Pse sulmohet Vjosa Osmani në stilin serb të Baton Haxhiut?

Politika

Pse sulmohet Vjosa Osmani në stilin serb të Baton Haxhiut?

Prof. Dr. Enver Bytyçi Nga Prof. Dr. Enver Bytyçi Më 17 prill 2020 Në ora: 11:33
Vjosa Osmani

Koalicioni qeverisës midis Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Vetëvendosjes u arrit me shumë vështirësi. Prej 6 tetorit u deshën katër muaj për t’u marrë vesh e për të ndërtuar një qeveri me kundërshtarë të thekshëm.

Ndodhi kjo jo për shkak të diferencave në programin politik të të dy subjekteve politike, për çka ishte hamendësuar se do të ishte pengesa më e madhe. Zvarritja u shfaq për shkak të posteve, për shkak të intrigave, kurtheve dhe shtyrjes me bërryla për të mbijetuar në politikë.

Konflikti midis dy grupimeve, grupimit të të rinjve, të cilët nuk patën e nuk kanë problem e shqetësim mbijetesën në politikë dhe grupimit të disa ish-funksionarëve shtetërorë në Prishtinë e në komuna, të cilët u nisën nga principi i ruajtjes së benefiteve të pushtetit, megjithatë nuk pushoi.

Vjosa Osmani u bë pika e referimit të sulmeve të grupimit të dytë. Vetë marrëveshja e bashkëqeverisjes midis LDK-së dhe VV, grupi negociator i LDK-së, përbërja e kabinetit e gjithçka tjetër u manipulua, formulua dhe ndërtua në mënyrë të tillë që pas pak kohësh të sfidohej ajo që disa e konsiderojnë si më të shpërfillurën, më të mënjanuarën , e përbuzurën në këtë proces, Vjosa Osmani.

Shumë prej nesh që kemi ndjekur zhvillimet kemi parashikuar faktin se grupi konservator dhe bashkëpunues i LDK-së me klanin e PRONTO-s kishte për qëllim jo krijimin e një qeverie funksionale, por krijimin e kushteve për ta eliminuar Vjosa Osmanin nga funksionet drejtuese në LDK. Kjo për arsye se ata shihen si uzurpatorë të kësaj partie të themeluar nga lideri historik i Kosovës, Ibrahim Rugova. Ky parashikim po rezulton i saktë, nëse vëmë re se si ushtria mediatike dhe rrjeteve sociale e Hashim Thaçit dhe Isa Mustafës janë hedh në sulm kundër kryetares së parlamentit të Kosovës. Më i spikaturi ndër ta mbetet bashibozuku Baton Haxhiu, i cili kishte marrë mundimin që në gazetën e Berat Buzhalës ta konsideronte drejtimin e seancës së kaluar të parlamentit nga ana e zonjës Vjosa si “mohim të demokracisë 20 vjeçare” në Kosovë! Ndërkaq, kur Kadri Veseli u tregonte organet vegjetale kolegeve të tij deputete, ky Batoni e merrte atë në mbrojtje! Është kohë e epidemisë së antimoralit ndër shqiptarët!

Nuk është vetëm virusi i Corona-19, por më i rrezikshëm është virusi i mizës së kalit, virus i cili e shoqëron shoqërinë shqiptare prej se e mbajmë mend këtë jetë. Baton Haxhiu, i revoltuar në kulm pse Vjosa osmani ia ndërpreu fjalën një deputeti, i cili e kishte marrë fjalën për procedurë, sulmonte me top obuz kryetaren e parlamentit të vendit të tij. Por nuk sulmoi, përkundrazi sajoi skenare dhe regji të njëpasnjëshme në ndihmë të politikave të Serbisë, të mbështetura nga Hashim Thaçi dhe Edi Rama për ndarjen e Kosovës?! Sikur të qëndronte indiferent në rastin e kufijve, ai do të und ndoshta të mirëkuptohej për “shqetësimin” e tij për demokracinë parlamentare në Kosovë.

Por jo vetëm Batoni. Me qindra portale ekrane dhe rrjete tjera janë vënë në sulm kundër Vjosa Osmanit për ta paraqit atë si kundërshtare dhe “armike” e LDK-së. Duhet pranuar se Vjosa ka reaguar kundër politikave të Isa Mustafës. Dhe Isa nuk mundi ta mënjanojë. Ai e dinte se nëse do ta mënjanonte Lidhja Demokratike do të ishte në vendin e tretë e ndoshta të katërt në piramidën elektorale. Megjithatë kreu i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, është shprehur të mërkurën e shkuar se “LDK i fiton zgjedhjet e përgjithshme edhe pa Vjosa osmanin”!

Edhe Arbeni e di se kjo deklaratë është e pasaktë dhe një gënjeshtër e madhe. Por mesa duket atij ia kishin dhënë këtë detyrë për ta kërcënuar nënkryetaren e partisë së tij. Nëse LDK është e sigurt se fiton zgjedhjet parlamentare pa Vjosën, së paku duhet të jetë e sinqertë dhe ta sfidojë Albin Kurtin duke pranuar zgjedhjet e reja të parakohshme. Kisha menduar se kurthet politike të propagandës së LDK-së, të projektuar në modelin e Beogradit dhe Hashim Thaçit, nuk do të zinin vend aty.

Por ja që bashkëpunimi me presidentin e vendit nuk mënjanojnë edhe përdorimin e metodave serbe të Baton Haxhiut, vetëm e vetëm për të goditur njeriun më të votuar në këtë parti, Vjosa Osmani. Shumëkush shkruan e thotë se Vjosa u votua aq shumë, sepse i përket Lidhjes Demokratike. Po pse nuk votohet dikush tjetër në këtë parti kësisoj?! Vota është besim politik, por edhe besim moral dhe etik! Vjosa Osmani i plotëson të tri këto kritere për ta besuar qytetarët e Kosovës!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat