Mocion mosbesimi ndaj qeverisë, flet zyrtari i VV-së: Vetëm kështu mund të vazhdohet bashkëqeverisja VV-LDK

Politika

Mocion mosbesimi ndaj qeverisë, flet zyrtari i VV-së: Vetëm kështu mund të vazhdohet bashkëqeverisja VV-LDK

Nga: N. H Më: 20 mars 2020 Në ora: 22:45
Albin Kurti

Kuvendi i Kosovës ka pranuar të premten dokumentin e nisur nga Lidhja Demokratike e Kosovës, përmes së cilit kërkohet mocion mosbesimi ndaj qeverisë së kryeministrit, Albin Kurti.

Zyrtarë nga Kuvendi i Kosovës, kanë konfirmuar pranimin e shkresës.

Ndërkohë edhe vetë LDK-ja, ka bërë të ditur se ka dorëzuar mocionin me 46 nënshkrime në këtë institucion.

Lidhur me këtë, zyrtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Petrit Bicaj, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se pas paraqitjes së mocionit për rrëzimin e qeverisë Kurti, nuk ka më shpresa për koalicionin aktual që qeverisë me vendin.

Image
Petrit Bicaj

“Pas paraqitjes së mocionit nga ana e LDK-së, nuk shoh asnjë shpresë të vazhdimit të këtij koalicioni. LDK me këtë veprim e zhgënjejnë edhe popullin i cili ka shpresuar në ndryshime, i zhgënjejnë edhe votuesit e saj të cilëve ju tha ‘beso’ në asnjë mënyrë nuk do bashkëpunojmë me hajnat e PAN-it, me të cilët tash organizojë mocionin e votëbesimit të qeverisë”, është shprehur anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje.

Ai konsideron se tashmë është shumë vonë që të pajtohen dy partitë për vazhdimin e bashkëqeverisjes.

Kurse, shpjegon se e vetmja shpresë mund të jetë situata në të cilën gjendet vendi me koronavirus, dhe që kreu i LDK-së ta jap emrin e një ministri tjetër për MPB-në.

“Andaj, mendoj pas ditës së sotme është tepër vonë dhe pothuajse e pamundshme që të kemi vazhdim të koalicionit. Sipas mendimit tim, vetmja shpresë që të vazhdohet ende dhe atë vetëm për shkak të situatës me koronavirus, është që Isa Mustafa ta jap emrin e një ministri tjetër për MPB-në dhe të pajtohet me vendimin e sotëm të qeverisë Kurti për heqjen e tarifës dhe vendosjes së reciprocitetit, bazuar në marrëveshjen e koalicionit”, ka thënë Bicaj.

Madje, ndër tjerash, Bicaj e quan mëkat vendimin për mocion nga ana e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

“Është mëkat që në këtë kohë pandemie, LDK e ashtuquajtur parti institucionaliste, merr vendim për mocion edhe atë në bashkëveprim me partitë të cilat duke i sharë dhe kritikuar i fitoj votat. Për mua, si një ish anëtar i LDK-së, nuk është asgjë e papritur dhe se janë tepër të paparashikueshëm në veprime. Veprimet e tyre janë të bazuara në interesa individuale dhe klanore”, tha ai.

Krejt në fund, zyrtari i VV-së thekson se ky veprim i LDK-së duke sikur i përgatitur nga ata që sot udhëheqin me këtë parti.

“Prapë, sipas mendimit tim, duket se krejt kjo paska qenë e përgatitur mirë nga klani kriminel që operon në krye të LDK-së, më të vetmin qëllim rrëzimin e qeverisë, e cila luftonte krimin e korrupsionin ku pa dyshim janë të involvuar njerëz të afërm të Veliut dhe Mustafës. Do të thotë se këtu bëhet fjalë për ruajtje të organizimeve kriminale të cilat bashkëveprojnë për bukuri me individ të caktuar të PAN- partive”, ka përfunduar zyrtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Petrit Bicaj.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat