Serbia nuk lëkundet, vazhdon fushatën ndaj Kosovës - Bota Sot
Serbia nuk lëkundet, vazhdon fushatën ndaj Kosovës

Politika

Serbia nuk lëkundet, vazhdon fushatën ndaj Kosovës

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 11 mars 2020 Në ora: 22:13
Foto ilustrim

“Konflikti me Serbinë thellohet nëse ajo nuk ndalon aventurën e saj kundër pavarësisë së Kosovës, sepse rikthen në vëmendjen e opinionit publik të Kosovës të gjitha krimet serbe kundër shqiptarëve”.

Shteti serb edhe me tej po e vazhdon fuqishëm fushatën kundër pavarësisë së Kosovës.

Edhe pse në vazhdimësi u kërkua normalizimi i marrëdhënieve mes dy vendeve, Serbia vazhdon që në mënyrë sistematike të injorojë thirrjet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe vendeve të tjera të QUINT-it.

Rasti më i fundit është me Sierra Leone, shtet ky që u rreshtua në krah të Serbisë dhe tërhoqi njohjen e Kosovës, shkruan gazeta “Bota sot”.

Njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare konsiderojnë se edhe pse Kosova dhe Qeveria e saj kanë treguar vullnet të mirë në realizimin e kërkesës së faktorit ndërkombëtar, pritjet nga Serbia që të ndalë veprimet kundër Kosovës janë të vogla, ngase shembull për këtë thonë se është rasti i Sierra Leones.

Kurse, nga ana tjetër, ekspertët e sigurisë paralajmërojnë se Kosova duhet të jetë e përgatitur nga veprimet e ardhshme të Serbisë, pasi që e shohin si të vështirë që të ndalet politika e tyre e urrejtjes ndaj shqiptarëve.

Profesori ndërkombëtar: Serbia nuk ka ndërmend ta ndalë lotimin e saj kundër Kosovës

Profesori ndërkombëtar, doktor Enver Bytyçi, për gazetën “Bota sot”, ka thënë se zhvillimet e fundit rreth raporteve mes Kosovës dhe Serbisë na bëjnë me dije se Serbia nuk ka ndërmend ta ndalë lobimin e saj kundër Kosovës.

Ai ka përshtypjen se lobimin serb kundër shtetësisë së Kosovës e pret me dëshirë edhe presidenti i Kosovës, edhe pse shprehet se është e rëndë të thuhet për presidentin e vendit.

Image
Enver Bytyçi

“Ka disa javë që në Kosovë zhvillohet debati për zëvendësimin e taksës me masat e reciprocitetit me Serbinë. Në këtë kuadër fillimisht ishte dakord edhe i ngarkuari i Presidentit Trump për Kosovën, RichardGrenell. Ai në fillim pati udhëtuar në Prishtinë dhe në Beograd dhe gjatë këtij udhëtimi zotit Kurti i kërkoi heqjen e taksës e zotit Vuçiq i kërkoi ndalimin e lotimit kundër shtetësisë dhe pavarësisë së Kosovës. Tani, pas gati dy muajsh prej kur Grenell ishte në rajon kemi një situatë tjetër të përmbysur. Kurtit i bëhet presion për heqjen e taksës plotësisht dhe pa asnjë kush, ndërkohë presidenti i Serbisë nga foltoret e NewYorkut njofton çnjohjet e ndonjë shteti inekzistent për shtetin e Kosovës. Dhe askush nuk i bën presion Serbisë për këtë, ndërkohë që kryeministri i Kosovës është vënë në “gijotinën” politike për atë që disa e quajnë “Antiamerikanizmi i Albin Kurtit”. Kjo që po ndodh na bën me dije se Serbia nuk ka ndërmend ta ndalë lotimin e saj kundër Kosovës. Kam përshtypjen se lobimin serb kundër shtetësisë së Kosovës e pret me dëshirë edhe presidenti i Kosovës. Është e rëndë ta thuash këtë për presidentin e vendit. Por në të gjitha takimet e Thaçit me Vuçiq, si në Kras Montana, në Uashington e gjetkë gjatë kësaj kohe, nuk pamë asnjë rast kur zoti Thaçi të ketë reaguar kundër lotimit serb ndaj pavarësisë së vendit të tij”, ka thënë Bytyçi.

Tutje, ai ka deklaruar se konflikti me Serbinë thellohet nëse ajo nuk ndalon aventurën e saj kundër pavarësisë së Kosovës, sepse, sipas tij, me këtë e rikthen vëmendjen e opinionit publik të Kosovës në të gjitha krimet serbe kundër shqiptarëve.

“Përkundrazi duket se presidentit i pëlqen sfida që Beogradi ia bën kryeministrit të Kosovës. A sjell konflikt kjo situatë, kur provokimi dhe diversioni arrogant i Serbisë kundër Kosovës shtohet e rritet përditë? Po, sjell konflikt. Së pari rrit tensionin politik në Prishtinë. Beogradi sillet kështu edhe për këtë arsye. Liderët serbë e dinë se sa më shumë të shtohet ky diversion, aq më shumë do të rritet trysnia brenda Kosovës ndaj Albin Kurtit që ai të mos e heq taksën. Sa më shumë të zgjatet kjo, aq më shumë do ta sulmojnë shqiptarët serbofilë atë për “antiamerikanizëm”. Një lojë perfide për t’ia kundërvënë lidershipin e ri aktual SHBA-ve. Konflikti me Serbinë thellohet nëse ajo nuk ndalon aventurën e saj kundër pavarësisë së Kosovës, sepse rikthen në vëmendjen e opinionit publik të Kosovës të gjitha krimet serbe kundër shqiptarëve. Dje ishte seanca parlamentare ku zonja Krasniqi rrëfeu dhunën serbe kundër saj. Mirë u bë. Por ai rrëfim i trishtueshëm për mizoritë serbe në Kosovë ka thelluar dhe normalisht thellon konfliktin midis dy vendeve. Kjo ndodh për shkak të arrogancës serbe kundër Kosovës. Nuk është e ndershme që agresori t’i shesë arrogancë viktimës edhe pasi të jetë zbuluar krimi.”, ka deklaruar ai.

“Armëpushimi midis Serbisë dhe Kosovës do të thotë reciprocitet”

Ai ka shtuar gjithashtu se Serbia e kriminalizuar si shtet e si shoqëri në Kosovë gjatë viteve 1990, edhe tani në sjelljen e saj na shfaqet si në kohën e Milosheviçit, këtë po bënë me çnjohjet dhe lobimin e saj kundër pavarësisë së Kosovës.

“Kur vendet në konflikt do të duhet të vendosin përfundimisht paqen, duhet që fillimisht të vendosin armëpushimin. Armëpushimi midis Serbisë dhe Kosovës do të thotë reciprocitet. Reciprociteti fillon me heqjen e taksës nga njëra palë dhe ndaljen e provokimeve nga pala tjetër. Provokimet dhe armëpushimi nuk shkojnë bashkë. Prandaj, Grenell, aleati i tij në Prishtinë, Thaçi e të tjerë, do të duhet të vendosin kushtet e një armëpushimi, pastaj të flasin për zgjidhje të konfliktit. Thaçi dhe Grenell, po ashtu Rama e të tjerë i kërkojnë qeverisë së Kosovës të “ulë armët”, ndërsa nuk reagojnë aspak kur Beogradi e sulmon me artileri politike Prishtinën. Nuk mund të ketë paqe në kësi kushtesh. Nuk ka ndodh kurrë më parë, në asnjë konflikt”, ka shtuar Bytyçi, për gazetën “Bota sot”.

Ai është i mendimit se Serbia ka gjetur bashkëpunëtorë në Prishtinë e në Tiranë për ta sprovuar Kosovën me provokime të reja e të vazhdueshme.

“Në fakt këtu qëndron edhe suksesi i Beogradit, ndërkohë që në vitet ’90-ta Milosheviçi nuk mundi të gjejë asnjë bashkëpunëtor ndër shqiptarët. Kjo do të thotë se Beogradi suksesin e tij në Prishtinë e ka garantuar përmes rekrutimeve dhe përçarjeve. Këtë gjë po e bën edhe tani. Dhe për pasojë, edhe nëse nënshkruhet ndonjë marrëveshje, nuk duhet të pritet që konflikti të përfundojë. Përkundrazi”, ka theksuar profesori ndërkombëtar, doktor Enver Bytyçi.

Maloku: Serbia nuk do të ndërpresë angazhimin e saj destruktiv ndaj Kosovës

Njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, analisti politik, Albinot Maloku, ka thënë se lobimi agresivë i Serbisë kundër Kosovës në rrafshin e të ashtuquajturave çnjohje e shtetësisë nga vendet njohëse të Republikës së Kosovës, është ende aktiv, pavarësisht kërkesës së prerë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Image
Albinot Maloku

“Pritja që kjo të ndalet është e vogël, ngase shembull për këtë është rasti i Sierra Leones. Kosova dhe Qeveria e saj kanë treguar vullnet të mirë në realizimin e kërkesës së faktorit ndërkombëtar që të largohet tarifa, e cila kërkesë balancohej me ndaljen e lobimeve të Serbisë kundër vendit tonë. Pavarësisht kësaj, Serbia nuk tregoj me asgjë vullnet për të realizuar pjesën e kërkesës për të”, ka thënë Maloku për gazetën “Bota sot”.

Ai gjithashtu ka thënë se ka dyshime se shteti serb do të ndërpresë angazhimin e saj destruktiv ndaj Kosovës.

“Duke e parë me kujdes politikën e Beogradit ndaj Kosovës, kam dyshime të bazuara që Serbia do të ndërpresë angazhimin e saj destruktiv ndaj vendit tonë. Kërkuesit e vazhdimit të rrugëtimit drejt normalizimit të raporteve Kosovës – Serbi, pa tjetër se duhet të jenë edhe përcjellësit edhe garantuesit qasjes së këtyre dy vendeve ndaj njëra-tjetrës. Në këtë rrafsh shpresa është tek një garancion i SHBA-ve dhe BE-së”, shprehet ai.

Mes të tjerave njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare nënvizon se Serbia vazhdon të jetë aksioni, e Kosova reaksioni i çdo konflikti.

“Kosova është e interesuar në vazhdimësi për normalizim të raporteve dhe fqinjësisë së mirë, me të gjitha vendet, përfshirë këtu edhe Serbinë. Raportet e Serbisë me Kosovën dhe e kundërta, ende po vazhdojnë të jenë të tensionuara dhe në qorrsokak”, ka thënë ai mes tjerash.

Eksperti i sigurisë: Medoemos duhet të jemi të përgatitur

Kurse, nga ana tjetër, eksperti i sigurisë, HajrulllahTërnava, është i mendimit se politikanët aktual serbë që ndodhën në pushtet janë po të njëjtit dhe krahu i “Kasapit të Ballkanit”, andaj ai shprehet skeptik se mund të ketë një qasje tjetër ndaj Kosovës.

Ai gjithashtu ka paralajmëruar se duhet të jemi të përgatitur, pasi që serbët vështirë që do të tërhiqen nga politika e tyre e urrejtjes ndaj shqiptarëve.

Image
HajrulllahTërnava

 

“Me përvojat politike qindravjeçare që i kemi me Serbinë, nuk ka fakte dhe nevojë që të besojmë në përmirësimin e shpejtë te marrëdhënieve me serbët, së paku me këtë garniturë të politikanëve që tani gjinden në pushtet, e që po këta si politikanë serbë që tani janë në pushtet, ishin krahu dhe pasardhësit të Millosheviçit, dhe po këta po i vazhdojnë politikat e tyre në të njëjtat frekuenca politike-nacionaliste ndaj fqinje të tyre, e jo vetëm ndaj Kosovës. Edhe më parë nënkuptohet që serbët gjithnjë edhe në të kaluarën shqiptarët i kanë konsideruar armiqtë kryesorë. Na kujtohen anketat gjatë luftërave me kroatët dhe të tjerët, kur i bënin me qytetarët e vet, gjithnjë si armiqtë kryesorë na llogarisnin neve shqiptarëve. Prandaj, medoemos duhet të jemi të përgatitur që serbët vështirë që do të tërhiqen nga politikat e urrejtjes ndaj shqiptarëve të Kosovës, dhe as që duhet të besojmë se do t’i ndalin lobimet e tyre kundër Kosovës, edhe pasi që do të hiqet taksa”, ka thënë ai për gazetën “Bota sot”.

Tërnava ka potencuar se siguria dhe garancia më e qëndrueshme e mos lobimit serbë kundër shtetit të Kosovës, do të ishte që SHBA-të ta detyronin si kushte të pajtimit me Kosovën, Serbinë që ta njeh pavarësinë e Kosovës.

“Qeveria e Kosovës, gjatë bisedimeve për heqjen e taksës, duhet te kërkojë garanci nga SHBA-ja, që Serbia ta ndal lobimin kundër Kosovës. Kjo kryeneçësi e Serbisë nëse vazhdohet si deri më tani, nuk na premton se gjerat shpejt do të ndryshohen në të mirën e Kosovës, por edhe politikanë e vendit duhen të jenë vigjilent dhe t’ju qëndrojnë afër njerëzve miq të SHBA-ve, që në raste se përsëriten ato lobime kundër shtetit tonë, t’i njoftojnë politikanët amerikanë që mos të vjen deri të ndonjë konflikt i armatosur, apo të mos tensionohen marrëdhëniet mes Serbisë dhe Kosovës, si deri më tani që i kemi këto tensionime. Siguria dhe garancia më e qëndrueshme e mos lobimit serbë kundër Kosovës, do të ishte që SHBA-të ta detyrojë si kushte të pajtimit me Kosovën, Serbinë që ta njeh pavarësinë e Kosovës, dhe paraprakisht ta detyroj shtetin Serbinë që ta heq nga kushtetuta e saje Kosovën, si pjesë të saj që e ka në atë kushtetute, pa ndryshim të kufijve ekzistues”, ka potencuar eksperti Tërnava.

Krejt në fund, ai ka bërë me dije se Amerika e ka këtë forcë dhe mundësi, sepse, sipas tij, nëse investon shuma të mëdha miliardësh që po premtohen, kjo do të ishte një mundësi e SHBA-së dhe një veprim i tillë e detyron Kosovën gjithmonë të jetë mirënjohës i përjetshëm për kontributin e tyre.

BOX

“Duke e parë me kujdes politikën e Beogradit ndaj Kosovës, kam dyshime të bazuara që Serbia do të ndërpresë angazhimin e saj destruktiv ndaj vendit tonë. Kërkuesit e vazhdimit të rrugëtimit drejt normalizimit të raporteve Kosovës – Serbi, pa tjetër se duhet të jenë edhe përcjellësit edhe garantuesit qasjes së këtyre dy vendeve ndaj njëra-tjetrës. Në këtë rrafsh shpresa është tek një garancion i SHBA-ve dhe BE-së”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat