A është dialogu me Serbinë “çmimi” që duhet ta paguajë Kosova për liberalizimin e vizave?

Politika

A është dialogu me Serbinë “çmimi” që duhet ta paguajë Kosova për liberalizimin e vizave?

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 12 mars 2020 Në ora: 22:06
Hashim Thaçi; foto ilustrim nga "Bota sot"

Liberalizimi i vizave ende nuk ka ndodhur, e as nuk dihet se kur qytetarët e Kosovës do të mund të lëvizin të lirë.

E derisa të ndodhë kjo, presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ka thënë se nuk do të ulet në tavolinën e bisedimeve Kosovë-Serbi.

Këtë deklaratë ai e bëri para gazetarëve të martën, pas takimit me delegacionin franko-gjerman të këshilltarëve të kancelares gjermane Angela Merkel dhe Presidentit francez, Emmanuel Macron, Jan Hecker dhe Emmanuel Bonne.

Ai ka thënë se përfaqësuesve ua ka bërë të qartë se vizat për Kosovën duhet të hiqen menjëherë që të vazhdojë dialogu në Bruksel, për çka nuk ka marrë asnjë zotim.

“Nuk pashë qartësi për asnjë çështje. Fillimisht liberalizimi i vizave pastaj ulemi diskutojmë. Përderisa nuk ndodhë liberalizimi i vizave, së paku unë si president, nuk ulem në tavolinën e bisedimeve në Bruksel”, ka deklaruar Thaçi.

Por, si vlerësohet ky kushtëzim dhe sa mund të pranohet ky kusht nga BE?

Tahiri: Kërkesa e Presidentit, e drejtë

Image
Ramush Tahiri

Lidhur me këtë, politologu, Ramush Tahiri, ka thënë për gazetën “Bota sot” se presidenti ka të drejtë, pasi BE nuk i ka liberalizuar vizat, edhe pse janë plotësuar kushtet.

“Presidenti i Republikës së Kosovës zotëri Hashim Thaçi ka të drejtë plotësisht që deklaron se nuk pranon që Bashkimi Evropian të ndërmjetësojë e aq ma pak të udhëheqë dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë si për çështjet teknike e praktike e aq më pak për arritjen e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve dhe për njohjen reciproke ndërmjet të dyja shteteve sovrane e të pavarura, kjo nga shkaku se për qytetarët e Kosovës BE nuk e ka bërë liberalizimin e vizave edhe pse ka vite që Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet. Pra Evropa nuk i ka kryer obligimet, detyrat dhe përgjegjësitë e veta dhe për këtë nuk ka kredibilitet”, ka deklaruar Ramush Tahiri për “Bota sot”.

Lepaja: Deklarata e presidentit u bë për konsum të brendshëm

Image
Fadil Lepaja

Ndërsa, njohësi i çështjeve politike, Fadil Lepaja, ka thënë për gazetën “Bota sot” se presidenti e di që nuk do të ketë ndonjë zhvillim në dialogun Kosovë-Serbi, prandaj deklaratat kanë të bëjnë me opinionin e brendshëm, se sa me vendimmarrësit në Bruksel.

“Presidenti Thaçi e di se edhe ashtu nuk do të ketë ndonjë zhvillim në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, për normalizim të marrëdhënieve mes tyre, përpara zgjedhjeve në Serbi, kur pritet të shihet kush do të jetë përfaqësues i palës serbe në këto bisedime, prandaj deklaratat e tij kanë të bëjnë me opinionin e brendshëm, por edhe me atë serb më tepër sesa me vendimmarrësit në Bruksel”, është shprehur ai.

Sipas Lepajës, kjo deklaratë do jetë e nxitur edhe nga kërkesa e Kurtit që vizat mund të ndodhin në pranverë dhe kështu ai dëshiron të jetë meritor në këtë proces.

“Përndryshe kjo deklaratë duket të jetë e nxitur poashtu nga kërkesa e kryeministrit Kurti që Kosova të ketë liberalizimin e vizave në pranverë të këtij viti dhe me një deklarim të sforcuar duket se synon të jetë pjesë dhe meritor i këtij procesi”, ka deklaruar Fadil Lepaja për “Bota sot”.

Shahu: Tendenca e politikanëve për tu vendosur kushte ndërkombëtarëve, shakaja më e madhe e pranverës së sivjetme

Image
Rexhep Shahu

Ndërsa, njohësi i çështjeve politike, Rexhep Shahu, ka thënë se presidenti nuk mund t’i vë kushte BE-së, por si individ mund t’i refuzojë bisedimet apo edhe të japë dorëheqje nga posti që mbanë, duke shtuar se tendenca për të vendosur kushte ndaj SHBA-së e BE-së është shakaja më e madhe e pranverës.

“Presidenti aktual i Kosovës është i urdhërueshëm, nuk është aq sovran, i lirë e i pavarur sa mendon e sa thotë ai. Kjo është sfidë e madhe, por presidenti i Kosovës vështirë se mund t’i vë kushte BE-së. Por ai mund refuzojë të ulët si individ në bisedime. Mundet si shenjë refuzimi e distancimi nga nënvleftësimi i burokrateve të Brukselit edhe të japë dorëheqje nga posti që mbanë. Kjo tendenca e politikanëve të Kosovës për tu vendosur kushte ndërkombëtarëve, Amerikës apo Evropës është shakaja më e madhe e pranverës së sivjetme”, ka vlerësuar Shahu.

Ai ka thënë se politika botërore nuk sillet rreth Kosovës dhe se kjo është tallava shqiptare, që rrezikon të përfundojë me dëshpërim shqiptarësh prej politikanëve lokalë.

“Nuk sillet politika botërore rreth Kosovës,e cila nuk është më ajo e 1999, kur ishte ne faqet e para të gazetave të botës, sot ajo nuk është as në faqet e fundit të gazetave të botës e politikanëve tanë u duket vetja se i vënë kushte botës, Evropës apo Amerikës. Kjo është tallava shqiptare, që rrezikon të përfundojë me dëshpërim shqiptarësh prej politikanëve lokalë që mendojnë për votat e partive të tyre, për militantët e tyre dhe jo për interesa kombëtare që nuk sjellin vota”, ka deklaruar Rexhep Shahu për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat