Bajqinovci: Sondazhi i fundit i ka frikësuar partitë e tjera

Politika

Bajqinovci: Sondazhi i fundit i ka frikësuar partitë e tjera

Nga: D.RR Më: 9 prill 2020 Në ora: 20:24
Mefail Bajqinovci

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci, në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka komentuar sondazhin e nxjerrë para disa ditësh, ku Lëvizja Vetëvendosje qëndron e para me 52%, duke lënë shumë prapa partitë tjera.

Bajqinovci i tha gazetës “Bota sot” se ky sondazh është njëra ndër arsyet pse partitë tjera po frikësohen nga zgjedhjet.

“Partitë e tjera politike sigurisht që e dinë se në rast të zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje padyshim që do të jetë partia e parë në vend, me një rritje të dukshme nga zgjedhjet e 6 tetorit. Sondazhi që është publikuar, është bërë në kohën para mocionit ndaj qeverisë të nisur nga LDK-ja, e ku tregon se mbështetja ishte e madhe edhe atëherë. Tash pas mocionit, Lëvizja është rritur në mënyrë drastike, ku kemi një përkrahje të madhe nga populli. Kjo është njëra ndër arsyet pse partitë tjera po frikësohen nga zgjedhjet”, tha ai.

Bajqinovci parashikon një bashkim të të gjitha partive politike në zgjedhjet e ardhshme, teksa për VV-në thotë se do të lidh koalicion me popullin.

“Krejt kjo vije për shkak të punës së mirë të qeverisë në këto dy muajt e parë qeverisjeje. Në zgjedhjet e ardhshme mendoj se do të kemi një bashkim të të gjitha partive në njërën anë, ndërsa në anën tjetër do të kemi Lëvizjen Vetëvendosje të vetme, e cila koalicionin e vetëm do ta lidh me qytetarët e Kosovës. Ata që e nisën mocionin dhe ata që e votuan, populli do t’ua jap ndëshkimin e merituar, pasi e ata ua shuan shpresën që e kishin qe dy dekada”, theksoi deputeti Bajqinovci për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat