Tradhtare apo shpëtimtare: Qeveria e re po vjen për ta bërë “kompromisin e madh” me Serbinë

Politika

Tradhtare apo shpëtimtare: Qeveria e re po vjen për ta bërë “kompromisin e madh” me Serbinë

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 28 prill 2020 Në ora: 13:33
Ramush Haradinaj dhe Isa Mustafa

“Kjo qeveri ka ardhur në jetë për të bërë “kompromisin e madh” me Serbinë. Nëse ky kompromis përfundon me ndarjen e territorit të Kosovës ose krijimin e një Republika Srpska të Bosnjës në Kosovë, atëherë do të mbahet mend si qeveria e Esat Pashë Toptanit”, thotë Bytyqi.

Në kohën kur Kosova ka mbetur pa qeveri, pritet që Lidhja Demokratike e Kosovës, si parti e dytë e dalë nga zgjedhjet e 6 tetorit të formojë qeverinë e re, në bashkëpunim me partitë e tjera. LDK-ja dhe kreu i saj Isa Mustafa, kanë arritur një marrëveshje me AAK-në dhe Nismën Socialdemokrate. Ndërkaq, Lëvizja Vetëvendosje si partia e parë e dalë nga zgjedhjet dhe të jetë në opozitë bashkë me PDK-në.

LDK-ja tashmë ka mandatuar kandidatin e tyre për kryeministër, Avdullah Hotin. Hoti ishte zëvendëskryeministër në Qeverinë Kurti, por pas prishjes së marrëveshjes, kryeministri në detyrë, Albin Kurti e shkarkoj atë nga detyra.

Kështu, Qeveria Kurti mori fund pas 52 ditësh ‘jetë’, kjo si shkak i prishjes së koalicionit që kishte bashkë me LDK-në.

Tani qytetarët të cilët e quajtën këtë qeveri si ‘qeveri të shpresës’, kanë drejtuar ‘sytë’ kah qeveria e ardhshme, në të cilën do të bëj pjesë edhe kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, që ishte kreu i qeverisë, para asaj Kurti.

Njohësit e çështjeve politike thonë se kjo qeveri e ardhshme e ka shansën ta dëshmoj vetën nëse do të jetë fitimtare apo do të dalë si tradhtare ndaj popullit, nëse nënshkruan një marrëveshje për ndarjen e territorit të Kosovës.

Kështu, profesori universitar, Enver Bytyqi thotë se kreu i LDK-së i dha fund marrëveshjes me Vetëvendosjen, për tu kthyer tek aleatët e vjetër. Ai thotë se koalicioni i ri po formohet me mbështetjen e Presidentit, Hashim Thaçi, Aleksandër Vuçiq dhe Edi Ramës.

Image
Enver Bytyqi

“Lidhja Demokratike e Kosovës e drejtuar nga zoti Isa Mustafa vendosi t’i japë fund aleancës 52 ditore me Vetëvendosjen dhe u rikthye te aleatët e vjetër të saj. Me mbështetjen e presidentit të Republikës, i njohur si mik i Isa Mustafës, Aleksandër Vuçiq dhe Edi Ramës, kreu i LDK-së po realizon një koalicion të ri me AAK-në dhe Nisman e Fatmir Limajt. Thuhet se i kanë ndarë edhe rolet, pozicionet, ministritë, zëvendësministrat, këshilltarët po e po dhe pa hartuar ende një program qeverisës kanë ndërmend të krijojnë dhe miratojnë një qeveri të re në parlamentin e 82 deputetëve të Kosovës. Këta 82 deputetë që rrëzuan qeverinë legjitime të sovranit janë mbështetësit e qeverisë së re. Sepse janë 82 deputetë të vënë në rresht nga Aleksandër Vuçiq dhe Hashim Thaçi”, thekson professor Bytyqi.

Ai thotë më tutje, se Kosova edhe mund të mos e meritojë lirinë që e fitoi me ndihmën e NATO-s në atë fillim qershori 1999, sepse mbështeti një qeverisje të korruptuar, e cila e zhbëri demokracinë e lirinë e vërtetë dhe vari në çengel litarin që e mban lidhur lirinë e shqiptarëve dhe qytetarëve të tjerë në Kosovë.

“Nuk e meritojmë lirinë as ne në Shqipëri! Sepse sillemi me lirinë si në diktaturë dhe na pëlqen kjo sjellje arrogante! Prandaj na ndodhin të tilla ngjarje, të tilla ndarje, të tilla përçarje, të tilla fatkeqësi në pandemi”, thotë ai.

I pyetur nëse kjo qeveri e ardhshme është e duhura për Kosovën, profesor Bytyqi thotë se nuk ka qenë aq optimist as për qeverinë e kaluar.

“Nuk kam qenë aq optimist për qeverinë që u rrëzua. Shumë gjëra të bëjnë skeptik në atë qeveri, sidomos mungesa e urtësisë dhe mençurisë politike. Por askush nuk priste që një qeveri e shumicës të shndërrohet në qeveri të pakicës në 50 ditë. Ky ishte kurth. Ky kurth u vesh me mantelin ligjor. Është e vërtetë se akti ishte ligjor, por kjo nuk e bën këtë akt fer”, thekson ai.

Profesor Bytyçi thotë më tutje se një qeveri e re me LDK-në, AAK-në, Listën Srpska dhe Nismën ka mbështetjen e PDK-së. Pra ka mbështetjen e 82 deputetëve që votuan kundër qeverisë së mëparshme.

“Nga kjo pikëpamje duket gjithçka në rregull dhe duhet të luash menç të thuash se kjo qeveri nuk është e duhura. Por nëse e analizojmë gjithçka ndryshe, në esencën e asaj çfarë ka ndodhur e po ndodh, më duhet të shpre disa mendime: Së pari, një qeveri është e duhura, nëse ajo garanton prosperitet, zhvillim ekonomik dhe mirëqenie për qytetarët. Qeveria që mund të krijohet nuk ka asnjë tregues se do të jetë në këtë drejtim më e mirë sesa qeveria e mëparshme. Kryeministri i mundshëm i qeverisë së ardhshme, ishte zv. Kryeministër në të parën. Së dyti: Qeveria e re nëse do të jetë e duhura duhet ta dëshmojë veten në përballimin e krizës së pandemisë së Covid-19. Në të dy aspektet, në ruajtjen e jetëve njerëzore dhe në përballimin e efekteve negative në ekonomi, jetën sociale dhe financa. Së treti, kjo qeveri ka ardhur në jetë për të bërë “kompromisin e madh” me Serbinë. Nëse ky kompromis përfundon me ndarjen e territorit të Kosovës ose krijimin e një Republika Srpska të Bosnjës në Kosovë, atëherë do të mbahet mend si qeveria e Esat Pashë Toptanit”, thotë Bytyqi.

Sipas tij, që të mos ndodhin këto duhet një bashkëpunim i të gjithë faktorit politik.

“Por ky bashkëpunim ka vetëm një kusht pengues: Përfaqësuesin e Beogradit në Prishtinë, i cili fatkeqësisht është edhe president i Republikës së Kosovës. Me Hashim Thaçin nëpër këmbë e aq më keq si tutor, kurrë nuk ka për të patur qetësi Kosova. Pa qetësi nuk ka të ardhme. Nuk ka qeveri në botë që të bëjë gjënë e duhur në një vend në prag copëtimi dhe falimentimi. Aq më tepër në Kosovë, kur ajo nuk e ka konstituuar veten në OKB dhe organizmat ndërkombëtare. Falë këtij fakti Vuçiq dhe Thaçi ndjehen komodë në kalin e bisedimeve për ndarjen e Kosovës”, vlerëson ai.

Por profesor Bytyçi thotë se ende ka besim të Ramush Haradinaj që mund të ndaloj ndarjen e Kosovës.

“Qeveria e re, nëse ndalon këtë proces, do të jetë e suksesshme. Nëse e firmos dhe e pranon ndarjen e Kosovës do të jetë shumë më tepër se e dështuar. Por ende besoj te Ramush Haradinaj. Ai duhet të këtë hyrë në këtë qeveri, pikërisht për ta ndaluar ndarjen e Kosovës. Ndryshe merr fund autoriteti, prestigji dhe besimi te ai”, thotë Bytyqi.

Ndërkaq, sipas analistit politik, Skender Zogaj, në situatën në të cilën ndodhet Kosova nuk duhet kërkuar të duhurën, mirëpo të gjendet zgjidhje Brenda mundësive ekzistuese.

Image
Skender Zogaj

“Në kushtet e krijuara, kur Kosova po e përjeton krizën më të rëndë politike, shoqërore, ekonomike, sociale dhe të gjithëmbarshme shtetërore,  është utopike të kërkohet diçka e vlerës së  duhura! Mirëpo orvatjet duhet të bëhen dhe të gjinden zgjidhjet brenda mundësive ekzistuese”, thekson ai.

Sipas Zogaj,  LDK është partia më serioze e Kosovës dhe e vetmja që gjithnjë ka treguar vullnet deri në vetësakrifikim për të dhënë kontributin e saj.

“Aktualisht kriza është e jashtëzakonshme dhe, LDK-ja sërish po e vazhdon traditën duke u deklaruar e gatshme të qeverisë vendin! Por këtë nuk mund ta bëjë e vetme, prandaj, po kërkon partnerë për bashkëqeverisje! AAK-ja iu ka përgjigjur pozitivisht prandaj nuk ka asnjë arsye që të hezitojë! Se çfarë qeverisjeje do të nxjerrin LDK-AAK dhe partitë tjera është vështirë të paravlerësoret, por, unë them se, nëse e kanë parasysh se Kosova është në rrezik, dhe nëse kanë i fije atdhedashurie kësaj here, duhet të punojnë mirë!”, thekson Zogaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat