Nga Vetëvendosje tregojnë nëse do të ribashkohen me LDK-në, parashikojnë koalicion me Vjosa Osmanin

Politika

Nga Vetëvendosje tregojnë nëse do të ribashkohen me LDK-në, parashikojnë koalicion me Vjosa Osmanin

Nga: N. H Më: 5 prill 2020 Në ora: 21:11
Albin Kurti dhe Vjosa Osmani

Gjasat për një bashkëpunim mes Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje po shihen edhe me tej si të mundshme.

Kështu ka vlerësuar nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, i cili ditë më parë deklaroi se ka përsëri mundësi të bashkëpunimit ndërmjet LDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje.

Haziri u shpreh se në Lidhjen Demokratike të Kosovës e shohin Lëvizjen Vetëvendosje të Albin Kurtit, si mundësi për ta ndërtuar Qeverinë e ardhshme.

E, lidhur me këto deklarata të Haziri, ka folur edhe zyrtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Petrit Bicaj.

Bicaj në një prononcim dhënë gazetës “Bota sot”, ka thënë se deklaratat e Hazirit janë jo të sinqerta, dhe këto vijnë si pasojë e sondazheve të fundit, ku Lëvizja Vetëvendosje prinë bindshëm, krahasuar me partitë tjera.

“Këto deklarata nuk janë të sinqerta dhe mendoj se janë pasojë e leximit korrekt të sondazheve të fundit, ku Lëvizja Vetëvendosje, prinë bindshëm. Po të donte Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lutfi Haziri, nuk do kishim mocion mosbesimi para disa ditësh, e aq me pak në kohë pandemie. Tash kam bindjen se janë paksa të vonuara këto ide dhe të pasinqerta”, ka thënë Bicaj i Lëvizjes Vetëvendosje, për gazetën “Bota sot”.

Ai mendon se partia e tyre do të jetë bindshëm e para, dhe parashohin një koalicion të mundshëm me Vjosa Osmanin dhe të tjerët, që janë të pakënaqur në LDK.

Image
Albin Kurti dhe Petrit Bicaj

“Mendoj që pas zgjedhjeve Lëvizja Vetëvendosje do jetë bindshëm partia e parë dhe një koalicion pas zgjedhor me një grup Vjosa Osmani dhe të tjerët, nëse do të ketë një listë të tillë e cila merr pjesë në zgjedhje, do ishte i mirëseardhur për demokracinë e përgjithshme në vend”, ka thënë ai.

Krejt në fund, Bicaj thekson se bashkëpunimi me LDK-në, do të jetë i vështirë, përderisa në krye të kësaj partie të jenë Mustafa dhe Veliu.

“Por, bashkëpunimi me një LDK, ku ende vendimet merren nga Isa Mustafa, Agim Veliu dhe soji i tyre, do ishte paksa e vështirë dhe joreale, sepse do mund të ballafaqoheshim me situata të njëjta. Siç duket tashmë edhe në LDK e kanë kuptuar se qeveri pa Vetëvendosjen nuk mund të ketë, sepse do ishte jokushtetuese, rrjedhimisht, pas pandemisë vendi shkon në zgjedhje”, ka përfunduar zyrtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Petrit Bicaj, për gazetën “Bota sot”.

Kujtojmë se më 25 mars, me 82 vota pro, 32 kundër dhe 1 abstenim, Kuvendit i Kosovës ka rrëzuar qeverinë e Kurtit.

Mocioni i mosbesimit ishte iniciuar nga partneri i koalicionit qeverisës, Lidhja Demokratike e Kosovës, e përkrahur nga opozita.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat