përkatësisht kontratë pune do të pajiset me vizë. Kjo vlen për profesionet gjegjësisht për kandidatet e cilësuar si ekspert të fushave, pra të shkolluar.

Natyrisht që për ketë kategori, ka edhe trajtim me të shpejt të procedimit të vizave, çka e bën edhe me të shpejtë pajisjen e tyre me viza.

Për Kosovën dhe qytetarët e saj, kjo do të thotë edhe me shumë emigrim, edhe me shumë ikje në kërkim të një jete me të mirë, ku disa nga pikat kyçe do të mund të vlerësoheshin stabiliteti financiar dhe siguria e përgjithshme, barazia para ligjit dhe mundësive të barabarta.

Çfarë mund dhe duhet të bëj Kosova përkatësisht qeveria e saj? Duhet të punoj me përkushtim dhe seriozitet të plotë që në radhë të parë të ketë një stabilitet në marrëdhëniet punëdhënës- punëmarrës .

Të realizohen premtimet për sigurimet shëndetësore.

Të rregullohen raportet tarifore për pagat në sektorin privat dhe të përcaktohet me ligj niveli i pagave minimale, si dhe rritja e tyre bazuar në rritjen e shkallës së inflacionit.

Qytetarët e Kosovës, nuk gjejnë më asnjë motiv për të qëndruar në një vend, ku u mungon gjithçka, nga mirëqenia e deri tek perspektiva për ta dhe fëmijët e tyre, kështu që nëse nuk ndërmerren hapa konkret në sanimin e gjendjes, Kosova do të vazhdoj të zbrazët dhe, e ardhmja e sajë do të jetë shumë e zymtë", është shprehur Duhanaj.

Kryeziu: Investimet e huaja dhe nga diaspora, një mundësi e mirë që të ofrojë perspektivë në vend

Njohësi i zhvillimeve në vend, Nexhet Kryeziu i cili ka folur për "Bota sot" në lidhje me këtë çështje, ka thënë se ani pse ende nuk ka ardhur muaji Mars, zbrazja e vendit tashmë ka marrë formë dhe krejt çka duhet të bëjmë është që të punojmë fuqishëm në mekanizma që ndihmojnë ta ndalin këtë gjë.

Image
Nexhet Kryeziu

"Ballkani në përgjithësi dhe Kosova në veçanti ka qenë burim i fuqisë punëtore për vendet e industrializuara e sidomos nga Gjermania, pasi që atje për shkak të zhvillimit të madh ekonomik dhe natalitetit të ultë ka mungesë së fuqisë punëtore që tenton ta kompensojë me imigrim. Kosova do të preket edhe më shumë me emigrim pasi që vendo do të mbetet pa gjeneratën e re, rrjedhimisht edhe pa fuqi të freskët punëtore.

Zbrazja tanimë ka marrë formë edhe para 1 marsit, e sidomos vendet rurale ndërsa kjo edhe më tepër dot të marr hov me Ligjin e ri për viza, ndërsa zvogëlimi i fuqisë punëtore për shkak të emigracionit bukë nuk do të kompensohet brenda vendit për shkak se natalitetit është dukshëm më i vogël se sa emigrimi.

investimet huaja, si dhe stimulimi i diasporës që të investojnë në vend janë disa nga politikat që mund të zvogëlojnë këtë trend, ndërsa politika që lidhen me përmirësimin e kushteve të punës dhe sigurimet shëndetësore të detyrueshme dhe respektimi i të drejtës të punëtorëve nga punëmarrësit do të kishin ndikim pozitiv në mbajtje. E të rinjve në vend", është shprehur Kryeziu.

Kadriaj: Qeveria Kurti e shumta që mund të bëjë, janë disa ndryshime "kozmetike"

Njohësi i çështjeve ekonomike, Mustafë Kadriaj për "Bota sot" ka thënë se qytetarët janë të lodhur nga premtimet, për këtë arsye do të jetë thuaja e pamundur të ndalohet trendi i ikjes, sidomos nga qeveria Kurti, e cila sipas Kadriajt, e shumta mund të sjellë në vend ndonjëe ndryshim kozmetik.

Image
Mustafë Kadriaj

"Parimisht çdo punësim është i mirëseardhur e sidomos në një vend siç është Gjermania për fuqinë punëtore por edhe profesionistët në lëmi të ndershme si nga shëndetësia dhe ndërtimtaria dhe është e drejtë e gjithsecilit të jetojë mundësisht dinjitetshëm pa marrë përsyshë se në cilin vend, sepse nevojat janë të përditshme njëherit edhe perspektiva për veten dhe familjen kështu që është normal të këtë një interesim për të emigruar në Gjermani por nuk do të thotë që të gjithë me pas perspektivë.

Se sa do të ketë politika parandaluese, ka pak shpresë, për të mos thënë fare, sepse qeveria në krye të agjendës e ka bisedimet, e që tregon se ekonomia do të jetë nën hije, kështu që qeveria Kurti nuk do të ketë mundësi të bëjë aq sa duhet. Duke qenë dëshmitarë të rrjedhave sidomos deri në formimin e kësaj qeveria, vonesat të cilat i shkaktuan derisa i formuan institucionet. Kurti do ta ketë problem edhe për shkak të kohës së shkurtër që e ka përpara për të ndërhyrë, duke tentuar që më së shumti të merret me zhvillim ekonomik e luftim të korrupsionit, e edhe në këto tema ka dilema të mëdha, nga kjo mund të them se kjo qeveri mund të sjell vetëm ndonjë ndryshim kozmetik, e aspak të vërtetë e gjerneroz", është shprehur Kadriaj.

Kadriu: Kosova do të zbrazet

Kryetari i shoqatës "Vatra", Kushtrim Kadriu, duke e komentuar këtë çështje, për "Bota sot" ka ngritur shqetësime serioze lidhur me ofertën e shtetit Gjerman, ofertë kjo e cila i joshtë të rinjtë tanë, sidomos në lëmine e shëndetësisë apo edhe të kompjuterikes.

Image
Kushtrim Kadriu

"Qeveria e Kosovës për prioritet duhet të ketë kthimin e shpresës në vend dhe jo të merret me tema banale të cilat nuk ndryshojnë jetën e qytetarit asgjë për të mirë.

Oferta Gjermanisë për punësimin e të rinjve tanë është seriozisht shqetësuese për ne si shtet, ngase me mijëra të rinj kanë ikur e mijëra të tjerë janë në proces të ikjes. Kjo vërehet edhe në bisedat që bëhen do dite në rrethet shoqërore.

Në pak kohë nuk do të kemi as mjekë, as IT, as mësues matematike e as fuqi punëtore dhe në fund do të detyrohemi të marrim të rinj prej Afrike e Azie. Pra, ka ardhë puna që tanët t’i ndjekim e të huajt t’i sjellim.

Vërehet qartë që të rinjtë po e mësojnë Gjuhën Gjermane me qëllimin e vetëm, për të ikur një orë e më parë. Kurse të tilla janë të stërmbushura.

Kosova do të zbrazet dhe do të mbetet vetëm me pleq dhe me fëmijët e zyrtarëve të cilët kanë bërë pasuri në mënyrë të paligjshme, e që janë shkaktarët kryesorë të humbjes së shpresës për një jetë të dinjitetshme në këtë vend", është shprehur Kadriu.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat