Mërgata mbështet fuqishëm Kosovën, mblidhen rreth 100 mijë euro për fondin emergjent

Politika

Mërgata mbështet fuqishëm Kosovën, mblidhen rreth 100 mijë euro për fondin emergjent

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 15 prill 2020 Në ora: 18:00
Albin Kurti

Para disa ditëve Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar ndihmën e diasporës për tejkalimin e gjendjes së krijuar me koronavirusin e ri, si pasojë e të cilit deri më tash janë prekur 387persona.

Kurti theksoi që me stafin mjekësor po e bëjnë të pamundurën që të ndalojmë përhapjen më të madhe të këtij virusi mirëpo që qeveria jonë ka hapur një xhirollogari të veçantë për të dedikuar të holla për menaxhim të pandemisë.

“Fondin rezervë të paraparë vetëm për raste urgjente e kemi gjetur të zbrazur, ndërsa deficiti tregtar është rritur, e prodhimi vendor është i ulët. Në këtë kohë kur shtetet po izolohen, e ardhmja e Kosovës është e pasigurt e me mungesa të shumta. Me stafin mjekësor po e bëjmë të pamundur që të menaxhojmë parandalimin e përhapjes së virusit korona, mirëpo na duhet edhe ndihma juaj. Duke e pasur parasysh gjendjen qe ndodhet vendi ju bëj thirrje të bëheni pjesë e solidaritetit dhe të na ndihmoni në këtë luftë. Qeveria jonë ka hapur një xhirollogari të posaçme dedikuar menaxhimit të pandemisë”, ka thënë Kurti.

Kurse, zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Arlind Manxhuka ka njoftuar se brenda një dite mërgata ka dhënë afër 100 mijë euro për fondin emergjent.

“Mërgata për një ditë afro 100 mijë euro për fondin emergjent. Ajo solidarizohet si gjithnjë me vendlindjen dhe beson në qeverisjen e re. Po ashtu i jep përgjigje cinikëve që s'besojnë asgjë dhe kukasin gjithandej“, ka shkruar Manxhuka.
 

Lobi shqiptar e mbështet thirrjen Kurtit

Lobi Shqiptar përmes një komunikata e ka mbështetur thirrjen e Kurtit, ku ka thënë se diaspora duhet të jetë kontribuuese në këtë drejtim, e që tani është kthyer besimi se mjetet e dhëna do të kenë transparencë.

Ndër te tjera në komunikatën e lëshuar nga Lobi shqiptar thuhet që është normal kjo thirrje pasi njësoj vepron edhe shteti i Gjermanisë.

-Është normale, që qytetarët e një shteti të paguajnë një shtesë solidariteti, ku kjo praktikohet në shumë shtete, sikurse është edhe në Gjermani “Solidaritätszuschlag” e që të gjithë gjermanët që punojnë dhe fitojnë, e paguajnë një shtesë të solidaritetit 5,5 % nga taksat e të ardhurave nga rroga, që nga viti 1991 e që ato mjete përdoren, për zhvillimin ekonomik të Gjermanisë lindore.

Rugova: Thirrja e kryeministrit për ndihmë nga mërgata të ndihmoj ishte e pamatur

Ish-deputeti nga radhët e LDK-së, Naser Rugova në një prononcim për “Bota sot”, u shpreh që kjo thirrje ishte e pamatur pasi nga BE, SHBA dhe donator të tjerë kanë arritur 160 milion ndihma.

“Unë konsideroj që situata me pandeminë globale covid 19 ka goditur edhe aspektin ekonomiko financiar të mërgates. Janë arritur mbi 160 milion ndihma për pandeminë nga BE, SHBA dhe donatorë tjerë relevant”.

“Thirrja e kryeministrit në detyrë që mërgata të ndihmoj financiarisht në këtë kohë konsideroj se ishte e pamatur dhe jo reale”, përfundoi Rugova, për “Bota sot”.

Mehazi: Kryeministri në detyrë është në mes dy zjarrëve

Analisti politik, Sulejman Mehazi, në një prononcim për “Bota sot”, u shpreh që thirrja për mërgimtarët për ta ndihmuar Kosovën nuk është e këndshme sepse edhe ata janë në krizë të tyre mirëpo që pa ndihmën e askujt është detyruar Kurti të bëj këtë thirrje.

Image
Sulejman Mehazi

“Edhe pse s'është e këndshme që Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, t'ju bëjë thirrje mërgimtarëve për ta ndihmuar Kosovën, pasi mërgimtarët që 25 vjet radhazi janë lodhur duke i ndihmuar UÇK-së e popullatës së Kosovës, pastaj dhe vet ata janë në krizë ekonomike, mirëpo halli që Albini s'ka kah t'ia mbajë, duket sikur ka mbetur i vetmuar e pa ndihmën e askujt dhe kjo e detyron që të kërkonte ndihmë nga vet mërgimtarët kosovarë. Albinit në njërën anë, bllokadë të ashpër qeveritare janë duke i bërë kundërshtarët politik, në anën tjetër, Covid-19 ka ngushtuar jo vetëm Kosovën, por tërë globin, pandemia edhe shtetet më të fuqishëm ka frikësuar sa që s'janë në gjendje t'i ndihmojnë vetvetes, popullatës së tyre e ku Kosovën”, u shpreh Mehazi.

Më tej, Mehazi thotë që Kryeministri në detyrë është në mes dy zjarreve në mes Covid-19 dhe kundërshtarëve opozitarë, e, këto dy zjarre mundohet t'i shuajë me anë të ndihmës së mërgimtarëve.

“Pra, Kryeministri në detyrë është në mes dy zjarreve: në mes Covid-19 dhe kundërshtarëve opozitarë, e, këto dy zjarre mundohet t'i shuajë me anë të ndihmës së mërgimtarëve. Si çdoherë kur Kosova ka qenë në rrezik, mërgimtarët të parët i kanë dalë në ndihmë, besojmë se dhe tani do jenë të parët që do t'i ndihmojnë Albin Kurtit dhe qeverisë së tij në detyrë”, përfundon Mehazi, për “Bota sot”.

Duhanaj: Kjo krizë, është rezultat i protagonizmit dhe inateve dhe, mungesë së arsyes që mbretërojnë në skenën politike në Kosovë

Njohësi i çështjeve politike, Leon Duhanj, në një bashkëbisedim me “Bota sot”, tha që kjo krizë politike është për mungesë e arsyes në skenën politike të Kosovës, duke përmendur edhe shkakun e fillimit të këtij konflikti, e që ishte thirrja e presidentit Thaçi për gjendje të jashtëzakonshme.

Image
Leon Duhanj

“Kriza politike në Kosovë, e cila po e rëndon dhe më shumë krizën me pandemin globale për shkak të virusit COVID-19. Për mendimin tim, kjo krizë, është rezultat i protagonizmit dhe inateve dhe, mungesë së arsyes që mbretërojnë në skenën politike në Kosovë. Ishte pikërisht thirrja e Presidentit Thaçin për shpallje të gjendjes së jashtëzakonshme që u bë shkaktare e gjithë kësaj maskarade politike që po e shohim. Edhe me e rëndë se thirrja Kryeministrit tashmë të shkarkuar iu dukë ideja e cila së pari ishte dëgjuar nga z. Isa Mustafa. Me ç'rast Kryeministri Kurti iu bind vetës së nga këta dy mund t'i kanosej rreziku qeverisjes, përkatësisht protagonizmit të tij. Ai menjëherë u përkujdes që brenda natës ta shkarkoj Ministrin kryesorë nga radha e partnerit të tij qeverisës LDK. Kjo çoj Qeverinë deri në mocion mosbesimi që u mbështet nga të gjitha subjektet, përjashto VV-në”, tha Duhanaj.

Më tej, Duhanaj shprehët që këtë nismë për thirrje të diasporës Kurti mori mdel nga disa organizata të diasporës shqiptare.

“Më vonë z. Kurti mori disa masa që kufizonin liritë themelore të qytetarëve. Opozita e adresoi çështjen në Gjykatën Kushtetuese, e cila i vërtetoi shkeljet e rëndit kushtetues nga Qeveria. Më pastaj, ishte PDK ajo që doli me një propozim për marrjen e disa masave për parandalimin e kolapsit ekonomik. Masa të ngjashme kanë marrë të gjitha vëndet e botës duke u munduar ta mbështesin qoftë sektorin publik, atë privat si dhe qytetarët me nevoja sociale. Kryeministri Kurti, i impresionuar në bindjet e tij dhe i prirë nga sjelljet paranojake, e kopjoj një nismë të disa organizatave në diasporën shqiptare dhe fillojë me aksionin për mbledhje fondesh përmes donacioneve nga diaspora. Kjo qasje është totalisht e paarsyeshme, e papranueshme dhe e pasinqertë”, u shpreh Duhanaj.

Në fund, Duhanaj, thotë që diaspora shqiptare, do të organizohet vetë edhe në kohërat me të errëta kur kemi qenë pa shtet dhe në masa të okupimit dhe luftës, dhe se diaspora është nën ligjet dhe rëndet e shteteve respektive në të cilat jeton dhe, pushteti në Kosovë nuk ka të drejt t'u interferoi në jetën e tyre.

“Qeveria dhe të gjitha institucionet e Kosovës, janë të obliguara të menaxhojnë me resurset buxhetore shtetërore e në asnjë moment me kuletën e qytetarëve të vendit. Shteti është subjekt, në të cilin qytetarët e tij investojnë djersen e vetë në mënyrë që nën ombrellën e tij ta sigurojnë mirëqenien dhe sigurinë, qoftë personale apo kolektive. Diaspora shqiptare, do të organizohet vetë edhe në kohërat me të errëta kur kemi qenë pa shtet dhe në masa të okupimit dhe luftës dhe, nuk ka asnjë nevojë të organizohet nga asnjë qeveri për humanitet. Me ç'rast do t'i bëja thirrje Qeverisë dhe gjithë spektrit politik, që mos ta përçajnë diasporën”.

“Fundi i fundit, diaspora është nën ligjet dhe rëndet e shteteve respektive në të cilat jeton dhe, pushteti në Kosovë nuk ka të drejt t'u interferoi në jetën e tyre. Qeveria e Kosovës, duhet të merret me detyrat e veta, e që janë qeverisja e mirë, e ndershme dhe e bazuar në ligje dhe Kushtetutën e Vendit. T'u shërbej qytetarëve rezident pa i shkelur rregullat dhe normat e demokracisë”, përfundoi, Duhanaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat