A është korrupsioni e keqja të cilën Kosova po e ka ende të vështirë ta tejkalojë? Flet analisti politik

Politika

A është korrupsioni e keqja të cilën Kosova po e ka ende të vështirë ta tejkalojë? Flet analisti politik

Nga: N. H Më: 14 mars 2020 Në ora: 18:30
Foto ilustrim

Departamenti Amerikan i Shtetit publikoi ditë më parë raportin për të drejtat e njeriut në botë në vitin 2019. Në pjesën për Kosovën, ky raport nxjerr si çështje kryesore: kufizimet të tepruara ndaj mediave, përfshirë dhunën ose kërcënimet ndaj gazetarëve; korrupsioni i qeverisë dhe mosndëshkimi i tij; si dhe sulmet kundër anëtarëve të pakicave etnike ose komuniteteve të tjera të margjinalizuara.

“Shumë persona në qeveri, opozita, shoqëria civile dhe mediat raportuan raste të zyrtarëve të lartë të përfshirë në korrupsion që vazhdonin veprimtarinë dhe mbesin të pandëshkuar. Qeveria dhe sektori i drejtësisë ndonjëherë ndërmorën masa për të ndjekur penalisht dhe ndëshkuar ata zyrtarë që kryenin abuzime, vepra penale dhe krime të së kaluarës, por shumë nga ata vazhduan të ushtronin pozicione në sektorin publik”, thuhet në raportin e Departamentit amerikan të Shtetit.

Raporti thotë se qeveria nuk arriti të zbatojë në mënyrë efektive ligjin që parashikon dënime penale për zyrtarët e korruptuar. “Zyrtarët nganjëherë përfshihen në praktika korruptive dhe mbesin të pandëshkuar. Mungesa e një mbikëqyrjeje efektive gjyqësore dhe sundimin e ligjit në përgjithësi i dobët, kontribuuan në këtë problem”, thuhet në raport.

Analisti politik, Skënder Mulliqi, në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se politikat e dobëta të udhëhequra për 20 vite, janë periudhë e gjatë për një vend të vogël, dhe në tanzicion siç është Kosova.

Image
Skënder Mulliqi

“Udhëheqjet e deritashme dhe keqpërdorimet e tyre, prodhuan gjendje të dobët ekonomike, na lindën fenomenet më negative për shoqëri siç janë: krimi dhe korrupsioni, nepotizmi, klientelizmi dhe dukuri tjera negative. Të gjithë këto bënë që në njërën anë të kemi një shumicë që po jetojnë dobët, dhe në anën tjetër kategorinë që u pasuruan më mundin dhe djersën e të parëve. Kosova ne vend të përparimit të gjithëmbarshëm, dhe demokratizmit, pësojë stagnacion apo edhe kthim mbrapa. Dhe, nuk është për të na çuditur fakti së ky raport i fundit i DASH-it dhe raporte të tjera ndërkombëtare, më shumë ishin negative në përshkrimin e gjendjes në Kosovë, së sa raporte pozitive. Kur një shtet përballët më probleme të mëdha, sigurisht së as liritë elementare njerëzore dhe as shtypi, nuk kanë mundësi më qenë të nivelit të një vendi më demokraci të avancuar. Kosova nuk mund të quhet shtet funksional, shtet i së drejtës, kur krimi dhe veçmas korrupsioni janë në nivele enorme. Kurrë nuk u luftuan sa duhet”.

Sipas Mulliqit, prandaj, reformat janë të ngutshme nga qeveria e re, në të gjitha sistemet e jetës dhe të punës, dhe se këto deformime të rënda shoqërore, kanë bërë gjithashtu të kemi varfëri të skajshme, dhe të kemi mos perspektivë për të jetuar në Kosovë, që po rezulton me largime masovike të te rinjve nga vendlindja.

“E kam thënë edhe disa herë më parë së si është mundur që njerëzit më afera të tilla korruptive, më procese gjyqësore jo që nuk janë dënuar, por janë kthyer në vendet të mëparshme të punës, dhe disa nga këta edhe në vende të larta shoqërore e politike. Koha është për te vepruar më seriozitet karshi të gjitha dukurive negative, që Kosova të vihet në binarët normal të jetës të saj. Me këtë përçarje dhe me këtë luftë interesash të kësaj klase politike, nuk ka mundësi të daljes nga kriza. Mos uniteti i spektrit aktual të vendimmarrjes politike është duke dëmtuar tepër shumë ecejaket e Kosovës, në rrugën e zhvillimeve të brendshëm dhe në rrugën e integrimeve evropiane”, ka thënë analisti politik, Skënder Mulliqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat