Prishtina në hall prej lëmoshë-kërkuesve, evident edhe trafikimi me qenie njerëzore  

Politika

Prishtina në hall prej lëmoshë-kërkuesve, evident edhe trafikimi me qenie njerëzore  

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 27 shkurt 2020 Në ora: 16:18
Fotografi ilustruese

Persona që kërkojnë lëmoshë ka pothuajse në çdo qytet të Kosovës. Por më shumë duket se janë në kryeqytet, ku në sheshet kryesore dhe në qendër mund të shohësh shumë të tillë.

Kërkimi i lëmoshës mbetet një dukuri mjaft shqetësuese. Përpos të rriturve, në mesin e lëmosh kërkuesve ka edhe shumë fëmijë, të cilët i sheh të zbathur e të veshur me pak rroba edhe në temperatura të ulëta.

Disa këndojnë, të tjerë kërkojnë para e disa vetëm qëndrojnë ulur duke pritur që kalimtarët t`u lënë disa të holla, që në të shumtën e rasteve i kërkojnë për bukë.

E sipas Policisë së Kosovës, një numër i konsiderueshëm i lëmoshë-kërkuesve nuk janë shtetas të Kosovës.

33 dëbime jashtë vendi të personave që kërkojnë lëmoshë në vitin 2019

Në drejtorinë e policisë në komunitet thonëpër gazetën “Bota sot” se Policia e Kosovës në bashkëpunim me institucione tjera ka ndërmarr veprime ligjore për largimin e lypsarëve nga rruga ku janë organizuar fushata të ndryshme dhe se dukuria e kërkim-lëmoshës është kundërvajtje.

“Kërkim i lëmoshës si dukuri mbetet ende i pranishëm në qytetet e Republikës së Kosovës. Një numër i konsiderueshëm i lëmoshë-kërkuesve nuk janë shtetas të Kosovës.Policia e Kosovës në bashkëpunim me institucione tjera ka ndërmarr veprime ligjore për largimin e lypsarëve nga rruga ku janë organizuar fushata të ndryshme. Sipas ligjit për Rend dhe Siguri Publike dukuria e kërkim-lëmoshës është kundërvajtje”, thuhet në përgjigjet e kësaj drejtorie.

Sipas statistikave të Policisë, në vitin 2018 janë evidentuar 577 persona lëmosh-kërkues, kurse në vitin 2019 ka evidentuar: 232 persona, ndërsa që në vitin e kaluar janë dëbuar 33 persona.

“Policia në vitin 2018 ka evidentuar: 577 persona lëmosh-kërkues, kurse në vitit 2019 ka evidentuar: 232 persona. Gjatë vitit 2019, policia ka shqiptuar 17 fletëparaqitje për kundërvajtje (gjobitje) dhe ka bërë 33 dëbime jashtë vendi të personave që kërkojnë lëmoshë”, kanë thënë nga Policia e Kosovës.

Ata thonë se janë interesuar për këto raste se a kanë të bëjnë me trafikim me njerëz dhe se personat që largohen nga Kosova nuk lejohen më të kthehen në Kosovë.

“Policia e Kosovës gjatë trajtimit të kësaj dukurie ka nxjerr rekomandime për institucionet relevante shtetërore, për shoqërinë civile etj, pasi kjo dukuri duhet të trajtohet nga një sërë institucionesh në mënyrë që të vije deri të zvogëlimi i rasteve të tilla. Policia rastet e tilla i ka trajtuar duke u interesuar mos kemi të bëjmë me trafikim me njerëz kur bëhet fjalë për raste të tilla. Në vendkalime kufitare, gjatë kontrolleve, personat që largohen me vendim gjyqësor nga territori i Republikës së Kosovës nuk u lejohet të kthehen prapë në Kosovë”, thuhet në përgjigjen e Drejtorisë së Policisë në Komunitet.

Policia: Një rast vepër penale Trafikim me Njerëz, 22 raste për veprën Keqtrajtim apo braktisje e fëmijës

Ndërsa, nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore, kanë thënë se nga planet e zhvilluara janë gjithsej 123 lëmosh kërkues, prej tyre 67 fëmijë ndërsa 56 të rritur dhe një rast është identifikuar me veprën penale Trafikim me Njerëz, ndërsa janë identifikuar edhe 22 raste për veprën Keqtrajtim apo braktisje e fëmijës.

“Gjatëvitit 2019 Policia e Kosovës, konkretisht vetëm Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore (DHTQNJ) me qëllim të identifikimit të hershëm të fëmijëve lëmoshë kërkues si viktima të mundshme të trafikimit ka zhvilluar plane operative të vazhdueshme me partnerët tjerë siç janë Prokuroria e shtetit dheQPS-qendra për punë sociale, ku nga këto plane janë identifikuar gjithsej 123 lëmosh kërkues, prej tyre 67 fëmijë ndërsa 56 të rritur.Nga aktivitet e realizuara ka rezultuar me një (1) rast veprën penale Trafikim me Njerëz, ndërsa janë identifikuar edhe 22 raste për veprën Keqtrajtim apo braktisje e fëmijës për të cilat janë dorëzuar kallëzimet penale në prokuroritë përkatëse, ndërsa fëmijët janë referuar QPS-ve”, thuhet në përgjigjen e Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore për gazetën “Bota sot”.

Image
Vebi Mujku

Lidhur me dukurinë e lëmoshë kërkuesve, njohësi i çështjeve sociale, Vebi Mujku nga Instituti për Zhvillimin e Politikave Sociale, ka thënë për gazetën “Bota sot” se është dukuri shqetësuese sidomos që fëmijët janë lëmoshë kërkues dhe për ta do të duhej shteti të krijonte kushte që të ata të mos dalin në rrugë për të kërkuar lëmoshë.

“Personat në situatë rruge, me theks të veçantë fëmijët, është shumë shqetësim apo më mirë me thënë do të duhej të ishte shqetësim për shoqërinë në përgjithësi, e në theks të veçantë për institucionet përgjegjëse për kujdesin ndaj tyre. Shteti, gjegjësisht institucionet si Policia e Kosovës, Inspektorati i Punës, Komunat me drejtorinë përkatëse për mirëqenie sociale dhe Qendra për Punë Sociale, Drejtoria e Arsimit, Gjykata dhe Prokuroria duhet të mobilizohen dhe të ju ndalin në ndihmë familjeve që janë në nevojë si dhe të sigurojnë që fëmijët të gjenden në ambiente familjare dhe në shkolla e jo në rrugë. Kjo situatë do të përmirësohet vetëm atëherë kur ngriten grupet multi disiplinore dhe multi funksionale për përkrahje dhe trajtim, si dhe ngritja e strehimoreve 24 orëshe për vendosje dhe ofrim të shërbimeve adekuate sociale dhe shëndetësore”, është shprehur ai.

Sipas Mujkut, disa prej tyre shfrytëzohen nga trafikantët por pjesa më e madhe punon për vete, duke shtuar se nuk duhet lejuar që me këto raste të merren individë apo t’i sulmojnë.

“Një numër i konsiderueshëm i tyre shfrytëzohen edhe nga trafikantët, por pjesa e madhe punon për vete, prindërit dalin bashkë me fëmijët e tyre dalin në rrugë, për arsyeje se fitimi është i madh. Por pa marrë parasysh se cilës kategori ju takojnë, shteti duhet t’i vendosë mekanizmat e saj në funksion dhe të mos e lejojë që me këto raste të merren individë, ta marrin drejtësinë në dorë dhe t’i sulmojnë fizikisht, sepse kjo nuk ju lejohet askujt, siç ishte edhe rasti i fundit në sheshin e Prishtinës”, ka vlerësuar Vebi Mujku për “Bota sot”.

Ai ka thënë se kjo dukuri mund të zbutet duke mos u dhënë para atyre dhe policia të merret me trafikantët që dyshohet se i sjellin edhe nga Shqipëria ata.

“Qytetarët mund ta dhënë kontributin e tyre në zbutjen e kësaj dukurie përmes mos dhënies së lëmoshës, e cila me siguri se do ta zvogëlojë shumë numrin e tyre në njërën anë, kurse ne anën tjetër policia duhet t’i ndjek trafikantët të cilët dyshohen se i sjellin dhe i shfrytëzojnë në rrugët e qytetit qytetarët nga Kosova por edhe nga Shqipëria”, ka deklaruar Mujku.

Image
Tomë Gashi

Së fundmi kemi pasur rastin kur avokati Tomë Gashi ka shqelmuar kutinë e një lypsari në sheshin e Prishtinës, për çka është mbajtur edhe protesta para zyrës së tij.

Gashi ka thënë se protesta duhet të shërbejë për sensibilizimin e opinionit dhe institucioneve përkatëse, për trafikimin e fëmijëve dhe pazareve të “bosave” me lypsarët në Prishtinë.

“Protesta e organizuar sot nga YIHR le të shërbejë për senzibilizimin e opinionit dhe institucioneve përkatëse, për trafikimin e fëmijëve dhe pazareve të “bosave” me lypsarët në Prishtinë. Shpresoj që kjo çështje më në fund ka vëmendjen e duhur dhe organet kompetente të ndërmarrin masat e duhura”, ka shkruar ai në Facebook.

Ndërsa, për gazetën “Bota sot” ai ka thënë se shoqëria e Kosovës nuk paska tema më të rëndësishme se kjo që të merret me të.

“Mirë që kjo shoqëri nuk paska tema më të rëndësishme se sa me u marrë me këtë temë”, ka thënë avokati Tomë Gashi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat