Vetëvendosje del mirë në sondazhe, analistët thonë se nuk do mund ti fiton 50 përqind

Politika

Vetëvendosje del mirë në sondazhe, analistët thonë se nuk do mund ti fiton 50 përqind

Drilon Rrahmani Nga Drilon Rrahmani Më 3 maj 2020 Në ora: 12:01
Vetëvendosje

Një sondazh i realizuar nga një kompani serioze e ka nxjerrë se në rast se zgjedhjet do të mbaheshin shpejt, fituese do të dilte Lëvizja Vetëvendosje me 52 përqind të votave.

Pas publikimit të këtij sondazhi, kanë reaguar shumë zyrtarë të LVV-së, por që reagime kishte edhe nga partitë tjera, kjo për faktin se është hera e parë që një sondazh zyrtar e nxjerrë një parti politike mbi 51%.

Duket se ky rezultat i këtij sondazhi, i dha Vetëvendosjes eufori që të kundërshtojnë edhe më tepër variantin e një formimi të qeverisë teknike e gjithëpërfshirëse.

Bajqinovci: Kjo është njëra ndër arsyet pse partitë tjera po frikësohen nga zgjedhjet

Image
Mefail Bajqinovci

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci, në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka komentuar sondazhin e nxjerrë para disa ditësh, ku Lëvizja Vetëvendosje qëndron e para me 52%, duke lënë shumë prapa partitë tjera.

Bajqinovci i tha gazetës “Bota sot” se ky sondazh është njëra ndër arsyet pse partitë tjera po frikësohen nga zgjedhjet.

“Partitë e tjera politike sigurisht që e dinë se në rast të zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje padyshim që do të jetë partia e parë në vend, me një rritje të dukshme nga zgjedhjet e 6 tetorit. Sondazhi që është publikuar, është bërë në kohën para mocionit ndaj qeverisë të nisur nga LDK-ja, e ku tregon se mbështetja ishte e madhe edhe atëherë. Tash pas mocionit, Lëvizja është rritur në mënyrë drastike, ku kemi një përkrahje të madhe nga populli. Kjo është njëra ndër arsyet pse partitë tjera po frikësohen nga zgjedhjet”, tha ai.

Bajqinovci parashikon një bashkim të të gjitha partive politike në zgjedhjet e ardhshme, teksa për VV-në thotë se do të lidh koalicion me popullin.

“Krejt kjo vije për shkak të punës së mirë të qeverisë në këto dy muajt e parë qeverisjeje. Në zgjedhjet e ardhshme mendoj se do të kemi një bashkim të të gjitha partive në njërën anë, ndërsa në anën tjetër do të kemi Lëvizjen Vetëvendosje të vetme, e cila koalicionin e vetëm do ta lidh me qytetarët e Kosovës. Ata që e nisën mocionin dhe ata që e votuan, populli do t’ua jap ndëshkimin e merituar, pasi e ata ua shuan shpresën që e kishin qe dy dekada”, theksoi deputeti Bajqinovci për “Bota sot”.

Edhe njohësi i çështjeve politike, Leon Duhanaj, për “Bota sot” ka komentuar sondazhin e publikuar para pak ditësh, i cili e nxjerrë Vetëvendosjen të parën me 52%.

Image
Leon Duhanaj

Duhanaj fillimisht flet për koalicionin që u prish pas 50 dite ndërmjet LDK-së dhe VV-së, për të cilin thotë se është e pritshme që dy parti me pole të kundërta bëhen bashkë.

“Situata e krijuar së fundmi në skenën politike kosovare, është një dëshmi e qartë e papërgjegjësisë politike kosovare, pa përjashtim. Së pari, për mendimin tim koalicioni ka qenë i panatyrshëm dhe nuk është dashur të ndodhë. Kjo sepse është e palogjikshme të presësh nga dy pole të kundërta, që urrehen mes veti, të bashkëpunojnë ngushtë në koalicion. Unë kam qenë kritik ndaj këtij "bashkëpunimi" dhe me keqardhje duhet të konstatojë që kam pasur të drejtë. Tani, nëse do të niseshim nga niveli i përgjegjësisë që do duhej t'ishte atëherë një situatë e tillë do duhet të sillte një qeveri të unitetit kombëtarë. Por, duke qenë se ne nuk kemi politikan që në radhë të parë kanë interesin e popullit, por kalkulimet politike atëherë kemi situatë të tillë kaotike. Tani çështja është se jemi ku jemi dhe, zgjidhjet do duhej të gjendeshin në kuadër të Kuvendit të Kosovës. Kuvendi është përfaqësuesi më legjitim i popullit dhe, nga aty duhet të dalë edhe zgjidhja”, tha Duhanaj.

Ai mendon se sondazhi ishte i orkestruar nga LVV, teksa thotë se nuk beson që mbështetja për VV-në do të jetë aq e madhe.

 “LVV- nga njëra anë akuzon të tjerët që po bëjnë kalkulime politike ne kohë pandemie, përderisa në anën tjetër po del me sondazhe të cilat i ka realizuar edhe para mocionit. Pra, jep shënja të kuptohet se prishja e koalicionit të jetë proces i kalkuluar mirë. Tani, sipas sondazheve e që unë besoj që janë të manipuluara, del të jetë mbështetja e madhe për VV-në. Megjithatë mendoj që nuk ka gjasa teorike që dikush të fitojë kaq shumë, por është mashë manipuluese në mënyrë që të ndikohet vullneti qytetarë, në parimin njerëzit bëhen me fituesin potencial. Nuk mendoj që ka vend për t'u frikësuar nga vota e qytetarëve, për aq sa nuk mendoj që ka vend për zgjedhje të reja. Aq me shumë, kur jemi dëshmitar që zgjedhjet, nuk garantojnë edhe zgjidhje”, u shpreh Duhanaj për “Bota sot”.

Analisti politik, Ali Hertica mendon se Vetëvendosje është diku në mes 40-50% të rezultatit. Ai për “Bota sot” theksoi se nuk do të jetë lehtë të marrin vota as politikanë të mëdhenj.

Image
Ali Hertica

“Unë mendoj se konkurrenca do të jetë shumë më e lartë dhe kjo po reflekton një frikë ndaj subjekteve opozitare ndaj shumë sondazheve të cilat po pasqyrojnë realitetin apo të themi dridhjet në opozitën e tashme ku VV po dominon në çdo cep ku po flitet shqip. Nuk do të jetë e lehtë të fitosh as për politikanë të fortë që kanë një nivel të mirë të famës sepse VV ua ka thyer të gjitha mashtrimet që ju ka bërë sovranit deri më tani dhe që kanë punuar në mënyrë jo aktive në temën e tyre gjatë periudhës kur ishin në Pushtet. Në fillim të ciklit zgjedhor, vlerësimi i partisë në pushtet gjithmonë zvogëlohet, dhe, jo vetëm në vendin tonë, por ndërsa i afrohet ditës së votimit, ai rritet, përfshirë edhe si rezultat i informacionit dhe fushatave. Prandaj, thirrja e përqindjeve tani është e ngjashme me fatin e tregimit të një topi kristal. Për parashikimet e sakta të rezultatit të zgjedhjeve në tërësi, nevojitet një prerje sociologjike, e cila bëhet në kushte afër ditës së votimit. Por kufijtë në të cilët rezultati i VV-së do të vendoset në listë janë tashmë të dukshme sot - është 40-50%”, tha Hertica.

Ai thekson se subjektet opozitare nuk duan që të shkojnë në zgjedhje, por duan të formojnë qeverinë për shkak se e dinë rezultatin e zgjedhjeve nëse ato mbahen menjëherë pas stabilizimit të situatës nga koronavirusi.

“Tani subjektet opozitare, nuk duan të fitojnë zgjedhjet, ata duan të marrin pushtetin. Zgjedhjet janë të mira për ta vetëm nëse mund të marrin një rezultat të dukshëm mbi to. Por pasi vlerësimet janë afër zeros, ata janë të detyruar të tërhiqen për qeveritë e përkohshme, rrëzimin e regjimit dhe skenarë të tjerë të paligjshëm. E megjithatë, rezultatet e luftës politike për vendin e Shtetit janë me interes për shumë qytetarë të vendit, të cilët shpesh kërkojnë të gjejnë përgjigjen e tyre jo vetëm nga analistët e marrjes dhe sondazheve . Në të njëjtën kohë, për arsye të njohura, përfundimet e psikikës nuk mund të konsiderohen parësore ose pretendojnë se janë vërtetësi e jashtëzakonshme, megjithatë, në rastin e fushatës zgjedhore, kjo do dëshmon të gjitha dilemat dhe mashtrimet opozitare”, potencoi ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat