Flet për “Bota sot”, këshilltari i Albin Kurtit, kjo ishte arsyeja pse u rrëzua Qeveria Kurti – zbulon se kush e keqpërdori Vjosa Osmanin - Bota Sot
Flet për “Bota sot”, këshilltari i Albin Kurtit, kjo ishte arsyeja pse u rrëzua Qeveria Kurti – zbulon se kush e keqpërdori Vjosa Osmanin

Politika

Flet për “Bota sot”, këshilltari i Albin Kurtit, kjo ishte arsyeja pse u rrëzua Qeveria Kurti – zbulon se kush e keqpërdori Vjosa Osmanin

Nga: N. H Më: 4 prill 2020 Në ora: 15:58
Albin Kurti dhe Vjosa Osmani

Javë më parë, me 82 vota për, 32 kundër dhe 1 abstenim, deputetët e Kuvendit të Kosovës votuan mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë së udhëhequr nga kryeministri, Albin Kurti.

Me votimin e këtij mocioni, Qeveria Kurti mbetet në detyrë, si qeveri në dorëheqje, ndërkohë që fillojnë procedurat për formimin e qeverisë së re të Kosovës.

Një prej arsyeve që mendohet se qoi deri tek rrëzimi i Qeverisë Kurti, po konsideron se ishte interesi i ngushtë individual i disa prej krerëve të LDK-së. Kështu, të paktën mendon këshilltari i kryeministrit në detyrë.

Driton Tali, këshilltar politik i kryeministrit Albin Kurti, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka folur në detaje për rrëzimin e Qeverisë.

Tali ka dhënë disa shpjegime se pse erdhi deri tek rrëzimi i kësaj qeveria, e quajtur ndryshe edhe si qeveria e “shpresës”.

Image
Albin Kurti dhe Driton Tali

“Së pari ta qartësojmë këtë thënien që po përsëritet në pafundësi se të ‘gjitha partitë u bënë bashkë’. Është një barsoletë për interpretimin e statistikave, e cila thotë, ‘nëse 50 për qind e popullatës ha mish, e 50 për qind tjetër ha lakra, atëherë e gjithë popullata hanë mish e lakër’. Do të thotë, ‘të gjitha partitë’ nuk u bënë bashkë sepse PDK, AAK, Nisma, Lista Serbe nuk e kanë votuar Qeverinë Kurti. Sikur ta kishin votuar atëherë mbase do të kishin të drejtë ta interpretojnë në këtë mënyrë ‘të gjitha partitë u bënë bashkë’. Pra, veç deputetët e LDK-së (edhe atë jo të gjithë) votuan për rrëzimin apo i ranë pishman ose ‘nëse donin’ ju bashkuan atyre që nuk e donin Qeverinë Kurti. Por, ajo që duhet pranuar patjetër, dhe besa edhe me ju uruar, është se e ‘detyruan’ Listën Serbe të qëndrojë në sallë deri në fund. Gjë që nuk bënë vaki shpesh”, ka thënë këshilltari i kryeministrit Kurti, Driton Tali, për gazetën “Bota sot”.

Tali konsideron se ishin shumë arsye që krerët e subjektit të Lidhjes Demokratike të Kosovës ishin pro mocionit për rrëzimin e Qeverisë Kurti.

Mes të tjerave ai përmend se ishte interesi individual dhe i grupit që ende e ka fuqinë në Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Madje, sipas Talit, kryetarja e Kuvendit të Kosovës Vjosa Osmani u keqpërdorë nga kasta e vjetër e LDK-së, pasi sipas tij, ajo ishte arsyeja pse LDK-së iu shtuan gjithë ato dhjetëra mija vota.

“Tani, se cila ishte arsyeja e udhëheqësve të LDK-së, për mendimin tim janë të shumta. Por, mbi të gjitha ishte interesi individual dhe i grupit që ende e ka fuqinë në LDK. Tashmë u bë e qartë se Vjosa Osmani u keqpërdorë, sepse ajo ishte arsyeja pse LDK-së iu shtuan gjithë ato dhjetëra mija vota që LDK i kishte humbur në zgjedhjet e kaluara, e jo Isa Mustafa, Agim Veliu, Skënder Hyseni apo Melihate Tërmkolli etj. Në politikë vlerën e ke aq sa ta caktojnë votuesit. Andaj, sjelljet e Vjosa Osmanit dhe sjelljet e këtij grupi udhëheqësish të LDK-së më bënë të besojë se në LDK kemi luftë interesash dhe asgjë parimore apo ‘pro bono publico’. Sipas meje kjo ishte arsyeja kryesore”, është shprehur Tali.

Në fund, ai shprehet se interesi i grupit që rrëzoi Qeverinë Kurti, ishte që vendi edhe me tej vazhdojë me këtë modë, dhe kjo ishte një prej arsyeve se pse krerët e LDK-së më parë pranuan t’i bashkohen PAN-it, se sa që pranuan, e aq ma pak të kontribuojnë për të ardhmërinë e vendit.

“Sukseset e Qeverisë Kurti, në të cilën kontribuonin edhe disa politikanë të rinj të LDK-së, të cilët merren si e ardhmja e LDK-së, e zbehën edhe më shumë këtë grupin udhëheqës të identifikuar me të kaluarën. Së këndejmi në interes të ‘grupit të së kaluarës’ është që situata në Kosovë të vazhdojë me këtë modë. Kjo është edhe arsyeja pse ata më parë pranojnë t’i bashkohen PAN-it, (pra të vjetrës) se sa që pranojnë, e aq ma pak të kontribuojnë për të rejën (ardhmërinë). Kësaj, pastaj shtoja atë se e reja nënkupton ligj e përgjegjësi. Kjo s’do mend se i rrezikon drejtpërdrejtë pasuritë e krijuara në mënyra shumë të dyshimta”, ka përfunduar këshilltari politik i kryeministrit në detyrë, Driton Tali, për gazetën “Bota sot”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat