Keqqeverisja e qeverisë Haradinaj detyroi Kurtin të kërkojë ndihmë nga mërgata

Politika

Keqqeverisja e qeverisë Haradinaj detyroi Kurtin të kërkojë ndihmë nga mërgata

Nga: Albulena Jahaj Më: 20 prill 2020 Në ora: 08:06
Qeveria Haradinaj

Në fillim të javës së kaluar, Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurt,i ka kërkuar nga diaspora që ta ndihmojnë qeverinë me mjete financiare, për të luftuar Koronavirusin në Kosovë. Një kërkesë e tillë është përcjell më shume reagime nga më të ndryshmet.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Kurti ka njoftuar se qeveria ka hapur një llogari të posaçme, dedikuar menaxhimit të pandemisë.

Sipas tij, të gjitha mjetet do të shkojnë në mbështetje të të gjitha aktiviteteve të ministrive, të cilat kanë nevojë financiare shtesë për ta zvogëluar ndikimin e pandemisë në sektorin e caktuar.

“Të dashur bashkatdhetarë, duke pasur parasysh gjendjen në të cilën ndodhet vendi ynë, ju bëj thirrje që edhe këtë herë të bëheni pjesë e solidaritetit, ndoshta më shumë se kurdoherë më parë, dhe të na ndihmoni në luftën kundër COVID-19.

E kemi parasysh që pandemia ju ka prekur edhe juve në mërgatë, e edhe të afërmit tuaj në Kosovë. Mirëpo, si gjithnjë, kur kemi qëndruar së bashku, edhe këtë herë do t’ia dalim së bashku”, është shprehur Kurti.

Deri tash janë mbledhur mbi 180 mijë euro nga diaspora për luftimin e COVID-19.

Një nismë e tillë e kryeministrit Kurti është kritikuar shumë e sidomos nga partitë opozitare të cilat kanë vlerësuar se edhe këtë Albin Kurti po e bën për poena politik.

Derisa kryeministri në detyrë Albin Kurti, ka kërkuar përkrahje nga diaspora për tu përball me virusin CoVID-19 ka pasur reagime nga më të ndryshmet deri në masën sa Kurti u akuzua edhe për poena politik apo edhe arsye të tjera.

Duke ditur se rezervat shtetërore janë në zero qysh nga qeverisja e Ramush Haradinja, një kërkesë e tillë e Qeverisë se Kosovë mund të jetë edhe e arsyeshme.

Image
Driton Tali

 

Këshilltari i Kurtit, Driton Tali në një bisedë për “Bota Sot” ka thënë se  arsyet që e ka shtyrë Albin Kurtin të kërkojë këtë nga diaspora kanë qenë se rezervat shtetërore janë shpenzuar totalisht nga qeveria kaluar dhe faktori tjetër është se pandemia po na kushton shtrenjtë.

“Arsyet i kemi treguar për këtë aksion.  Dy janë më kryesoret: Rezervat shtetërore janë shpenzuar totalisht nga qeveria kaluar dhe faktori tjetër është se pandemia po na kushton shtrenjtë.

E kemi menduar gjatë sepse e kishim parasysh eksperiencën e të kaluarës, sesi u menaxhuan fondet  qoftë "Fondi 3%" qoftë "Vendlindja Thërret". Megjithatë kjo përkrahje masive veç sa e betonon besimin që qytetarët gjithandej e kanë në kryeministrin Kurti por edhe atdhe dashurinë e tyre” ka thënë këshilltari i kryeministrit.

Sipas Talit, mërgata ishte pranë sa here që mëmëdheu pati nevojë. Dhe ne duhet gjithmonë t'ju jemi mirënjohës.

 

Image
Ramush Tahiri

Shumë qytetarë nga diaspora tashmë i janë përgjigjur kërkesë se kryeministrit dhe kanë dhuruar mjete të Qeveria e Kosovës, por analisti politik Ramush Tahiri është shprehur skeptik sa i përket gatishmërisë se diasporës për të dhuruar.

Tahiri ka thënë se Kosova ka nevojë për ndihmë të çfarëdollojshme me e përballu pandeminë  e cila po shënon dhe do të shënoj rritje të të infektuarve dhe çdo ndihmë është e nevojshme e sidomos paratë e freskëta.

Diaspora shqiptare pati rol dominant nëpërmjet remitencave dhe ndihmave të tjera të mbajë normalitetin dhe jetën në Kosovë në kohët më të vështira por edhe përgjithësisht.

Qeveria ka hapur një fond të veçantë por diaspora është lodhur dhe gjithashtu ka ndryshuar në strukturën e sajë duke qenë të gjithë me familjen atje dhe duke dërguar më pakë të holla familjarëve.

 “Tash po investojnë në shtëpi dhe banesa si dhe në ekonomi familjare dhe në biznese të vogla, në blerje të patundshmërive dhe të ngjashme. Unë besoj se më kohë krize pandemie ata do të vazhdojnë të ndihmojnë familjarët dhe të afërmit e tyre gjë që është mirë se e rrit qarkullimin e parave e mallrave dhe mirëqenien që është ndihmë edhe për qeverinë Nuk besoj se do të ketë interesim të veçantë për këtë fond çfarëdo qoftë qëllimi i Kryeministrit Kurti, ekonomik apo të shtrijë ndikimin politik” ka thënë Tahiri për “Bota Sot”.

Rezervat janë krejtësisht të harxhuara (keqpërdorura) nga qeveria “Haradinaj”

Ndërsa edhe analisti politik Rexhep Elezaj ka thenë për “Bota Sot” se kërkesa e kryeministrit në detyrë, z. Albin Kurtit, drejtuar diasporës për ndihmë financiare për ta mundur pandeminë nga rreziku i Korona virusit, mendoj se është një kërkesë të cilës ai nuk ka mundur t’i shmangët, kur dihet fakti se buxheti e Kosovës për vitin 2020 është aprovuar në Kuvend nën çdo nivel financiar, diku prej 3 miliardësh, me të cilin nuk mund të financohen si duhet resorët e shumtë ekonomik, sepse kjo shifër nuk i mbulon as kërkesat minimale për një zhvillim normal të shtetit të Kosovës.

Pastaj, rezervat buxhetore janë krejtësisht të harxhuara (keqpërdorura) nga qeveria “Haradinaj”, e cila arkën e shtetit e ka lënë gati të zbrazët, andaj edhe është fajtore për shpenzime enorme që ajo qeveri ka bërë derisa ishte në pushtet!

“Unë mendoj, se mërgata shqiptare është lodhur duke dhënë për të satën herë mjete të mëdha financiare për  Kosovën e tyre të dashur, dhe atë nga buxheti i tyre familjar dhe ia i bisneseve private, e, për të cilin kontribut asnjëherë nuk janë shpërblyer nga qeveritë e pas luftës, madje as me ndonjë falënderim publik, duket se z. Albin Kurti, si përgjegjës i qeverisë në detyrë, nuk ka pasur rrugëdalje tjetër veçse t’i drejtohet mërgatës për ndihmë financiare për përballje të suksesshme me pandeminë e Korona virusit, gjë që besoj shumë se bashkatdhetarët tanë si gjithherë deri më tash, do t’i përgjigjen pozitivisht kërkesës së tij. Ajo që duhet theksuar, është fakti se mërgimtarët tanë, pa dallim përkatësie partiake, janë tepër të zhgënjyer me ngjarjet e fundit politike në Kosovë, sidomos me veprimin e papërgjegjshëm të LDK-së së Isa Mustafës, që si partner bashkë qeverisës me LVV-je, ajo vetëm pas 52 ditësh qeverisje do e ngritë mocionin e votëbesimit qeverisë me të cilën kishte hyrë në koalicion, gjë e cila nuk ka ndodhur në asnjë shtet demokratik, që pa dyshim, ishte një pabesi i llojit më të keq, por të cilës jam i sigurt se ka me i kushtuar rënd me votë në zgjedhjet e ardhshme kurdo që të mbahen” ka thënë Elezaj.

Sipas tij, LVV-ja dhe Albin Kurti, si lider i saj, kanë një përkrahje të madhe në mesin e mërgimtarëve tanë në Evropë dhe më gjer, kjo është vërejtur qartë me rastin e votimit në zgjedhjet e 6 tetorit 2019, ku numri më i madh i tyre kanë votuar për VV-jen, madje duke ardhur vetë për të votuar në Kosovë. Kështu që, nisur nga ky fakt mërgimtarët tanë do t’i përgjigjen pozitivisht kërkesës së tij për t’i dalë edhe kësaj radhe në ndihmë atdheut të tyre, i cili u mungon shumë çdo ditë që ata e kalojnë në dhe të huaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat