Pjesëmarrja e opozitës në bisedime me Serbinë, obligim kombëtar

Politika

Pjesëmarrja e opozitës në bisedime me Serbinë, obligim kombëtar

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 27 shkurt 2020 Në ora: 22:09
Kuvendi i Kosovës

Përballja me Serbinë, që të ketë sukses, do duhej të ishte unike, qeveria dhe opozita në Kosovë, por fatkeqësisht kjo nuk ka ekzistuar deri më tani, madje as brenda institucioneve tona.

Deputetë dhe analistë vlerësojnë se opozita e Kosovës, nuk e ka luksin që të bëjë lojëra dhe t'i shmanget tryezës e përgjegjësisë së bisedimeve me Serbinë, pasi aty zhvendosen gjëra që nuk kthehen më edhe po të vijë nesër pastaj opozita në pushtet. Sipas tyre, dialogu me Serbinë kërkon unifikim të plotë të faktorit politik në Kosovë dhe këtu nuk ka alternativë.

Bunjaku-Rexhepi: Dialogu me Serbinë kërkon unifikim të plotë të faktorit politik në Kosovë dhe këtu nuk ka alternativë

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e LDK-së, Valentina Bunjaku-Rexhepi, ka thënë se kur janë në pyetje interesat e shtetit, duhet mënjanuar të gjitha inatet dhe qëllimet tjera partiake.

Image
Valentina Bunjaku-Rexhepi

Sipas saj, dialogu me Serbinë kërkon unifikim të plotë të faktorit politik në Kosovë dhe këtu nuk ka alternativë.

“Mendoj se opozita duhet përkrahur pozitën dhe duhet koordinuar për dialog i cili do të jetë i rëndë dhe i mundimshëm. Shihet se faktori ndërkombëtar kërkon zgjidhje dhe e ardhmja e vendit kërkon më të mundshmen drejtë integrimeve. Asnjë justifikim nuk gjendet në këtë proces që opozita të ketë mendësi bojkoti, duhet të ketë vullnet që të ecim përpara dhe të dalim të bashkuar para kësaj situate”, është shprehur deputetja e Kuvendit të Kosovës nga rradhët e LDK-së Valentina Bunjaku-Rexhepi.

Shahu: Bisedimet me Serbinë janë çështje shtetërore e kombëtare

Image
Rexhep Shahu

Analisti politik Rexhep Shahu, ka pohuar se pjesëmarrja e opozitës në bisedime është para se gjithash obligim kombëtar e jo politik apo partiak. Sipas tij, vet përjashtimi nga kjo tryezë bisedimesh është kapitullim dhe vetëvrasje me dashje.

“Bisedimet e Kosovës me Serbinë nuk janë çështje dëshire, qeverie apo presidenti, apo çështje partish politike. Bisedimet me Serbinë janë çështje shtetërore e kombëtare dhe shteti nuk është vetëm qeveria apo opozita, apo vetëm presidenti apo Kuvendi i Kosovës. Është e pakonceptueshme mos pjesëmarrja pjesë e opozitës në bisedime dhe nëse ajo pret që këtë punë ta kryej qeveria dhe të largojë vetën nga bisedime, është e pafalshme nëse ndodh kjo gjë”, është shprehur analisti politik Rexhep Shahu.

Kurse, njohësi i çështjeve politike, profesor Sulejman Mehazi, ka thënë se pengesa kryesore e mos koordinimit të pozitës, me opozitën në dialog me Serbinë, do jetë heqja e taksës serbe, e kjo do jetë shkak kryesor dhe mollë sherri për mos pjesëmarrjen e opozitës së Kosovës në dialog me Serbinë.

Image
Sulejman Mehazi

“Shihet që tani se sa e zëshme, e ashpër, e kundërshtuese është opozita në krye me Haradinaj, ende pa mos mbushur një muaj punë qeverisëse, Albini, kritikohet thuajse çdo ditë nga opozita, kjo na detyron të themi se çdo sukses qeverisës i Albin Kurtit do hidhëronte opozitën duke kritikuar, ofenduar e sharë qeverinë e re të Albin Kurtit, edhe pse është në dobi të Kosovës që në dialog me Serbinë të bashkohen të gjitha forcat pozitë e opozitë për të qenë të njëzëshëm kundrejt Serbisë”, ka thënë njohësi i çështjeve politike, profesor Sulejman Mehazi.

Ai ka thënë se për të qenë suksesi i përbashkët në dialog me Serbinë nuk duhet lënë vet partitë në pushtet, po duhet të marrin pjesë edhe partitë opozitare në krye me Veselin e Haradinajn.

“Mos pjesëmarrja e opozitës gjatë bisedimeve do ta dëmtonte vetë opozitën e të gjitha meritat e dialogut do t'i merrte qeveria e re në krye me Albin Kurtin. Kështu që opozita duhet ta mund vetveten e të marrë pjesë vullnetshëm e me dëshire në dialog me Serbinë për shkak se interesat shtetërore janë mbi inatet opozitare”, ka thënë njohësi i çështjeve politike profesor Sulejman Mehazi.

Blakaj: Përballja me Beogradin zyrtar që të ketë sukses, do duhej të ishte unike qeveria dhe opozita në Kosovë

Image
Sami Blakaj

Kurse, njohësi i Integrimeve Evropiane Sami Blakaj, ka thënë se viteve të fundit raportet pozitë-opozitë, kanë qenë tërësisht të çakorduara kur bëhet fjalë për qasjen e Kosovës karshi dialogut me Serbinë.

Sipas tij, ky raport i tensionuar brenda faktorit politik në Kosovë e ka sjellë Kosovën në një pozitë jashtëzakonisht të disfavorshme dialoguese, jo vetëm në raport me Serbinë por edhe në raport me faktorin ndërkombëtar.

“Përballja me Beogradin zyrtar që të ketë sukses, do duhej të ishte unike qeveria dhe opozita në Kosovë, por fatkeqësisht kjo nuk ka ekzistuar deri më tani, madje as brenda institucioneve tona. Megjithatë sot kemi një përbërje tjetër qeveritare dhe kjo mazhorancë e re politike besoj dhe shpresoj se do të ketë edhe qasje të re udhëheqëse, e cila do të nënkuptonte plotësimin e tri kritereve të domosdoshme bashkëpunimi, siç janë; bashkëpunimi ndërinstitucional, duke përfshirë këtu edhe bashkëpunimin me institucionin e presidentit, bashkëpunimi pozitë opozitë si dhe bashkëpunimi i faktorit vendor me faktorin ndërkombëtar. Mendoj se ky trekëndësh bashkëpunimi do të jetë arma më e fortë dhe jetike e palës së Kosovës karshi negociatave me palën serbe. Në të kundërtën, po që se Kosova nuk do ta arrinte këtë trekëndësh koordinimi dhe bashkëpunimi, dështimi dhe izolimi i saj do të jetë një episod e garantuar”, ka thënë njohësi i integrimeve evropiane Sami Blakaj.

Mulliqi: Kosova nga ky dialog i deritashëm nuk ka përfituar asgjë, madje as liberalizimin e vizave

Image
Skender Mulliqi

Kurse analisti politik Skender Mulliqi, ka thënë se dialogu më Serbinë së pari nuk ish dashur të fillojë krejt pa kushte ashtu siç ka ndodhur në të kaluarën.

Sipas tij, Kosova nga ky dialog i deritashëm nuk ka përfituar asgjë, madje as liberalizimin e vizave.

“Kurse në anën tjetër Serbia ka bërë hapa konkret duke ju afruar strukturës së BE-së. Vazhdimi i dialogut palën tonë ishte dashur të gjejë më të përgatitur se kurrë më parë, si sfidë e madhe e Qeverisë Kurti. Ishte dashur të bashkërendohen punët pozitë -opozitë ne kuvend, së në pyetje është interesi shtetëror i Kosovës, dhe interesi nacional. Roli udhëheqës në dialog më Serbinë i takon Qeverisë. Mos pajtimet apo mos pjesëmarrja eventuale e opozitës në një temë shumë të ndejshme, mund tu shkaktojë dëme të pariparueshme duke e dobësuar pozicionin tonë në këto bisedime”, ka thënë analisti politik Skender Mulliqi.

Ai konsideron se kryeministri është deklaruar për një ekip gjithëpërfshirës, dhe ka shprehë gatishmërinë që të bashkëpunojë edhe më presidencën.

“Vetëm duke i harmonizuar qëndrimet në mund ti dalim kësaj maratone faqebardhë. Kompromiset kur bëhet fjalë për territorin, nuk ishte dashur të ndodhin, kur dihet së nuk është larguar krejt rreziku që në tavolinë të hedhet edhe kjo ide e kamotshme e Serbisë, e përfolur së është ndihmuar kohën e fundit edhe nga disa të palës shqiptare. Obstruksionet në mesin e palës tonë gjatë bisedimeve dhe marrjes së vendimeve, do të ishin fatale për Kosovën, kur dihet së proceset nuk kthehen mbrapa”, ka thënë analisti politik Skender Mulliqi.

Sipas tij, secili duhet t`i marrë përgjegjësitë e veta komfor Kushtetutës së vendit, andaj sidoqoftë në fazën finale të këtyre bisedimeve nëse deri tash kemi pasur dështime dhe jo transparencë të duhur, këto nuk ishin dashur në asnjë mënyre të na përsëriten, se nuk do të këtë mundësi shumë që gabimet të riparohen.

“Edhe Partia Demokratike e Kosovës, nga pozicioni i opozitës, e cila po tregohet e ngurtë duke kontestuar Kurtin si person adekuat, edhe AAK-ja e cila është më fleksibilitet kur është fjala të kjo temë , ishte dashur që ti unifikojnë qëndrimet më pozitën në këtë dialog më shumë politikë së sa teknik siç është proklamuar”, ka thënë analisti politik Skender Mulliqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat