Vjosa Osmani kërkon largimin e Hashim Thaçit bashkë me taksën

Politika

Vjosa Osmani kërkon largimin e Hashim Thaçit bashkë me taksën

Albulena Jahaj Nga Albulena Jahaj Më 13 mars 2020 Në ora: 08:36
Kuvendi i Kosovës

Në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës rreth heqjes së taksës, krye-parlamentarja Vjosa Osmani, ka folur për dialogun me Serbinë, që sipas saj duhet të zhvillohet mbi dy parime.

Ajo ka thënë se Kosova nuk ka pasur asnjëherë suksese pa i pasur në krah Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Osmani ka thënë se bashkë me taksën duhet të hiqet edhe presidenti i vendit Hashim Thaçi.

“Tarifa duhet të hiqet por duhet të hiqet në të njëjtën kohë me presidentin prej rolit të tij të uzurpuar, në të njëjtën kohë sepse në momentin kur hiqet ai, hiqet edhe rreziku prej marrëveshjeve të rrezikshme, bashkë duhet me u hekë të dyja. Tarifa duhet të hiqet që kjo qeveri të vazhdojë t’ia prish strofullin krimit, që kjo qeveri të vazhdojë t’ia prish planet gjithë atyre që të gjithë karrierën e tyre politike nuk menduan asgjë tjetër përpos ta shpëtojnë lëkurën e tyre”, ka deklaruar kryetarja e Kuvendit Vjosa Osmani.

Por, shkarkimi apo heqja e presidentit ashtu siç ka kërkuar krye parlajmentarja Osmani, mund të behet vetëm nga parlamenti ashtu siç edhe është zgjedhur, kur të konstatohet se i njëjti ka kryer shkelje Kushtetuese.

Shahu: Vjosa dhe Albini nëse i kanë votat dhe nëse bazohen në kushtetute le ta shkarkojnë Thaçin

Image
Rexhep Shahu

Analisti politik Rexhep Shahu, ka thënë për “Bota Sot” se Vjosa Osmani dhe deputetët e Kosovës janë në momentin historik të veprojnë sipas kërkesës së miqve Amerikane që korrektojnë e diktojnë edhe dialogun shqiptaro serb, përderisa janë përfshi si aktore që nuk duan të zvarritet më tej kjo histori.

“Luftërat e brendshme politike nuk i shërbejnë popullit. Kosova është demokraci, vend demokratik me pushtete që mbajnë në ekuilibër jetën politike. Nuk është mbretëri Kosova dhe as shtet fusësh që gjithkush shpallet i pari. Presidenti i Kosovës zgjidhet nga parlamenti dhe shkarkohet nga parlamenti sipas kushtetutës dhe jo sipas orekseve apo dëshirave të ndokujt. Vjosa dhe Albini nëse i kanë votat dhe nëse bazohen në kushtetute le ta shkarkojnë Thaçin, ose ndryshe të mos flasin për më mbushë gazetat. Thaçi është aty ku është me vota dhe nuk ka pikë rëndësie a i mbushet mendja apo jo me dhanë dorëheqje. Thaçi nuk jep dorëheqje edhe pse në opinion është i diskretituar me deklarimet për korrigjim kufiri me Serbinë” ka thënë Shahu.

Sipas tij, Parlamenti mundet të konsumojë gjithë mandatin duke fole për Thaçin, por pa vendosë asgjë as Vjosa as Albini.

“Nëse bazohen në fakte dhe shkelje kushtetute ta shkarkojnë e të mos bëjnë retorika. Opinioni publik do të lehtësohen të mos ishte Thaçi president i Kosovës”, është shprehur Shahu.

Skënder Zogaj: Për rolin e Presidentit duhet debat tjetër, i veçantë!

Image
Skender Zogaj

Kurse, Skender Zogaj, njohës i çështjeve politike ka shpjeguar se mbledhja e fundit e Kuvendit të Kosovës sërish pasqyroi gjendjen e mjerë të përfaqësuesve të popullit, të cilët Kuvendin nuk e konsiderojnë vendin e shenjtë ku duhet të shprehen kërkesat e dhe të merren vendimet e duhur për të mirën e popullit dhe të vendit, por e përdorin si arenë gladiatorësh, për të shfryrë mllefet e një primitivizmi të skajshëm.

“Mbledhja e djeshme ishte mjeruese, sepse, në momentet kur vendi ndodhet pranë një krize të thellë dhe jetike, deputetët i tregoni njëri tjetrit barcoleta cinike! Kuvendi dje kishte temë taksën dhe deputetët është dashur decidivisht të flasin rreth saj, shkurt e trup dhe më së shumti brenda dy orëve të tregojnë duan apo nuk duan ta heqin taksën! Të gjitha shpjegimet e tjera ishin huçe, ishin mllefe, ishin egoizëm! Shpjegimet për Hashim Thaçin ishin jashtë rendit të ditës sepse, për rolin e Presidentit duhet debat tjetër, i veçantë! Kështu që, edhe ky debat parlamentar ishte dëshpërues dhe dëshmi se, edhe kjo përbërje e Parlamentit mbetet në nivelin e së kaluarës dhe, siç po shihet, fatkeqësia po e vazhdon ta përthekojë Kosovën” ka thenë Zogaj.

Kelmendi: Kërkohen faktet që dokumentojnë shkeljet kushtetuese

Image
Muhamet Kelmendi

Kurse, sipas njohësit të çështjeve juridike Muhamet Kelmendit, Presidenti Thaçi ka kryer shumë veprime antikushtetuese, të cilat e kanë bërë të padëshirueshëm në pushtet. Mënyra e shkarkimit është e caktuar në mënyrë taksative në Kushtetutë.

“Paraprakisht dua të deklarohem se është gabim heqja e taksës pa kundërpërgjigje adekuate ndaj shteti serb. Ka shumë mundësi për të kushtëzuar Beogradin për taksen. Këtu kam parasysh njohjen e shtetit, ndërprerjen e propagandës ndaj Kosovës dhe deri edhe të detyrimi i minoritetit serb në Kosovë për të mos e bllokuar shtetin. E tërë kjo duhet domosdoshmërish të përcjellët me reciprocitet ne çdo fushe. Ndërsa, largimi i Thaçit varet nga deputetet dhe Vjosa Osmani i ka votat se bashku me deputetet e LDK-së për të arritur 1/3 e deputeteve për peticion. Aty kërkohen faktet që dokumentojnë shkeljet kushtetuese dhe të njëjtin peticion duhet dërguar Gjykatës Kushtetuese për të dhënë mendimin për shkelje. Nëse kjo konstatohet Kuvendi vendos me vota dhe e shkarkon”, ka thënë Kelmendi.

Mehmeti: Shkarkimi i Thaçit, të jetë prioritet

Image
Faton Mehmeti

Kurse opinionisti Faton Mehmeti, ka thënë se gjeja e parë që duhet bërë është shkarkimi i presidentit Hashim Thaçi, që konsiderohet su pengesa kryesore e vënies në binarë të duhura të bisedimeve me Serbinë.

“Gjeja e parë që duhet bërë është shkarkimi i Hashim Thaçit, njeriut që është pengesa kryesore e ç’ kapjes së shtetit, si dhe vënien në binarë të duhura të bisedimeve me Serbinë. Andaj, e kuptoj dhe mbështes thirrjen e zonjës Osmani me shpresën se s’do jetë vetëm thirrje oratorike, por do pasohet me veprime konkrete”, ka deklaruar ai.

Sipas tij, qeveria, konkretisht koalicioni qeverisës duhet të inicojë shkarkimin e Thaçit sa më shpejt të jetë e mundur.

Ndryshe, Adil Behramaj, këshilltari i presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ka reaguar pas deklaratës së kryetares së Kuvendit, Vjosa Osmani, e cila ka thënë se taksa 100 për qind duhet të hiqet njëkohësisht më presidentin Thaçi.

 “Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, e cila është bërë si katapultë e Vetëvendosjes brenda LDK-së, paska thënë se bashkë më tarifën duhet të hiqet edhe presidenti. E paska sosur e gëzuara t’i japë fund karrierës së saj, të cilën e ka ndërtuar si shushunjë politike rreth e rrotull Hashim Thaçit. Në atë moment që presidenti e lë politikën, rrafsh gjysma e Kuvendit dhe Qeverisë, përfshirë këtu edhe krerët e këtyre dy institucioneve, mbesin pa karrierë politike”, ka thënë Adil Behramaj, këshilltari i presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat