“Trojka” e riaktivizuar – Rrezik për Kosovën

Politika

“Trojka” e riaktivizuar – Rrezik për Kosovën

Idriz Zeqiraj Nga Idriz Zeqiraj Më 14 prill 2020 Në ora: 14:02
Hashim Thaçi, Isa Mustafa dhe Skënder Hysen, foto ilustrim nga "Bota sot"

Ngjarjet e fundit politike në Kosovë, na kthejnë disa vite prapa: "Zajednica", zgjedhja e Hashimit president, "Demarkacioni". Projektues të këtyre nismave, fatale për Kosovën, ishin "Trojka": Hashim Thaçi, Isa Mustafa. Skënder Hyseni. Realizimin e "Zajednicës" e pengoi Lëvizja Vetëvendosje, duke e dërguar çështjen në Gjykatën Kushtetuese. Është, pikërisht, kjo "trojkë", e riaktivizuar sërishmi që projektoi dhe realizoi Mocionin e mosbesimit, për rrëzimin e "qeverisë të shpresës", siç e kanë emërtuar shqiptarët e kudondodhur.

Kush hezitoi koalicionin VV-LDK dhe kush e dështoi atë?

Nisma e koalicionit ishte entuziaste. Por, në krijimin e qeverisë, LDK-ja provoki me presidentin, i cili nuk ishte pjesë për realizimin e bashkëqeverisjes. Kryeklanorët e Isës, me synimin të marrjes të postit të kryetari´të partisët, garonin në servilizëm ndaj Isa Mustafës, duke e joshur për postin e presidentit të vendit! Ky ishte provokimi i parë i madh për Vetëvendosjen. Sepse pranimi i një kuadri të viteve `70-a, për president, demantonte kauzën e ndryshimit në drejtimin e ri të Kosovës, në vitin 2020!

Emërimi Ministër i Brendshëm i një partiaku, kur ai është kundër kësaj qeverie dhe don PDK-në partner, është një provokim tjetër që i bëhej VV-së. Në hapjen e fushatës , për kryetar të Podujevës, Ministri i Brendshëm u thotë qytetarëve se "Vetëvendosje është partia me antorugoviste në Kosovë!" Vërtet, ishte PAN-i ai që granatoi Rugovën në shtëpi dhe e atenatoi në rrugë me tritol. Dhe, siç rrëfen njeriu i dënuar, për këtë rast, nëse nuk do të ishte makina e blinduar, Rugova do të shkonte në ajër, me gjithë makinë. Si shpërblim, PAN-i ka emëruar rektor Universiteti njërin nga autorët e këtij atentati makabër! Dhe, seria e krimeve të PAN-it, kundër LDK-së, është tmerruese!

Shkarkimi i zëvendëskryeministrit të LDK-së, është bërë se ai ka kundërshtuar serinë e shhkarkimeve të kryeministrit Kurti. Por, "çinovnikët", aparatçikët burokratë, janë stopues të proceseve reformative, që duan statusquon. Dhe, nëse nuk largohen nga postet, dështojnë zhvillimin, ecjen para. Por, Hoti zbaton urdhërat e shefit Isë: "Ne nuk jemi aty (në qeveri) të shkarkojmë borde e të emërojmë njerëz të VV-së". Nëse nga 27 emërime, katër ishin partiakë të VV-së, PAN-i ka emëruar të 27 partiakë, plus 10 partiakë shtesë, "sa për t`u gjendur Kola në punë",- siç thotë populli për "tundësit e zinxhirëve!" Dhe, Isa ka heshtur për "xhevahiret PAN-iste! 

Megjithatë, fajësi e Albinit është se nuk konsultoi kreun e LDK-së, për mëkatet e tyre.

Fundja, edhe sikur kryeministri Kurti t`i shkarkonte të gjithë ministrat e LDK-së, duhej të toleronte, për hirë të Kosovës, për të parë reformat, ndryshimin, të cilin LDK-ja, nuk arriti ta bëjë asnjëherë, edhe pse ishte pjesë e pushtetit vite me radhë. Sepse, gjithëherë, disa nga zyrtarët e saj, ishin argatë të partnerit në koalicion. Për të satën herë LDK-ja u poshtrua nga PAN-i. Dhe, përsëri vazhdon të mbetët bisht i tij. Sepse uzurpuesit e partisë, janë të shantazhuar nga SHIK-u. Ata e dinë këtë dhe vazhdojnë të zvarritën, pa pasur guximin qytetar, ta lirojnë LDK-në nga ngulfatja e mëtejme.

Madje, LDK-ja premtoi, ndër vite, nga njëri Kuvend Zgjedhor në tjetrin, për reformën në parti. Por, kurrë nuk e bëri! Përkundrazi, pas amëshimit të kryezotit Rugovë, e degradoi procesin zgjedhor, deri në degjenerim të plotë, duke braktisur votimin e fshehtë demokratik, për ta zëvendësuar me atë të hapur, aklamativ! Pra, e ktheu metodën moniste të drejtimit në parti, për ta siguruar sundimin e klanit në qendër dhe bazë. Kamuflimi i mendimit ndryshe në LDK-e, ka shërbyer për goditjen e heshtur të kuadrove rugovistë. Lexoni sulmet ndaj deputetit të vetëm të Kabinetit të Rugovës, Fatmir Rexhepi, pas deklaratës dinjitoze të tij. Dhe, bindeni.

Veprimet e LDK-së, Mocioni i mosbesimit, deri në realizimin e shkarkimit të qeverisë të koalicionit VV-LDK, është vepër e "trojkës" Thaçi, Mustafa , Hyseni. Dhe, kjo është e keqja e katërtë e radhës.

Qëllimi i të keqës së pestë, është realizimi i koalicionit me PAN-in. Logjistikë e drejtëpërdrejtë e "trojkës", janë ndoca gazetarë të PAN-it, armiq të hershëm të LDK-së dhe të Presidentit Rugova, si Baton Haxhiu dhe Milaim Zeka, fort të zëshëm në medien televizive. Ilustrojmë intrigat nxitëse për LDK-në, me synim ndarjen e saj. Batoni: "Kali i Trojës" në LDK-e është Vjosa Osmani", ndërkohë që opionistët mendonin ndryshe, pra, për palën kundërshtare të Vjosës.

Milaimi: "Fajtore është Vjosa Osmani se ka trimnue Albinin në veprimet e tij!" Ndërkohë që dihet se Albini trimërinë e ka të bollshme dhe nuk i duhet nxitja e të tjerëve. Ai ofron shërbimin e ndërmjetësuesit për një aleancë në mes Kurtit dhe Veselit të PDK-së.

"Trojka" e riaktivizuar, parathotë rrezikun e madh për Kosovën. Marrëveshja me Serbinë, ndarja e Kosovës, është e keqja kulmore, që mund t`i ndodhë Kosovës. Përfolja për mundësinë e çmontimit të akuzave faktike, të ngritura nga Gjykata Speciale, forcon gadishmërinë e Hashimit për "kompromiset e dhimbshme", që ka paralajmëruar me kohë.

Skënder Hyseni nuk mori besimin e popullit për deputet, më parë. Duke qenë anëtar i Kryesisë të LDK-së, tha se "është defekt i madh rrëzimi  qeverisë së PAN-it", duke rënë në kundërshtim me strukturat e  e partisë. Por, në vend të kafshimit, për shërbime ndaj PAN-it, atë e puthën, duke emëruar sekretar për Marrëdhënie të Jashtme nga LDK-ja! Skënderi ishte idhnak edhe në mbrojtjen e fotografisë të Hashim presidentit.

Trumbëtimi mashtrues se çdo marrëveshje vjen në Parlament dhe ajo që nuk pëlqehet, refuzohet nga deputetët! Ky është mashtrim që i bëhet popullit. Deri tani, çdo marrëveshje e ardhur në Parlament, ka kaluar pa pengesa, pavarësisht ligjëshmërisë apo jo. Pse? Sepse 20 deputetë me ulëse të rezervuara, votojnë çdo gjë që është e dëmshme për Kosovën. Subjektet e interesuara, për vendime fatale, për Kosovën, LDK-PDK, siç ka qenë Demarkacioni, zgjedhja e Hashimit president, janë kaluar lehtësisht. 

Rrëzimi i Qeverisë Kurti, më 25 mars 2020, e vendosur për çkapjen e shtetit nga krimi i organizuar dhe hajnia zyrtare, na kujton heqjen e Autonomisë të Kosovës, në mars 1989. Është "diktatura e numrave", që mundi pakicën prej vetëm 10 (dhjetë) delegatëve kundërshtues, të prirë nga Ukë Bytyçi, sot, Hero i Kosovës.

Për ta refuzuar kryetarin Mustafa, në thirrjen e tij, për "marrjen në parim të pajtushmërisë nga Këshilli i Përgjithshëm, për një koalicion qeverisës me AAK, NISMA dhe komunitetet", pra, kthimin e krimit në pushtet, frymëzohuni nga deputeti Fatmir Rexhepi, i vetmi deputet nga Kabineti i Presidentit Rugova: "Rënia e ekzekutivit është kundër mesazhit të qytetarëve, për një Qeveri që garantonte ndryshim e drejtësi...Kam refuzuar të bëj argatin në punëtorinë "Hajde ta prishim shtëpinë e re"...Vazhdoj t`i mbetem besnik traditës dhe frymës së ndërtimit të institucioneve demokratike",- thotë deputeti i dinjitetshëm, Fatmir Rexhepi, në kundërshtinë e tij, ndaj planeve errëtake të klanit Mustafa, për ta kthyer PAN-in në pushtet.

Pandemia ka mbyllur njerëzimin në burg global shtëpijak. LDK-ja nuk ishte "me bythë në prush", për t`u handakosur, aq pamoralshëm dhe tërësisht pacipshëm, kundër popullit të Kosovës, me një nismë zuzare, në një kohë zezonë. Natyrshëm lind dyshimi: Mos, vallë, klani Mustafa ka një arsye më shumë se shkarkimet e Kurtit në qeveri. Aleanca e LDK-së me PAN-in, ngjason shumë me koalicionin e partive-banda në PAN, për t`u mbrojtur nga Gjykata Speciale. Dihet, LDK-ja nuk ka struktura vrastare, siç akuzohet bazueshëm PAN. Por, për abuzimet korruptive individuale e grupore, nuk përjashtohet.      

Përndryshe, "SHIK-u, (siç pranon njëri nga eksponentët e tij kryesor), është pjesë në të gjitha partitë". SHIK-u nuk ka luftuar, nuk ka punuar asgjë të mirë për Kosovën. Por, ka hetuar e shënuar aferat e liga të zyrtarëve, për ta shantazhuar, rrjedhimisht, dëmtuar LDK-në. 

Më parë, kam shprehur mendimin që Vetëvendosje të plotësojë vetëm kushtin e heqjes të taksës 100 %. Tani, mendoj se LDK-ja duhet t`i kërkojë falje Vetëvendosjes, për Mocionin e mosbesimit, i cili u projektua nga PAN-i dhe u nismua nga LDK-ja. Është në të mirën e LDK-së, të reflektojë, të shpëtojë atë çka mund të shpëtohet, për të dalë nga kriza e thellë morale e faktike, ku e gremisi PAN-i, me hafijet e tij brenda LDK-së. Vazhdimi i koalicionit me VV-në, nuk ka alternativë të dytë. Inati në politikë është humbës. Edhe tallja, provokimi i përsëritur ndaj anëtarësisë dhe elektoratit të LDK-së, duhet të këtë kufi!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat