Tragjedia e Gjilanit, alarmojnë ekspertët: Situata është serioze!

Politika

Tragjedia e Gjilanit, alarmojnë ekspertët: Situata është serioze!

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 20 shkurt 2020 Në ora: 12:06
Gjilan

Vendi u trondit nga një vrasje e cila ndodhi brenda familjes. Sipas hetimeve të para të bëra në vendin e ngjarjes, dyshohet se zyrtarja e policisë së Kosovës, Valdete Bllaca, ka shtënë me armë zjarri nga e cila ka lënë të vdekur nënën Hanifen, babin Zeqirin, si dhe dy vëllezërit Blerimin e Fisnikun dhe në fund edhe veten. Motivi i kësaj ngjarje të rëndë ende nuk dihet.

U raportua se Policia e Kosovës ka brenda vetës 94 polic me probleme të shëndetit mendor. Ndonëse Inspektorati Policor si organ mbikëqyrës kishte rekomanduar suspendimin e tyre, megjithatë të 94-tit vazhdojnë të dalin në punë. Sipas IPK-së, ky fakt paraqet rrezik ngase ata posedojnë armë.

Pas tragjedisë në Gjilan, ku nga një armë zyrtare e një police aktive u vranë pesë persona, përfshirë edhe vet të dyshuarën, është mbajtur edhe një konferencë për media.

Në këtë konferencë folën ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu si dhe drejtori i Policisë, Rashit Qalaj.

Drejtori Qalaj e pranoi se është gjendje jo e mirë me policët që kanë telashe të ndryshme shëndetësore.

“E kemi në gjendje jo të mirë të policëve që kanë edhe telashe të ndryshme shëndetësore”, tha ai.

Qalaj theksoi se për shkak të mungesës së ligjit, të njëjtit zyrtarë po i mbajnë në punë, teksa ka treguar se në këto rrethana aktualisht janë 100 zyrtarë policorë.

Kurse, lidhur me rastin, gazeta “Bota sot”, ka biseduar edhe njohësit e kësaj fushe, të cilët kanë paralajmëruar se gjendja në Policinë e Kosovës tashmë është alarmante.

Ata gjithashtu kanë bërë me dije se për të eliminuar këto probleme e udhës është sipas tyre që të jetësohet ligji i pensionimit të parakohshëm dhe kështu të lirohen këta zyrtarë me probleme shëndetësore

Alarmon eksperti i sigurisë pas ngjarjes në Gjilan: Ky është një rrezik i madh, kjo është zgjidhja sipas tij

Eksperti i sigurisë, Drizan Shala, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, pas ngjarjes tragjike në Gjilan, ka thënë se nuk dihet se a kanë apo jo 8500 zyrtarë të policisë së Kosovës kontrolle rutinore për të vlerësuar mbi gjendjen psikike të përdorimit të mjeteve policore,

Shala shpjegon se edhe pas 21 viteve të krijimit të Policisë së Kosovës, askush nga menaxhementet nga themelimi e deri më tani nuk janë marrë më ketë problematik.

Image
Drizan Shala

“Në lidhje me numrin e zyrtarëve të cilët kanë pengesa shëndetësore dhe janë në terapi mjekësore, mendoj që ky fakt dhe kjo ngjarje ka lejuar që të shohim brenda kësaj organizate e cila ka gëzuar një besueshmëri të lartë në shoqëri. Pra, problemi me kryesor është se a kanë 8500 zyrtarë të policisë kontrolle rutinore për të vlerësuar mbi gjendjen psikike të përdorimit të mjeteve policore (armen, shufren, sprehi dhe prangat), sepse 21 vite pas krijimit të policisë askush nga menaxhementet nga themelimi deri më tani nuk janë marrë më këtë problematik, vetëm në fazën e pranimit aplikantët potencial kanë pasur testim psikologjik-shëndetësor”, është shprehur Shala, për gazetën “Bota sot”.

Eksperti i sigurisë tutje, ka thënë se për të eliminuar ketë problem është mirë që të jetësohet ligji i pensionimit të parakohshëm dhe kështu të lirohen këta zyrtarë me probleme shëndetësore.

“Bazuar në këtë fakt që kemi afro 100 zyrtarë, sipas deklarimit të drejtorit të PK-së , kjo për mua është shestuese për faktin që këta zyrtar në njërën anë përfitojnë benificione konfrom ligjit dhe kontratës dhe në anën tjetër janë rrezik potencial bazuar në ngjarjen e Gjilanit për jetët e tyre në rend të parë, dhe për shoqërinë në përgjithësi. Për të eliminuar ketë problem është mirë që të jetësohet ligji i pensionimit të parakohshëm dhe kështu të lirohen këta zyrtarë me probleme shëndetësore dhe ata që kanë arritur moshën mbi 55 vjeçare”, ka përfunduar eksperti i sigurisë, Drizan Shala, për gazetën “Bota sot”.

Eksperti Tërnava: Situata në Policinë e Kosovës është alarmante!

Image
Hajrullah Tërnava

Ndërsa, edhe eksperti tjetër i sigurisë, Hajrullah Tërnava, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se rasti i “Gjilani” është mësim se si duhet të veprohet me këtë numër të policëve me telashe të ndryshme shëndetësore.

Ai ka deklaruar po ashtu se situata e tanishme në Policinë e Kosovës është alarmante.

“Situata e tanishme në Policinë e Kosovës pas këtij rasti të ndodhur në Gjilan, tani është alarmante, e sidomos kur tani mësojmë se 94 policë tani janë me probleme shëndetit mendor. Ky rasti i ndodhur nga policja Valdete Bllaca tani është mësim se si duhet të veprohet me këtë numër të policëve të sëmurë mendor, e dhimbshme është që neve vetëm kur të na ndodhin gjana të vështira si rasti i vrasjes të familjes së polices nga vet ajo, atëherë ndërmarrim veprime të largimit-suspendimit, bile edhe tani dikush hamendet për këto veprime. Vendimi i Inspektoratit Policore si organ mbikëqyrës për suspendimin e 94-të policëve duhet të zbatohet menjëherë, dhe nga provoja e vrasjes së polices të familjes së saj, nuk duhet fare të hamenden për vendime të tilla”, ka thënë Tërnava.

Tutje, Tërnava ka potencuar se vendi duhet të bëjë çmos që t’i shërojë nëpër spitale vendore apo ndërkombëtare këta policë.

“Valdete Bllaca e zhduku familjen e saj të terë me armën që e posedonte nga Policia e Kosovës, dikush nga këta 94 policë të sëmurë që punojnë permanent në polici mund ta përdorin armën e tyre edhe ndaj fëmijëve në shkolla, ndaj qytetarëve të rendomë, ndaj delegacioneve të huaja, apo ndaj burrështetasve si kryetarit, kryeministrit, ministrave etj, prandaj, tani e kemi përvojën dhe nuk duhet të na përsëriten rastet e ngjashme në të ardhmen, e që dëshirojmë të jemi human ndaj policëve në fjalë, pas suspendimit shoqëria jonë të bëjë çmos që t’i shërojë nëpër spitale vendore apo ndërkombëtare këta policë dhe nëse dikush nga ta shërohet sipas mundësisë edhe që t’i kthejnë ndonjërin në punët e tyre, kurrsesi mos t’i ngarkojnë me armë, por t’iu gjenden vende tjera pune administrative, vetëm atyre që vlerësohen se janë shëruar, kurse, ata që nuk shërohen të largohen nga vendet e punës përherë”, ka potencuar ai.

Ai ka nënvizuar se personat që gjatë profesionit të tyre janë të ngarkuar me armët që ia parasheh ligji gjithnjë duhen t’iu nënshtrohen kontrolleve mjekësore gjatë vitit.

“Dikur në sistemin e ish-Jugosllavisë që ishte shërbimi ushtarak obligativ, kur është vlerësuar se ushtari është i sëmurë mentalisht fare nuk e merreshin në kryerjen e atij obligimi, apo edhe kur shkonte në kryerjen e shërbimit nëse ndërkohë është vlerësuar se është i sëmurë, ai u lironte nga ai shërbim. Duhet edhe të kontrollohet e kaluara e pranimit në këto punë të policisë dhe të cilët mjekë e kana bërë kontrollet e tyre për pranimin e tyre në polici, dhe nëse vlerësohet se kanë bërë lëshime apo janë pranuar me intervenime edhe ndaj mjekëve të udhëhiqen procedura ligjore, prandaj rasti i Gjilanit tani policisë së Kosovës duhet t’i shërbejë si shembull i keq-ligë dhe t’i vetdisojë që mos të ndodhin më raste të tilla, por sa më parë të ndërmarrin masat e largimit nga policia personat që janë të sëmurë, sepse këto raste përherë janë rrezik për vendin dhe popullatën tonë”, ka thënë eksperti Tërnava, për gazetën “Bota sot”.

Haziri: Rasti i Gjilanit, të shërbejë si rasti i fundit për të reflektuar institucionet e sigurisë

Image
Nexhat Haziri

Kurse, nga ana tjetër, analisti politik, Nexhat Haziri, konsideron se rasti i fundit i Gjilanit, ku një ish-police e suspenduar për shkaqe shëndetësore vrau katër pjesëtarët e familjes së saj dhe pastaj edhe vetën, duhet të shërbej si një rast i fundit për të reflektuar institucionet e sigurisë.

Ai gjithashtu ka bërë me dije se duhet të merret për bazë edhe rekomandimi i IPK-së për suspendimin e të gjithë pjesëtarëve me probleme.

“Natyrisht se prezenca e 94-të policëve me probleme të shëndetit mendor, brenda PK-së paraqet rrezik për policinë e Kosovës, familjet e tyre dhe për shoqërinë në përgjithësi, për faktin se këta policë bartin edhe armë me vete. Dhe rasti i fundit i Gjilanit, ku një ish-police e suspenduar për shkaqe shëndetësore (mendore) vrau katër pjesëtarët e familjes së saj dhe vetën, duhet të shërbej si një rast i fundit për të reflektuar institucionet e sigurisë por edhe ato të politikës, dhe të merret për bazë rekomandimi i IPK-së për suspendimin e të gjithë prestarëve të policisë së Kosovës që shfaqin problem të shëndetit mendor”, ka thënë Haziri.

Krejt në fund, Haziri ka theksuar gjithashtu se pjesëtarët e PK-së me probleme të tilla duhet pasur kujdes, pasi këta persona nuk duhet të lihen më pas nën mëshirën e fatit.

“Por, edhe me këtë masë duhet pasur kujdes, pasi këta njerëz (pjesëtarë të policisë së Kosovës) nuk duhet të lihen më pas nën mëshirën e fatit, por t’iu garantohet trajtim i posaçëm dhe një mbikqyerje nga shteti dhe përkrahje e vazhdueshme në mënyrë që rehabilitimi i tyre të jetë i përballueshëm edhe për familjet e tyre”, ka thënë krejt në fund, analisti Nexhat Haziri, për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat