Përpjekjet e LDK-së për krijimin e qeverisë së re, alarmon analisti: Skenar i Mustafës dhe Veliut – ky është akti më i rrezikshëm për shtetin e Kosovës

Politika

Përpjekjet e LDK-së për krijimin e qeverisë së re, alarmon analisti: Skenar i Mustafës dhe Veliut – ky është akti më i rrezikshëm për shtetin e Kosovës

Nga: N. H Më: 13 prill 2020 Në ora: 22:12
Albin Kurti dhe Hashim Thaçi

Lëvizja Vetëvendosje dhe kryetari i saj, Albin Kurti, aktualisht kryeministër në detyrë, nuk shohin ndonjë mundësi që Kosova të ketë një qeveri të re pa zgjedhje.

Kurti së fundi i ka dërguar një letër presidentit Hashim Thaçi, përmes së cilës ka theksuar se duhet mbajtur zgjedhjet e përgjithshme, pas kalimit të pandemisë së koronavirusit.

Njohësi i zhvillimeve politike në vend, Rexhep Elezaj, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se letra e kryeministrit Kurti për presidenti Thaçi ishte një letër mjaft përmbajtjesore, plotë frymë bashkëpunimi si dhe sqaruese e pozicionit dhe obligimeve kushtetuese.

Ai shpjegon se në letrën e tij kryeministri Kurti ka bërë përpjekje që presidentit t’ia shpjegojë këto norma kushtetuese, dhe se nuk do pranojë kurrfarë presioni ndaj tij jashtë kushtetues, derisa me partinë e tij ta vendos dërgimin ose jo të emrit të kandidatit për kryeministër të ri.

“Letra e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, dërguar dje presidentit Hashim Thaçi lidhur me formimin e qeverisë së re, ishte një letër mjaft përmbajtjesore, plotë frymë bashkëpunimi si dhe sqaruese e pozicionit dhe obligimeve kushtetuese që i ka kryeministri ndaj presidentit, por edhe për detyrat dhe qëndrimet e presidentit që duhet t’i mbajë lidhur me rolin që ia përcakton kushtetuta kur bëhet fjalë për emërimin e mandatarit të ri për formimin e qeverisë. Ngase për ata të cilët e kanë lexuar dhe që i kanë kuptuar drejt nenet e kushtetutës që përcaktojnë kompetencat e presidentit në këtë rast, del shumë e qartë se presidenti H. Thaçi me qëndrimin e tij kundrejt VV-së dhe Albin Kurtit si lider i saj, me dy letrat që ia ka dërguar kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, në të cilat i kërkon me urgjencë që ta caktojë kandidatin për kryeministër të ri, si parti fituese e zgjedhjeve, ka dalë jashtë kompetencave të tij kushtetuese, sepse presidenti nuk ka të drejt t’i bën presion dhe as të kërkojë me shkrim që partia fituese ta emërojë menjëherë pas rrëzimit të qeverisë kandidatin për kryeministër, ngase me kushtetutë nuk parashihet afat kohorë për partinë fituese që ta dorëzojë emrit e kandidatit tek presidenti”, ka thënë Elezaj.

Kurse, sa i përket iniciativës së LDK-së për formimin e qeverisë me partitë e opozitës ai mendon se kjo iniciativë është vazhdim i skenarit të Isa Mustafës, Agim Veliut dhe grupi i tij.

Image
Rexhep Elezaj

“Sa i përket iniciativës së LDK-së për formimin e qeverisë me partitë e opozitës, partive të PAN-it, duhet ta them hapur se kjo iniciativë është vazhdim i skenarit të Isa Mustafës, Agim Veliut dhe një grupi servilësh rreth tyre, i përgatitur kundër Albin Kurtit ende pa filluar bisedimet për arritjen e koalicionit midis tyre. Ky skenar, pa asnjë dyshim, është bërë në koordinim të plotë midis Isa Mustafës dhe Hashim Thaçit, e që do kulmoi me rrëzimin e qeverisë “Kurti” me 25 mars, për të vazhduar realizimin e këtij skenari ogurzi edhe këto ditë, dhe ç’është më tragjikja në kohën e pandemisë, gjë e cila flet qartë se Isa Mustafa po bënë veprime tejet të papërgjegjshme politike ndaj shtetit, duke e sjellë vendin në një krizë të thellë politike”, shprehet ai.

Elezaj thekson se tentimi i LDK-së për të formuar qeveri të re me AAK-në, NISMA-n dhe minoritetet, si parti e dytë fituese, duke anashkaluar Vetëvendosjen, si parti e parë dhe fituese e zgjedhjeve, është akti më i rrezikshëm për shtetin e Kosovës.

“Ky është akti më i rrezikshëm për shtetin e Kosovës që mund ta bëjë një subjekt politik në kohë pandemie e cila vetën e quan parti “institucionaliste”, kur dihet se sipas Kushtetutës partisë së dytë fituese nuk i takon e drejta për formimin e qeverisë tjetër, qoftë teknike apo gjithëpërfshirëse, pa miratimin dhe pjesëmarrjen në të të partisë fituese në atë qeveri. Prandaj, është e qartë për çdo analist dhe vrojtues të situatës politike në Kosovës, se loja e Isa Mustafës me terminologji fyese dhe provokuese kundër Albin Kurtit, duke e etiketuar si “antiamerikan”, si njeri “frikacak”, si i “lig” etj., dëshmon katërçipërisht se tërë kohën ka qenë në sinkron të plotë me presidentin Thaçi, për largimin me çdo kusht të LVV-je dhe Albin Kurtin nga skena politike e Kosovës”, ka theksuar ai.

Krejt në fund, ai nënvizon se rrëzimi i qeverisë Kurti dhe tash iniciativa për formimin e qeverisë tjetër ilegjitime me partitë e PAN-it dhe minoritetet, është thikë pas shpine mbi shtetësinë dhe pavarësinë e Kosovës nga një parti parlamentare, siç është LDK-ja e Isa Mustafës, e që nuk është hera e parë që partnerët e koalicionit po i pretë në besë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat