LDK-ja nuk e ftoi Vjosa Osmanin në takim, njohësi i çështjeve politike tregon se çfarë po ndodh në atë parti

Politika

LDK-ja nuk e ftoi Vjosa Osmanin në takim, njohësi i çështjeve politike tregon se çfarë po ndodh në atë parti

Nga: D.RR Më: 20 prill 2020 Në ora: 15:35
Isa Mustafa dhe Vjosa Osmani

Sot gjatë ditës, me ftesë të kryetarit Isa Mustafa u mblodh kryesia e LDK-së, por që Vjosa Osmani nuk u ftua në atë takim.

Mustafa deklaroi se Osmani nuk u ftua në takim, për shkak se dihen publikisht qëndrimet e saj në lidhje me çështjet aktuale.

E njohësi i çështjeve politike, Rexhep Elezaj, për gazetën “Bota sot” ka thënë se brenda LDK-së ka çarje të mëdha, e problemi me Vjosa Osmanin daton që nga viti 2014, kur ajo votoi kundër qeverisë Mustafa dhe presidentit Thaçi.

“Është e qartë se brenda LDK-së ka çarje të mëdha politike të cilat nuk datojnë tash nga rasti i ngritjes së mocionit për rrëzimin e qeverisë “Kurti”, por shumë më herët kur znj. Vjosa Osmani ishte kundër hyrjes së LDK-së në koalicion qeverisës me PDK-në në vitin 2014, sikur që as votën e saj nuk e dha për zgjedhjen e Hashim Thaçit president. Pra, qysh atëherë ajo doli hapur kundër politikës dhe vendimeve të dëmshme të liderit të partisë së saj, duke mos u pajtuar me politikën nënshtruese të LDK-së kundrejt PDK-së së H. Thaçit! Znj. Vjosa Osmani, duke mos dashur që ta dobësojë unitetin brenda partisë u detyrua që me vite të heshtë dhe të mos prononcohet publikisht për vendimet e mbrapshta të kreut të partisë së saj, Isa Mustafës, gjithnjë duke përbirë “iriq” me therra, deri në masën sa gati nuk e përjashtuan nga partia, kur siç dihet në zgjedhjet e vitit 2017 e vendosën në listën për deputet në vendin e 81, edhe pse ishte kandidatja më e votuar e LDK-së në zgjedhjet paraprake”, tha Elezaj.

Image
Rexhep Elezaj

Ai thekson se nuk duhet habitur nga këto veprime të LDK-së karshi Vjosa Osmanit, teksa thotë se ajo është figura më e çmuar në LDK.

“Kështu që rreth rrëzimit të qeverisë “Kurti” me 25 mars dhe qëndrimit të saj refuzues ndaj vendimit të LDK-së nuk ka nevojë të thuhet diçka më shumë, sepse të gjithë i dimë qëndrimet e znj. Vjosa Osmani, aktualisht kryetare e Kuvendit të Republikës së Kosovës, të cilën kreu i partisë, sidomos nënkryetari i saj, Agim Veliu, ka hapur luftë të ndytë kundër saj, duke e qortuar dhe kërcënuar me përjashtim nga partia. Prandaj, nuk duhet habitur pse znj. Osmani nuk e thërrasin në mbledhjet e kryesisë së LDK-së dhe as në Këshillin e përgjithshëm, sepse Isa Mustafa me klanin e tij vasal pro-politikave të Hashimit për ndërrim territoresh me Serbinë, e dinë qartë se ajo nuk do pajtohet kurrë me vendime të tilla antikombëtare. Mendoj se znj. Vjosa Osmani, është figura më e çmuar në LDK, e cila ka kontribuuar jashtëzakonisht shumë në ngritjen e imazhit të saj tek votuesit e tyre, duke marrë hiç më pak se 163.000 vota, kështu që me qëndrimet e saja kundër çdo vendimi që cenon integritetin dhe sovranitetin e shtetit të Kosovës, madje duke rënë në konflikt të thellë politik me krerët e partisë, ajo e ka treguar mençurinë, dinjitetin, patriotizmin dhe gatishmërinë e saj, që për interesa të popullit dhe atdheut të mos lëshoj pe pa marrë parasysh çmimin që mund ta paguaj”, u shpreh ajo.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat