Zogaj: Kosova në rrezik nga idealistët e rinj  të trazimit të rrugës për shkuarje sa më krenare kah gremina!

Politika

Zogaj: Kosova në rrezik nga idealistët e rinj  të trazimit të rrugës për shkuarje sa më krenare kah gremina!

Nga: A.M. Më: 17 prill 2020 Në ora: 12:06
Skënder Zogaj

Analisti politik, Skënder Zogaj, në një prononcim për “Bota sot”, ka folur për gjendjen politike në vend, ku ka thënë se njerëzit flasin e akuzojnë pa asnjë dëshmi konkrete, që shajnë dhe kërcënojnë veprimtarë, institucione, e personaliteteve botërore, që na bëkan marrëveshje të fshehta prapa shpinës së shqiptarëve të Kosovës.

“Gjithë shqiptarët kudo që janë, e në veçanti shqiptarët e Kosovës i ka zënë uthi dhe, u është mjegulluar vetëdija në përmasën e një mallkimi biblik, sepse, më të zhurmshmit më së paku e dinë se çfarë thonë, e  çfarë bëjnë! Këta me gjasë janë idealistat e ri të trazimit të rrugës për shkuarje sa më krenare kah gremina! Të këtillët po e yshtin forcimin e injorancës, e cila po bën kërdi, duke i fry propagandës së  tmerrshme që po zhvillohet, për të mos lënë gjë të ndershme në Kosovën që po kalbet nga thashethemet!

A ka gjë më trishtuese se sa gjendja politike aktuale në Kosovë, ku gjithçka është e supozuar, ku njerëzit flasin e akuzojnë pa asnjë dëshmi konkrete, që shajnë dhe kërcënojnë veprimtarë, institucione, e personaliteteve botërore, që na bëkan marrëveshje të fshehta prapa shpinës së shqiptarëve të Kosovës!

Kush janë këta që propagojnë kështu? Disa analistë pa i fije truri, të cilët e shfrytëzojmë gjendjen e shkallmuar të medieve tona lypsare, që varen nga sponsorë të hamadreqit!

Kjo gjendje e mjerë po manifestohet edhe në lidhje me krizën aktuale qeveritare, të cilën po e vajtojnë halabakët e të gjitha koluareve të pista, duke trumpetuar gjithfarë rrena e mashtrime, jo të paqëllimta!”, ka deklaruar ai për “Bota sot”.

Sa i përket,  formimit të Qeverisë së re,  Zogaj ka potencuar se  e kushtëzuar nga Kushtetuta dhe çdo zgjidhje sipas kushtetutës, nuk ka pse të diskutohet.

“Formimi i Qeverisë së re nuk është çështje e koluareve por është e kushtëzuar nga Kushtetuta dhe, çdo zgjidhje sipas kushtetutës, nuk ka pse të diskutohet! Qeveria e re nuk mund të kushtëzohet nga urrejtjet ose simpatitë ndërpartiake, por nga parimet kushtetuese! Nëse Kushtetua ua jep rastin, pse u dashka shikuar me dyshim fjala vjen, koalicioni LDK-AAK-Nisma-AKR etj.!? nëse këto pari kanë vullnet të bashkohen dhe të krijojnë numrat e nevojshëm! A janë edhe këto parti të dalura nga vota e popullit të Kosovës?! Prandaj, pse u dashka të mos respektohet vullneti i këtyre partive, nëse LVV fjala vjen, nuk e përmbush kriterin kushtetues?! Sa i përket nënshkrimit të marrëveshjes me Serbinë, kushdo qeveri qoftë, duhet ta nënshkruaj marrëveshjen, prandaj, kush e nënshkruan as që ka rëndësi, por çka nënshkruan është problemi! Propaganda po mundohet me e turbullu edhe këtë problem sepse, sa më shumë thashetheme aq me e keqe do të vie përmbajtja e marrëveshjes, kjo është e sigurt!”, ka thënë Zogaj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat