Krimi i organizuar dhe korrupsioni ngulfatën shtetin tonë - Bota Sot
Krimi i organizuar dhe korrupsioni ngulfatën shtetin tonë

Politika

Krimi i organizuar dhe korrupsioni ngulfatën shtetin tonë

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 15 mars 2020 Në ora: 13:35
Foto ilustrim

Departamenti Amerikan i Shtetit ka publikuar ditë më parë raportin për të drejtat e njeriut në botë në vitin 2019.

Në këtë raporti thuhet se qeveria nuk arriti të zbatojë në mënyrë efektive ligjin që parashikon dënime penale për zyrtarët e korruptuar.

“Zyrtarët nganjëherë përfshihen në praktika korruptive dhe mbesin të pandëshkuar. Mungesa e një mbikëqyrjeje efektive gjyqësore dhe sundimin e ligjit në përgjithësi i dobët, kontribuuan në këtë problem”, thuhet në raport.

Por nga ana tjetër në pjesën për Kosovën, ky raport nxjerr si çështje kryesore: kufizimet të tepruara ndaj mediave, përfshirë dhunën ose kërcënimet ndaj gazetarëve; korrupsioni i qeverisë dhe mosndëshkimi i tij; si dhe sulmet kundër anëtarëve të pakicave etnike ose komuniteteve të tjera të margjinalizuara.

“Shumë persona në qeveri, opozita, shoqëria civile dhe mediat raportuan raste të zyrtarëve të lartë të përfshirë në korrupsion që vazhdonin veprimtarinë dhe mbesin të pandëshkuar. Qeveria dhe sektori i drejtësisë ndonjëherë ndërmorën masa për të ndjekur penalisht dhe ndëshkuar ata zyrtarë që kryenin abuzime, vepra penale dhe krime të së kaluarës, por shumë nga ata vazhduan të ushtronin pozicione në sektorin publik”, thuhet në raportin e Departamentit amerikan të shtetit.

E njohësit e çështjeve politike në vend këtë raport e vlerësojnë si të drejtë pasi aty theksohet gjendja e keqe dhe të saktë ku zyrtarët e lartë përfshihen në korrupsion, vepra penale, abuzime etj,dhe nuk dënohen fare.

Ata thonë, Raporti i Departamentit Amerikan i Shtetit është dëshmi se Kosova nuk e ka merituar marrjen e liberalizimit të vizave.

Madje sipas tyre, të tillët mjerisht edhe përkundër këtyre veprave penale ata bëhen edhe më të fortë, duke u ngritur kështu edhe në detyra më të larta për të vazhduar më pas edhe ushtrimin në pozicione të ndryshme në sektorin publik.

Zogaj: Korrupsioni dhe krimi i organizuar kanë ngulfatur Kosovën

Image
Skënder Zogaj

Analisti politik Skënder Zogaj, konsideron se korrupsioni dhe krimi i organizuar janë duke e mbajtur Kosovën të ngulfatur dhe kështu po ndodh nga insistimi permanent i institucioneve shtetërore, të cilat janë të interesuara ta yshtin dhe ta mbajnë këtë gjendje, sepse kjo u konvenon.

“Se është kështu tregojnë faktet dhe shifrat e keq menaxhimit të qëllimshëm! Flitet se janë dënuar me qindra njerëz për korrupsion, porse, nuk tregohet se janë dënuar rastet ordinere, të paskrahët: policët për një birrë dhe 5 qofte ryshfet, rojat për 1 pako cigare, pastrues, nëpunës të vegjël, mësues, arsimtare, zyrtarë të mesëm, për 10-20 euro ryshfete, në të shumtën e herës më kurdisje për t'ua marrë vendin e punës, mjek e motra medicinale për 50-100 euro, por nuk është ndëshkuar asnjë zyrtar i lartë, asnjë "peshk i madh" që ka gllabëruar qindra mija euro, dhjetëra hektarë tokë, mija tonelata asfalt, xehe, ilaçe, mija cisterna karburanti, dhjetëra e qindra objekte banesore për lejet e paligjshme, mijëra euro për lirimin e kriminelëve nga akuzat, për ikjen dhe strehimin tyre jashtë shtetit, për vjedhjen e thesarit të shtetit, e kështu me radhë”, ka thënë analisti politik Skënder Zogaj.

Sipas tij, asnjë nga këta nuk është prekur as me maje thoni! Prandaj, krimi dhe korrupsioni nuk është ndëshkuar, përkundrazi është bërë pjesë përbërëse, e pranueshme dhe bashkëjetuese e shoqërisë sonë.

“Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit me të drejtë e thekson gjendjen e keqe sepse është e saktë që - zyrtarët e lartë që përfshihen në korrupsion, vepra penale, abuzime, nuk dënohen por bëhen edhe më të fortë dhe ngritën në detyra më të larta dhe vazhdojnë të ushtrojnë pozicione në sektorin publik. Pra janë të pandëshkuar, sepse sundimi i ligjit nuk funksionon, në fakt funksionon në mënyrë selektive, i diktuar nga bosët e krimit që e mbajnë të kapur drejtësinë, nëpërmjet njerëzve të vet që i kanë instaluar aty. Mosfunksionimi i ligjit i ka vra sidomos mediat të cilat për të mos u shuar, janë bërë servise shërbyese të politikës, ndërsa gazetarët që veprojnë ndryshe janë jo vetëm të kërcënuar por edhe të dhunuar. Raporti i Departamentit Amerikan i Shtetit është dëshmi se Kosova nuk e ka merituar marrjen e liberalizimit të vizave. Gjykata Speciale është shpresa se më në fund do të ndodh fillimi i ndëshkimit të kriminelëve dhe i fillimi i funksionimit të drejtësisë”, ka thënë analisti politik Skënder Zogaj.

Kurti do ta luftojë korrupsionin

Image
Sulejman Mehazi

Njohësi i çështjeve politike profesor, Sulejman Mehazi, ka thënë se Kosova është shtet i korrupsionit të nivelit të lartë këtë më së miri e vërteton edhe Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH-it), se Kosova është e mbuluar nga korrupsioni që nga themeli, këmbët e gjer në kokë dhe se aq shumë është ngulfatur sa që nuk e lënë të rritet e zhvillohet politikisht, ekonomikisht dhe ndërkombëtarisht.

Sipas tij, Departamenti Amerikan paralajmëron se Qeveria e Kurtit së bashku me gjyqësorët si e si duhet luftuar kufizimin e tepruar të të drejtave të njeriut, dhunën ndaj mediave dhe gazetarëve, të drejtat e pakicave e sidomos korrupsionin kulminant e tej masë të elitës politike shtetërore të Kosovës.

“Nëse qeveria e Kurtit është neglizhente e nuk e lufton ashpër këtë të keqe kancerogjene korruptive shtetërore atëherë kjo do ia hajë kokën dhe vet kësaj qeverie. Albini me qeverinë e tij enkas e pa mëshirshëm duhet luftuar e kontrolluar këtë të keqe sa s'është bërë epidemi ekonomike, sociale e politike se pastaj do jetë vonë. Të keqes duhet dalë përpara për t'ia prerë kokën, nëse Albini e Qeveria e tij rri pas kësaj murtaje ekonomike, sociale e juridike korruptive, atëherë kjo epidemi do ta kaplonte gjithë Kosovën për ta dërguar në humnerë të thellë e të përgjithshme shtetërore. Kryeministri Albin Kurti këtë diagnozë të rëndë e të rrezikshme koronovirusiane ekonomike nuk mund ta parandalojë vet, po duhet edhe ndihma e patjetërsueshme juridike e SHBA-së dhe BE-së, pa ndihmën e këtyre vështirë do ta ketë qeveria e Kurtit për të ndalur këtë shëmtirë shtetërore. Megjithatë, shpresojmë se qeveria e Kurtit do ta luftojë ashpër korrupsionin shtetëror”, ka thënë njohësi i çështjeve politike profesor Sulejman Mehazi.

Mehmeti: Korrupsioni vazhdon të jetë në nivele të larta

Image
Faton Mehmeti

Kurse analisti politik Faton Mehmeti ka thënë se raporti i DASH i publikuar këtë të mërkurë nxjerr në pah vështirësitë me të cilat ballafaqohet Kosova.

Ai konsideron se kryesisht korrupsioni vazhdon të jetë në nivele të larta, dhe mos të luftohet.

“Ky raport gjithashtu është këmbën alarmi dhe thirrje për qeverinë e re, që të merret shumë seriozisht me korrupsionin, forumin e ligjit dhe të respektohen të drejtat e gazetarëve. Në këtë mes duhet theksuar se Kosova vazhdon të jetë nën ndikimin e grupeve të interesit të lidhura me politikën e shkuar, e cila ka len end pasoja. Andaj, është detyrë e qeverisë së re që të luftoj këto fenomene, të cilat kanë ndikuar që Kosova mos të mund të ec tutje. Fatkeqësisht raporti i DASH, sikur edhe viteve të fundit, nuk gjen përmasim në këto fenomene, të cilat po dominojnë jetën publike dhe politike të vendit tonë. Reformat në gjyqësore janë të nevojshme për vendin tonë, që të kemi drejtësi të pavarur dhe mbi të gjitha të tregohen elementet pozitive të daljes së Kosovës nga agonia, ku e ka futur vendin politika e të shkuarës. Andaj, ky raport duhet të merret me shumë seriozitet, dhe si i tillë të fillohet të behën reforma aty ku kemi më së shumti nevojë, e që janë drejtësia, sundimi i ligjit, respektimi i të drejtave të gazetarëve etj”, ka thënë analisti politik Faton Mehmeti.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat