Qeveria Kurti do të vazhdojë të funksionojë, nuk do të ketë qeveri mes LDK-së, AAK-së e NISMA-s - zbulohet pse nuk do të realizohet plani i Isa Mustafës

Politika

Qeveria Kurti do të vazhdojë të funksionojë, nuk do të ketë qeveri mes LDK-së, AAK-së e NISMA-s - zbulohet pse nuk do të realizohet plani i Isa Mustafës

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 15 prill 2020 Në ora: 21:16
Albin Kurti dhe Vjosa Osmani në Kuvend, foto arkiv

“Nuk do të mund të pritej formimi i Qeverise së re në javën e ardhshme madje as brenda disa muajve në vijim. Së pari, Albin Kurti si lider i subjektit politik të parë në këtë legjislaturë, nuk obligohet me asnjë provizion kushtetuar për propozimin e kandidates apo të kandidatit për mandatar të Qeverisë së ardhshme. Ndaj me bazë mund të pritet zhargitja e kësaj procedure”, ka theksuar Riza Smaka, për gazetën “Bota sot”.

Qeveria Kurti po vazhdon të qëndrojë në detyrë edhe pas rrëzimit në kuvend, ku deputetët mbështetën me 82 vota pro mocionin e mosbesimit të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Përderisa kryeministri në detyrë, Albin Kurti, insiston se duhet mbajtur zgjedhjet e përgjithshme, pas kalimit të pandemisë së koronavirusit, nga ana tjetër, partitë tjera  po vazhdojnë diskutimet e tyre për formimin e qeverisë së ardhshme.

Kurti së fundi në një letër dërguar të parit të vendit, ka theksuar se presidenti dhe subjektet politike në vend, janë duke tentuar që të imponojnë rrugë jokushtetuese, pas mocionit të mosbesimit për qeverinë.

LDK tashmë ka marr bekimin e shumicës së anëtarëve të Këshillit të Përgjithshëm për të hyrë në koalicion me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, Nismën Socialdemokrate dhe minoritetet.

Përfaqësues nga Lidhja Demokratike e Kosovës janë të mendimit se rrethanat në vend e pamundësojnë organizimin e zgjedhjeve të reja, andaj, shprehen se vendit urgjentisht i duhet një qeveri efikase me mbështetje të nevojshme parlamentare.

E, për dallim nga LDK, njohësi i Kushtetutës bën me dije se kreu i Lëvizjes Vetëvendosje nuk obligohet me asnjë provizion kushtetutar për propozimin e kandidates apo të kandidatit për mandatar të Qeverisë, dhe se rrethanat me pandeminë ia arsyetojnë shtyrjen e veprimeve për formim të ekzekutivit të ri.

Kurse, njohësit e rrethanave politike konsiderojnë se LDK, AAK, NISMA dhe pakicat si kategori kushtetuese, do ta formojnë qeverinë e re të Republikës së Kosovës, e cila do të drejtohet nga LDK dhe nga figura të pastra dhe të pa inkriminuare në jetën politike e publike.

Smaka: Nuk mund të pritet formimi i qeverisë së re as në javët dhe muajt e ardhshëm

Profesori Riza Smaka, njëherit edhe njohës i Kushtetutës, për gazetën “Bota sot”, ka deklaruar se formimi i qeverisë së re nuk mund të pritet të ndodhë as në javët dhe as në muajt e ardhshëm.

Sipas tij, kreu i Lëvizjes Vetëvendosje nuk obligohet me asnjë provizion kushtetutar për propozimin e kandidates apo të kandidatit për mandatar të Qeverisë.

Image
Riza Smaka

“Nuk do të mund të pritej formimi i Qeverise së re në javën e ardhshme madje as brenda disa muajve në vijim. Së pari, Albin Kurti si lider i subjektit politik të parë në këtë legjislaturë, nuk obligohet me asnjë provizion kushtetuar për propozimin e kandidates apo të kandidatit për mandatar të Qeverisë së ardhshme. Ndaj me bazë mund të pritet zhargitja e kësaj procedure”, ka deklaruar Smaka.

Me tej, ai ka thënë se në vend tashmë ekzistojnë rrethana shëndetësore alarmante nga pandemia globale, të cilat edhe e arsyetojnë shtyrjen e veprimeve për formim të ekzekutivit të ri.

“Së dytit edhe në vendin tonë mbretërojnë rrethana shëndetësore alarmante nga pandemia globale të cilat racionalisht dhe njerëzisht e arsyetojnë shtyrjen e veprimeve për formim të ekzekutivit të ri dhe së tretit shtyrjen e mandatimit të kandidatit nga Lëvizja Vetëvendosje, e justifikon edhe fushata joparimore e opozitës për të fituar pushtetin ekzekutiv qoftë edhe makijavelisht. Po të pyetej populli me bazë mund të pritej shtyrja e përkohshme e aktiviteteve politike për pushtet dhe përqendrimi i fushatës për mbrojtjen e shëndetit popullor dhe për luftimin e pamëshirshëm të korrupsionit në qindra forma”, tha profesor Smaka.

Ai ka shtuar gjithashtu se qeveria në dorëheqje është në funksion të plotë të ekzekutivit, përderisa nuk ka ndonjë provizion që të njëjtit ia ngushton kompetencat, dhe se ka treguar se në jurisprudencë njihet dhe aplikohet sentenca ‘çfarëdo që nuk ndalohet juridikisht, lejohet’.

Rugova: Kemi vija të kuqe vetëm për PDK-në

E, anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Naser Rugova, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se vendi ndodhet në një situatë tjetër të pavolitshme dhe delikate.

Andaj, ai e konsideron si të domosdoshme një qeveri efikase me mbështetje të nevojshme parlamentare, për të cilën tashmë LDK ka filluar edhe konsultimet.

Image
Naser Rugova

“Vlerësoj se vendi ndodhet në një situatë tejet të pavolitshme dhe delikate, në njërën anë pandemia dhe në anën tjetër jemi me qeveri në ikje dhe pa mbështetje të nevojshme parlamentare. Siç po rrjedhin gjërat me pandeminë e COVID-19 në këto rrethana është e pamundur të organizohen zgjedhje të reja, vendit urgjentisht i duhet një qeveri efikase me mbështetje të nevojshme parlamentare. LDK vetëm se ka filluar me konsultimin brenda strukturave te saj vendimmarrëse”, ka thënë fillimisht Rugova.

Tutje, Rugova është shprehur se vija të kuqe kanë vetëm për partinë e Kadri Veselit.

“Ne respektojmë në plotëni Kushtetutën e vendit, sipas normave kushtetuese nëse LDK-së i kërkohet formimi i qeverisë, konform parimeve që i kemi miratuar në Këshillin e Përgjithshëm të LDK-së, ku kemi vije të kuqe vetëm me PDK-në, atëherë mund të formohet një qeveri efikase, e domosdoshme për rrethanat në të cilat po kalojmë, e udhëhequr nga LDK, për një periudhë kohore të nevojshme gjatë së cilës do adresoheshin drejt dhe do merreshin vendime legjitime për një serë çështjesh që janë sfida reale për vendin tonë si në rrafshin e brendshëm ashtu edhe atë të jashtëm”, ka theksuar Naser Rugova, për gazetën “Bota sot”.

Bajraj: Qeverinë duhet ta udhëheqë LDK

Kurse, në një prononcim dhënë gazetës “Bota sot”, analisti politik, Fatmir Bajraj, ka thënë se qeveria e re e Kosovës pritet të formohet brenda pak javëve.

“Një qeveri në mes të LDK-së, AAK-së, NISMA-s dhe pakicat, brenda dy deri tre javëve. VV-ja dështoi të qeverisë dhe të bashkëqeverisje me LDK-në dhe akëcilin, dhe atë për faktin e paaftësisë dhe pazotësisë të përballet me temat dhe sfidat të cilat ishin kafshatë e pakapërdishme për një kryeministër, përvoja dhe invencioni i të cilit ishte në deficit dhe me hendikepe të pa-riparueshme. Tarifat si kërkesë e pakapërcyeshme e SHBA-vë, dhe jo-gatishmëria e LDK-së që të marr mbi supe fatin e vendit i cili shkonte drejt dështimit dhe kolapsit nga fakti i thyerjes së mëtejme të marrëdhënieve dhe raporteve me aleatin strategjik të Kosovës dhe shqiptarëve, pra Amerikën, detyroi Kurtin që të gjejë alibi dhe pretekst për të provokuar rrëzimin e Qeverisë, gjë që ndodhi me rastin e shkarkimit të Ministrit Veliu dhe në shkelje të marrëveshjes së koalicionit me LDK-në”, ka thënë Bajraj.

Tutje, ai ka thënë se Kushtetuta e Kosovës, edhe pse jo në germën, por gjithsesi në frymën e saj, ofron alternativa gjeneruese për shtegdalje duke dhënë mundësinë e formimit të një Qeverie teknike në mes të LDK-së, AAK-së, NISMA-s dhe minoritetet si kategori kushtetuese.

Image
Fatmir Bajraj

“VV-ja dhe Kurti, nuk janë të interesuar të qeverisin, por të pengojnë të tjerët dhe të prolongojnë zgjidhjen deri në zgjedhje të reja, duke llogaritë në kontekstin me pandeminë e virusit COVID-19 dhe në humbjen eventuale të zgjedhjeve në SHBA, nga ana e Presidentit Trump dhe Republikanëve. Një kalkulim populist, në një rritje enorme të VV-së përmes sondazheve të porositura dhe të varura nga qarqe të dyshimta dhe anti-Kosovë. Kushtetuta e Kosovës, edhe pse jo në germën, por gjithsesi në frymën e saj, ofron alternativa gjeneruese për shtegdalje dhe zhbllokim të procesit, duke dhënë mundësinë e formimit të një Qeverie teknike në mes të LDK-së, AAK-së, NISMA-s dhe minoritetet si kategori kushtetuese dhe duke lënë jashtë saj, LVV-në e Kurtit dhe PDK-në e Veselit. LDK, do t’i prij Qeverisë teknike në një kohë jo shumë të favorshme dhe jo-popullore, por e vetëdijshme për fatin e vendit dhe peshën që ka vendimmarrja, duhet tregoj lidership, guxim e invencion në përballje të suksesshme me dialogun, luftën kundër korrupsionit dhe integrimet, edhe me çmimin e humbjes së popullaritetit në këto kohë kruciale për fatet e vendit”, është shprehur ai.

Krejt në fund, ai thekson se qeverinë e ardhshme e presin sfida të mëdha, gjersa ka bërë me dije se atë duhet ta udhëheq Lidhja Demokratike e Kosovës.

 “LDK është i vetmi subjekt politik në vend i cili ka potencial dhe kapacitete intelektuale, dhe moralo politike që t’i prij dialogut dhe proceseve komplekse në këto kohë mjaftë të ndërlikuara gjeo-politike dhe gjeostrategjike në fund të dekadës së dytë të shekullit XXI. LDK-ja, kurrë nuk ka abstenuar në procese historike, pavarësisht çmimit dhe vendimeve jo-popullore, kur ka qenë e vetëdijshme se risku për një vendimmarrje të tillë, ia vlen për lirinë, pavarësinë dhe shtetësinë e Kosovës. Me dhe për fatin e vendit, taktizimet dhe kalkulimet partiake, duhet lënë anash, ngase janë të padobishme, hileqare dhe kanë synim e qëllim pushtetin dhe vetëm pushtetin për vete, kur koha është për komb e atdhe, të tjerat janë dytësore dhe terciare. LDK, AAK, NISMA dhe pakicat si kategori kushtetuese, do jenë qeveria e re e Republikës së Kosovës, e drejtuar nga LDK dhe nga figura të pastra dhe të pa inkriminuare në jetën politike e publike, Qeveri të cilën e presin sfida dhe tema me peshë për vendin dhe integrimet”, ka përfunduar Fatmir Bajraj, për gazetën “Bota sot”.

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat