Raportet LDK-LVV karshi raporteve Kosovë-SHBA

Politika

Raportet LDK-LVV karshi raporteve Kosovë-SHBA

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 12 mars 2020 Në ora: 10:12
Fotografi ilustruese

Taksa ndaj mallrave serbe dhe kërkesa e vazhdueshme e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për heqjen e saj, si për qeverinë e kaluar, edhe për këtë të tashmen, që përbëhet nga Lëvizja Vetëvendosje e Lidhja Demokratike të Kosovës, po del të jetë një mollë sherri.

Deklarimet e përfaqësuesve amerikanë se do të shqyrtojnë tërheqjen e trupave ushtarake nga Kosovë nëse nuk hiqet taksa ndaj produkteve serbe, ka bërë që opozita të kërkojë seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit.

Zëvendëskryeministri Avdullah Hoti nga LDK-ja, ka thënë se Qeveria duhet të mblidhet sa më parë për ta hequr taksën. Ndërsa, një zëri janë deklaruar edhe zyrtarë të tjerë të LDK-së, të cilët i kanë dërguar porosi Lëvizjes Vetëvendosje, se do t’i ndajnë rrugët e bashkëpunimit, nëse nuk veprohet sipas kërkesës së SHBA-së për heqje të taksës ndaj mallrave serbe.

“Qeveria duhet të mblidhet për të hequr taksen. Nuk mund të mbesim peng të një vendimi që ka qenë i domosdoshëm, por tash po e dëmton Kosovën”, ka deklaruar Hoti. Ai më tej ka thënë se, “miqësia e përhershme me SHBA-të nuk cenohet. Ne e garantojmë këtë miqësi”.

Se “Qeveria Kurti”, ndodhet në një ‘ngërç’ për shkak të taksës dhe kërkesave të SHBA-së, e thonë edhe njohësit e kësaj fushe.

Juristi i njohur konsideron se nuk mund të imagjinohet e kurrsesi të tolerohet asnjëfarë antiamerikanizmit e mbi të gjitha tejet e jetësisht të dëmshëm, dhe se afeksioni politik i vendit tonë, në koherencë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe më BE-në, duhet të kultivohet dhe të përfillet sinqerisht e më përkushtim të përhershëm e të përjetshëm.

Kurse, njohësit e zhvillimeve politike, janë të mendimit se brenda koalicionit qeverisës ka një mospajtim, ku zyrtarët e LDK-së po kërkojnë që ajo të hiqet menjëherë dhe pa kushte, ndërsa kryeministri Albin Kurti, veç ka dalë me propozimin e tij publikisht, se si ajo do të largohet, pra në mënyrë graduale e jo menjëherë dhe pa kushte.

Smaka: Zoti në qiell, Amerika në tokë

Image
Riza Smaka

Profesori i së drejtës Kushtetuese, Riza Smaka në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se homogjeniteti politik e funksional i partnerëve qeveritar është i domosdoshëm dhe kërkesë e pashmangshme.

“Aktualisht ndërmjet partnerëve qeveritarë ekziston një diskrepancë orale, madje, publike e cila me bazë pritet të evitohet apo së pakut të ngushtohet në planin që nuk e pengon funksionimin e papenguar të ekzekutivit të vendit tonë. Harmonizimi i opinioneve politike të subjekteve politike të koalicionit qeveritarë kërkohet ‘Nolens Volens’ të realizohet nëpërmjet eliminimit të qëndrimeve antiamerikane sikundër në prononcime ashtu edhe në qëndrime e veprime. Në këtë kontekst kombi shqiptar duhet t’i jetë përjetësisht mirënjohës, fillimisht Austrisë për krijimin e Shqipërisë e rrjedhimisht Amerikës – SHBA-ve për mbrojtjen e saj e për çlirimin e sigurimin e Kosovës”, është shprehur juristi i njohur.

Sipas Smakës, proamerikanizmi për çështjen shqiptare në përgjithësi e për atë të Kosovës në veçanti është postulati më esencial dhe relevant.

“Nuk mund të imagjinohet e kurrsesi të tolerohet asnjëfarë antiamerikanizmit aventuresk malicioz, malevolent e mbi të gjitha tejet e jetësisht të dëmshëm. Afeksioni politik i vendit tonë, në koherencë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe më BE-në, duhet të kultivohet dhe të përfillet sinqerisht e më përkushtim të përhershëm e të përjetshëm. Ndryshe, do të duhej ndërmarr të gjitha masat e veprimet legale për të penguar përfundimisht çfarëdo aktivitetit pushtetar e politik që vendin tonë të vogël, të varfër, të ndrydhur e të shtrydhur nga okupatori serb e më pastaj nga një klike politikanësh të paskrupullt të stërpasuruar nga djersa e popullit të varfër, do ta vente në opozitë me votën demokratike përparimtare veriatlantike”, ka theksuar Smaka.

Mes të tjerave, ai thekson se Zoti në qiell, Amerika në tokë, janë parakushtet e ekzistencës, përparimit dhe afirmimit të vendit tonë

“Koherenca e kooperimi i mirëfilltë e i përhershëm i vendit tonë me shtetet veriatlantike për vendin tonë është postulat i përhershëm dhe vital. Zoti në qiell, Amerika në tokë, janë parakushtet e ekzistencës, përparimit dhe afirmimit të vendit tonë. Kushdo e kudo që është apo do të ishte antiamerikan apo antiperendimor, pashmangshëm është dhe do të mbetej antishqiptar dhe si i tillë është dhe do të jetë antishqiptar-e”, tha Smaka në prononcimin e tij për gazetën “Bota sot”.

Tahiri: Qeveria mund dhe do të bjerë nëse nuk harmonizohen qëndrimet për taksën

Image
Ramush Tahiri

Politologu i njohur, Ramush Tahiri, në një prononcim për gazetën “Bota sot” thekson se raportet ndërmjet VV-së dhe LDK-së asnjëherë nuk kanë qenë të afërta, dhe asnjëherë nuk kanë qenë të mira, sepse, sipas tij, këto dy parti nuk janë të afërta ideologjikisht dhe nuk kanë as synime të njëjta për ndërtimin e shtetit të Kosovës.

“Këto dy parti politike dolën e para dhe e dyta për numrin e deputetëve që morën me vota një zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare dhe si të tilla nga opozita kaluan në pozitë duke e bërë koalicionin qeveritar dhe duke u votuar Qeveria me kryeministër Kurtin. Në këtë u bë programi i përbashkët qeverisës si kompromis i programeve politike partiake që megjithatë nuk i fuzionon dhe nuk i afron LDK e PDK por i bënë bashkëqeverisje për katër vjet mandat”, ka thënë Tahiri.

Politologu shpjegon se nëse rrëzohet “Qeveria Kurti” vendi nuk shkon në zgjedhje të reja parlamentare, por caktohet mandatari i ri nga LDK dhe zgjidhet dhe votohet qeveria e re

“Ka dallime tash për taksën që të hiqet pjesërisht ose plotësisht. Dhe është fakt se Qeveria mund dhe do të bjerë nëse nuk harmonizohen qëndrimet për taksën . Kjo do të bëhet me daljen e LDK-së nga Qeveria si partner koalicioni. Mbetet vetëm të shihet a do të bëhet kjo para apo pas miratimit të buxhetit për këtë vit në Kuvendin e Kosovës. Gjithashtu kur të rrëzohet ‘Qeveria Kurti’ vendi nuk shkon në zgjedhje të reja parlamentare, por caktohet mandatari i ri nga LDK dhe zgjidhet dhe votohet qeveria e re. Mbetet të shihet kush nga partitë do të jetë partner i koalicionit qeverisës”, shprehet ai.

Elezaj: Për fat të keq, brenda koalicionit qeverisës, LVV-LDK, për momentin ka një mospajtim

Image
Rexhep Elezaj

Kurse, analisti politik, Rexhep Elezaj, në një prononcim për “Bota sot”, shprehet se brenda koalicionit qeverisës, LVV-LDK, për momentin ka një mospajtim të vetëm lidhur me tarifën ndaj mallrave serbe dhe atyre nga Bosnja, të cilën zyrtarët e LDK-së po kërkojnë që ajo të hiqet menjëherë dhe pa kushte, ndërsa kryeministri Albin Kurti, veç ka dalë me propozimin e tij publikisht, se si ajo do të largohet, pra në mënyrë graduale e jo menjëherë dhe pa kushte.

“Sipas mendimit tim, qasja e Kurtit, është një qasje shumë e drejt në aspektin juridik dhe shtetëror. Deklarata e zëvendëskryeministrit të parë, Avdullah Hoti, “se më para dalim nga koalicioni qeverisës, se sa që pranojmë prishjen e marrëdhënieve me SHBA-të”, ishte e ngutshme dhe jo shumë korrekte, sepse në Programin e koordinuar për bashkëqeverisje këto dy subjekte janë pajtuar se krahas heqjes së tarifës, ndaj Serbisë duhet ngritur dhe vendosur masat e reciprocitetit, prandaj si e tillë, deklarata e Hotit, shkonte në favor të acarimit të raporteve midis pozitës dhe opozitës, e cila krizë do shkon deri në thirrjen e seancës së sotme pas dite të Kuvendit të Kosovës”, është shprehur Elezaj.

Ai konsideron se seanca e Kuvendit e thirrur me urgjencë nga 42 deputetë, për të debatuar lidhur me temën; “Ose me SHBA-të, ose me taksën..”, është një e drejt kushtetuese dhe shqetësim i arsyeshëm i deputetëve, gjithnjë sipas tyre, se mos heqja e taksës-tarifës ndaj Serbisë, ashtu siç po kërkon i dërguari special i presidentit Trump në bisedimet Kosovë-Serbi, Richard Grenell, mund të sjellë deri tek prishja e marrëdhënieve të Kosovës me miken tonë të përhershme, SHBA-të, konsideron Elezaj se ishte një akt legjitim i tyre.

“Nuk besoj se, pranë qëndrimeve të njëanshme të partnerit të koalicionit qeverisës, pra të LDK-së ndaj politikës dhe qëndrimeve të kryeministrit Albin Kurti, lidhur me heqjen e tarifës ndaj Serbisë, sidomos qëndrimi tejet “pro-amerikan” i udhëheqësve të saj, konform kërkesës së Grenellit për heqjen e menjëhershme të tarifës, qoftë ai i sinqertë, qoftë si blof politik, koalicioni qeverisës midis tyre do prishet dhe qeveria do bije. Mbi të gjitha, ngase çdo temë dhe çështje e cila ka të bëjë me fatet dhe zhvillimin e Kosovës duhet të kalojë përmes debateve dhe trajtimit serioz në Kuvendin e Kosovës, kur dihet se Kuvendi si organi më i lartë i shtetit është vendi i vetëm ku duhet të merren dhe bihen vendime me konsensus të plotë midis gjitha grupeve parlamentare, por jo të thirren seanca të jashtëzakonshme të Kuvendit, thënë kushtimisht, me prapavija qëllim këqija për ta penguar punën normale të Qeverisë Kurti”, tha analisti politik, Rexhep Elezaj, në një prononcim për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat