Tomë Gashi tregohet i ashpër me LDK-në: Isa Mustafa bëri koalicioni me Ramush Haradinajn, e harruan liqenin e Radoniqit!

Politika

Tomë Gashi tregohet i ashpër me LDK-në: Isa Mustafa bëri koalicioni me Ramush Haradinajn, e harruan liqenin e Radoniqit!

Nga: G.B Më: 27 prill 2020 Në ora: 16:45
Tomë Gashi

Pasi rrëzoi Qeverinë Kurti, pjesë e të cilës ishte, LDK pritet të formojë qeverinë e re me AAK-në, Nismën dhe Listën Serbe.

E për kryeministër, LDK ka kandiduar Avdullah Hotin.

Por, LDK ishte në përgatitje të mocionit për rrëzimin e Qeverisë edhe kur Ramush Haradinaj ishte kryeministër, gjë që nuk ndodhi, pasi ky i fundit dha dorëheqje.

E tani këto parti bashkë do të qeverisin me vendin.

Lidhur me këtë, avokati Tomë Gashi, ka thënë për gazetën "Bota sot" se vullneti i qytetarëve ishte qeveria me VV-në dhe kjo që po tentohet të formohet është antikushtetuese.

"LDK mund të tentojë të formojë qeveri antikushtetuese duke e tradhtuar votën e mbi 200.000 votuesve, të cilët votuan për ndryshime dhe votuan që të qeveriset së paku 4 vite me LVV. Ky ishte vullneti i qytetarëve që të formohet qeveria me VV, e quajtur Qeveria e shpresës", është shprehur ai.

Sipas Gashit, LDK e tradhtoi elektoratin dhe i veniti qëllimisht pritjet për një shtet të së drejtës.

"LDK e tradhtoi elektoratin e vet dhe bashkë me këtë tradhti, e tradhtoi popullin e Kosovës duke e thyer deri në palcë shpresën për ndryshime në Kosovën e pasluftës. LDK i veniti qëllimisht të gjitha pritjet për një shtet të ligjit dhe të së drejtës. LDK nuk lejoi që të luftohet krimi i organizuar i cili e ngulfati Kosovën për 20 vite", ka vlerësuar avokati.

Më tutje, ai thotë se LDK zgjodhi për partner një partner që e shau dhe Mustafa ia kujtoi Haradinajt Liqenin e Radoniqit, edhe pse ai është shpallur i pafajshëm dhe tani i harruan të gjitha e u bënë bashkë.

"LDK zgjodhi partner për një aventurë të radhës ata që i shau duke i quajtur me lloj lloj emërtime poshtëruese deri në atë masë sa ja kujtoi vet Isa Musatafa Liqenin e Radoniqit Ramush Haradinajt , ku aludimi ishte tepër i rëndë edhe pse Ramushi ishte liruar nga akuzat për vrasje të cilëve të gjetur në Liqenin e Radoniqit gjatë luftës. Këto aludime jo njerëzore i harroi edhe Isa Mustafa edhe vet Ramush Haradinaj për interesa të marrjes me dhunë të pushtetit sipas tyre me fuqinë e numrit të votave që i kanë në Parlament të Kosovës", ka thënë Tomë Gashi për "Bota sot".

Se çfarë mund të presim nga kjo qeveri, avokati ka thënë se do të kthehemi në kohën e VLAN-it.

"Se çfarë qeverie mund të presim edhe nëse ajo bëhet në kundërshtim të ligjit dhe Kushtetutës është e qartë.  Do të ktheheni në kohën e VLAN -it dhe në kohën e dëshpërimit dhe depresionit të thellë deri sa të kemi qeveri të tilla që prioritet e kanë veten, partinë, interesat personale dhe interesat e 82 deputetëve të lloj lloj ngjyrave politike", ka theksuar ai.

Sipas tij, një pjesë e LDK-së kanë tradhtuar idealet e Ibrahim Rugovës, derisa shton se Avdullah Hoti do të duhej të mos e pranonte postin e kryeministrit, pa e refuzuar atë Vjosa Osmani.

"Një pjesë e LDK e tillë çfarë kemi tani janë larg LDK-së së presidentit historik Ibrahim Rugova dhe janë duke e tradhtuar popullin dhe idealet e Ibrahim Rugovës. Avdullah Hoti nuk duhet ta pranojë postin e Kryeministrit pa e refuzuar këtë Vjosa Osmani në emër të cilës LDK votoi rreth 200.000 vota në emër të saj", ka deklaruar Tomë Gashi për "Bota sot".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat