“Kosova është nën kujdes të vëmendshëm amerikan, SHBA nuk e hedh poshtë Kosovën”

Politika

“Kosova është nën kujdes të vëmendshëm amerikan, SHBA nuk e hedh poshtë Kosovën”

Nga: G.B Më: 17 prill 2020 Në ora: 09:41
Ilustrim

Kriza politike në Kosovë po vazhdon, pavarësisht krizës në shëndetësi për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Pas rrëzimit të Qeverisë, VV kërkon zgjedhje pas pandemisë, e LDK kërkon të formojë qeveri të re, bashkë me partitë tjera.

Por, si duhet të veprohet në këtë kohë?

Lidhur me këtë, analisti politik Rexhep Shahu, ka thënë se qeveria më e mirë u rrëzua dhe tani duhet të zbatohet Gjykata Kushtetuese.

"Qeveria më e mirë, qeveri me energji dhe mençuri ishte qeveria që u rrëzua për budallallëkun, mendjemadhësinë dhe mungesën e përvojës shtetare të Albin Kurtit. Tani nga situata që u krijua në zbatim të Kushtetutës, që e interpreton vetëm Gjykata Kushtetuese e Kosovës dhe jo qeveria apo kryeministri as ekspertët e paguar prej saj, presidenti dhe partitë politike do të vendosin në parlament se çfarë do të bëhet më tej, pa shkuar në zgjedhje të reja. Megjithë akuzat që nuk shteren, sidomos akuza nga majtistë e enveristë që jetojnë shteteve të perëndimit, që vijnë nga njerëz që jetojnë jashtë Kosovës dhe japin mend pasi mbarojnë punët e rënda që bëjnë ani se asnjë nuk punon me punë politike por thjeshtë hedhin nga një ngatërresë e trillim në rrjetet sociale, pra me gjithë këto akuza pa fre, nuk mund ta pranojë askush se në Kosovë ka parti politike të kriminalizuara sepse nuk ka. Ndonëse ka mjaft individë e politikanë të përfshirë në afera e përfitime, në abuzime e vjedhje", është shprehur ai.

Image
Rexhep Shahu

Sipas Shahut, duhet t'i jepet mandati partisë së dytë që ta formojë Qeverinë.

"Nëse në zbatim të Kushtetutës dhe vetëm në zbatim të Kushtetutës, do t'i ofrohet partisë së dytë që fitoi një deputet më pak se VV, mandati për ta krijuar qeverinë, Isa Mustafës, që duket e ka përjashtuar veten e tij si individ për tu bërë kryeministër, ia ka dhënë lejen organi më i lartë i kësaj partie që ta bëjë qeverinë me aleatë AAK-Nisma dhe komunitete", ka vlerësuar ai.

Sipas tij, në politikë është normale derisa nuk shkelet Kushtetuta.

"Mendoj se në politikë është normale derisa nuk shkelet Kushtetuta. Nuk cakton kush me kë çfarë pse dhe si VV dhe Albin Kurti sepse askush nuk është pronar i Kosovës. Unë besoj se Kosova është nën kujdes të vëmendshëm amerikan dhe nuk ka hapësira askush të shije lemën si do vet, nuk ka hapësira për të devijuar nga kursi demokratik i shtetit, nuk ka hapësira për enverizma as për mosmirënjohje ndaj Amerikës", ka theksuar Shahu.

Ai beson se Qeveria e re do të bëhet nëse e ka bekimin nga Amerika.

"Besoj se qeveria që do të krijohet tani ose ajo që do të zgjidhet pas zgjedhjeve të reja, nuk do të kërkoje zhvendosje të qendrës nga Amerika në Evropë tek shtete e zyrtarë që marrin leje tek Amerika të merren me Kosovën. Në fund, nëse kanë bekimin amerikan, do ta bëjnë qeverinë e re, pasi unë besoj fort se Amerika nuk e hedh poshtë Kosovën - investimin e saj të cilën e çliroi dhe pavarësoi", ka deklaruar Rexhep Shahu për "Bota sot".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat