Albini thotë mos dilni, Hashimi thotë dilni, a me dalë a mos me dalë? - Bota Sot
Albini thotë mos dilni, Hashimi thotë dilni, a me dalë a mos me dalë?

Politika

Albini thotë mos dilni, Hashimi thotë dilni, a me dalë a mos me dalë?

Faton Mehmeti Nga Faton Mehmeti Më 24 mars 2020 Në ora: 22:01
Albin Kurti dhe Hashim Thaçi

E gjithë bota ka pezulluar të gjitha aktivitetet e ndryshme në përballjen me koronavirusin, virusin që po tmerron botën. Fatkeqësisht ne jemi ndryshe nga tjerët, konkretisht klasa politike në vendin tonë edhe në këto kohë mundohet të përfitojnë poenë politikë. Duke ngritur kurthe ndaj njëri tjetrit, me lojërat e tyre të rrezikshme politike kanë vu në rrezik edhe jetën dhe sigurinë e qytetarëve të vendin tonë.

Dy akterët kryesor të vendit tonë: Presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri Albin Kurti. Dihet tashmë se rivaliteti i tyre daton qysh moti, në rrethanat normale të gjendjes sonë edhe ishte edhe e kuptueshme rivaliteti, edhe pse shpesh duke dalë nga kornizat e demokracisë. Megjithatë kjo ishte e kuptueshme, tani në kohën që ndodhemi, në rrethanat e izolimit të krejt botës nga virusi, është e pakuptueshme të vazhdohet lufta politike për poenë po ashtu politikë.

Derisa njëri insiston për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, tjetri nuk e pranon një gjë të tillë. Shto këto edhe situatën me mocionin për rrëzimin e qeverisë, vendi ndodhet në një katrahurë të paparë. Këto ndodhin për shkak se klasa jonë politike ende nuk vepron si një trup në situate emergjente, dhe ky është turpi i tyre. vetëm tek ne ndodhë që për një plesht të digjet jorgani, duke harruar se në këto ditë të vështira, ku edhe moti ka marrë shumë i ftohtë dhe me borë, ka familje që jetojnë në skamje, njerëz të sëmurë, të cilat kanë nevojë për kujdesin dhe dorën e shteti. Vetëm një herë të vetme të bëhemi bashkë, jemi bërë turpi i botës. Jo rastësisht edhe deputet të ndryshme, si gjermanë, zviceranë etj reagojnë duke bërë thirrje të luftojmë virusin jo njëri tjetrin.

Kryeministri Kurti nuk pranon gjendje të jashtëzakonshme, ndonëse shpall orë policore, e cila sipas disa njohësve të Kushtetutës nuk është nën juridiksionin e qeverisë ta vendosë por të kuvendit me 2/3 e saj. Ka disa që thonë ndryshe, askush s`po e merr vesh se realisht e drejt e kujt është. Në anën tjetër del presidenti në konferencë për shtyp këtë të hënë vonë dhe thotë mos iu bindin urdhrit të qeverisë, duke shkaktuar kështu shkelje të ligjit me thirrjen për mos t’iu bindur as policëve. Si për të shlyer gabimin e tij, të nesërmen, pra atë martën në mëngjes del përsëri  duke thënë se “mos dilni pa nevojë, rri në shtëpi” , për të përmbyllur me njoftimin se vendimin e qeverisë për shpalljen e vendimit për ndalim të qarkullimit të qytetarëve do e dërgojë në Kushtetuese.

Njëri thotë mos dilni nga ora 10-16 dhe 20-06, tjetri thotë dilni se nuk ka kush çfarë iu bën, duke krijuar huti tek qytetarët. Si njëri ashtu edhe tjetri, kanë dëshmuar se nuk arrijnë të dalin përtej interesave të tyre të ngushta, për hir të interesit të qytetarëve të bëjnë paqe. Edhe armiqtë në luftë kanë bërë armëpushim, në  momente të caktuara. Priamit iu vra djali më i mirë , duke i puthur duart atij që vrau i kërkoi armëpushim derisa të kryhet ceremonia e varrimit.

Janë disa gjëra, siç janë jeta dhe nderi që kalojnë kufijtë e luftës politike. Kjo është njëra ndër virtytet që duhet të trashëgojmë si shoqëri, dhe si njerëz të cilët mbi të gjitha s`po arrijmë të dalim nga egot tona të ulëta. Njëri thotë mos dilni, tjetri dilni, në mes të kësaj qytetarët në huti e sipër, me gjithë hallet e tyre vetëm sa kanë kuptuar se s’kanë dike që të mendoj për ta, dhe hallet e tyre.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat