Pse ndodhi përplasje e fuqishme Vjosa Osmani-Agim Veliu? Analisti politik ka një shpjegim – kjo është thirrja për nënkryetaren e LDK-së

Politika

Pse ndodhi përplasje e fuqishme Vjosa Osmani-Agim Veliu? Analisti politik ka një shpjegim – kjo është thirrja për nënkryetaren e LDK-së

Nga: G.B Më: 13 prill 2020 Në ora: 22:33
Vjosa Osmani-Agim Veliu

Përplasje në mes të Vjosa Osmanit dhe Agim Veliut ka pasur së fundmi, pavarësisht pandemisë së koronavirusit.

Lidhur me këtë, analisti politik, Leon Duhanaj, ka thënë për gazetën "Bota sot" se në secilin subjekt politik normal lejohet mendimi ndryshe, por duket se nuk jemi mësuar që të kemi kritikë të hapur.

"Në çdo subjekt politik normal, ku ka demokraci të zhvilluar, është i lejuar mendimi ndryshe. Madje edhe fraksionet janë të lejueshme dhe me se normale. Megjithatë, për mendimin tim situata e tanishme, duket që ngërthen një problem pak më të thellë brenda këtij subjekti. Kjo ndodhë sepse ne nuk jemi të mësuar të jetojmë me mendime ndryshe dhe kritikën e hapur e shohin si kërcënim. Madje edhe kur ka kritikë dashamirëse, shqiptari e merr ofenduese dhe ta merr inati", është shprehur ai.

Sa i përket rastit Osmani-Veliu, Duhanaj ka thënë se Osmani duhet ta respektojë vendimin e këshillit të LDK-së, ndryshe e humb kuptimin qëndrimi i saj brenda partisë.

"Sa i përket rastit konkret, mendoj që kryeparlamentarja znj. Vjosa Osmani është zgjatur pak sa shumë në dritaren e demokracisë. Pasi që edhe përkundër të drejtës për të pasur qëndrim ndryshe nuk është korrekte që vendimet e shumicës të mos respektohen. Pra është njëlloj kundër vlerave të demokracisë, ashtu siç kishte me qenë mohimi i të drejtës për mendim të lirë dhe ndryshe. Znj. Osmani, duhet ta respektojë vendimin e këshillit të LDK-së gjegjësisht t'i subordinohet vendimit të shumicës së grupit parlamentarë, ndryshe e humb kuptimin qëndrimi brenda LDK-së", ka vlerësuar Duhanaj.

Ai më tej shton se qëndrimet e Osmanit kanë pasur ndikim edhe te vendimet e Kurtit.

"Mendoj që qëndrimet e znj. Osmani, kanë pasur ndikim edhe tek vendimet e paarsyeshme të Kryeministrit Kurti, i cili duke e parë simpatinë e znj. Osmani për të, ka menduar që përmes saj do ta kontrollojë edhe LDK-në, gjë që nuk ja doli. LDK, është subjekti më i vjetër në Kosovë dhe, eksperienca e tyre në politikë është e pakrahasueshme, prandaj bindjet që përmes nismave përçarëse të kontrollohet nga brenda, janë me shumë se sa lajthitje", ka deklaruar Leon Duhanaj për "Bota sot".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat